Betlehemi i Lindjes së Jezusit në shtëpitë tona
R.SH. - Vatikan
Përshpirtëria popullore është e mbushur me simbole e ngjarje në periudhën e Krishtlindjes, por, pa dyshim, Betlehemi, që riprodhon në këndet e shtëpive tona grazhdin ku lindi Krishti, është tradita, që i impenjon më shumë familjet, bashkësitë kishtare apo shoqatat kulturore të krishtera anembanë globit. Në mijëvjeçarin e parë të krishterimit, Lindja e Jezu Krishtit Zot, kremtuar solemnisht në liturgji dhe kujtuar në tregimet, që rridhnin nga ungjijtë apokrifë, ndikoi artin e skulpturës, të mozaikut, të pikturës, derisa arriti, gjatë Mesjetës, edhe në artin e teatrit e, brenda tij, në skenografinë e paraqitjeve kishtare. Kalimi gradual nga Fjala e tregimeve të lashta në kremtimin liturgjik të misterit të Mishërimit të Zotit dhe në figurën e pikturuar e të skalitur, përbën çelësin për të kuptuar domethënien e paraqitjeve kishtare kushtuar Lindjes së Jezusit.
Specum Salvatoris
Në vitin 404, Shën Jeronimi, duke i shkruar murgeshës italiane Eustokio, pohon se shën Paola romake (nxënëse e tij), gjatë një shtegtimi në Betlehem, hyri në Specum Salvatoris, pra, në vendin ku lindi Shpëtimtari i njerëzimit: një shpellë, një stallë. Në imagjinatën popullore të krishterë, favorizuar nga shtimi i shtegtimeve në Tokën Shenjte, kishte gjithnjë përpjekje të vazhdueshme për të riprodhuar këtë cep të vogël të Betlehemit. Emri i skenës “praesepe” në latinisht do të thotë djep/grazhd.
Sancta Maria ad praesepem
Në Romë, Bazilika e Shën Marisë së Madhe, mbi kodrën e Eskulinit, e cila që nga shekulli i gjashtë mori emrin e “Sancta Maria ad praesepem”, fillimisht përbëhej nga një orator, që riprodhonte simbolikën strukturore të shpellës së Betlehemit. Shtegtarët e shumtë, që ktheheshin në Romë nga Toka Shenjte, sollën si dhuratë fragmente të çmuara të drurit të Djepit (cunabulum), i cili ruhet edhe sot në relikuarin e artë të altarit të Rrëfimit. Po kështu, në Bazilikën e Vatikanit dhe në atë të Shën Marisë në Trastevere, u ndërtuan kapela, të cilat ruajnë, në titujt e tyre të lashtë, emërtimin “ad praesepem”.
Betlehemi i shën Françeskut në Greccio
Deri në shekullin XII, ikonografia e Lindjes së Krishtit nuk kremtonte varfërinë e lindjes së Foshnjës Hyjnore, në një shpellë në të ftohtë dhe në ngricë, por i jepte rëndësi faktit, që Krishti është mbret i gjithësisë. Në periudhën ndërmjet shekujve XII dhe XIII, arti triumfal i lë vendin përfaqësimit më popullor, i cili, duke reflektuar sërish mbi tregimet apokrife, e identifikon Foshnjën Hyjnore me njerëzit e varfër të Betlehemit, duke e pasqyruar lindjen e Tij edhe nëpër bazilika. Skena e lindjes së Krishtit humanizohet e, në këtë atmosferë, mbërrijmë në të ashtuquajturin “Betlehem i shën Françeskut në Greccio”. Përkushtimi i Varfanjakut të Asizit për humanizmin e Krishtit është më se i njohur si nga shkrimet e tij, ashtu edhe nga biografitë e para të shenjtit.
Dëshira për të përkujtuar lindjen e Krishtit u realizua në vitin 1223, pas udhëtimit të Shën Françeskut në Palestinë. Ai i kërkoi Giovanni Velita-s, kështjellar i Greccio-s, t’i vinte në dispozicion pyjet, ku mund të kremtonte Krishtlindjen në mënyrën më të vërtetë të mundshme, duke vënë në pah konkretisht varfërinë dhe vështirësitë, në të cilat lindi Krishti Fëmijë. Gjatë Natës së Krishtlindjes të atij viti, shën Françesku i Asizit përkujtoi lindjen e Jezusit, duke organizuar paraqitjen e gjallë të asaj ngjarjeje. Ai përgatiti shpellën, grazhdin, sanën dhe solli një ka e një gomar për të riprodhuar atë kënd të Betlehemit, që ishte “specum Salvatoris”.
Mrekullia e dukjes së Foshnjës
Gjatë kremtimit të asaj Meshe në grazhd, sipas hagjiografive, u duk mrekullisht një Foshnjë, të cilin Shën Françesku i Asizit e mbajti në krah. Në këtë mënyrë, shenjti e bëri misterin e Mishërimit të Zotit më të kapshëm dhe më të lehtë për t’u kuptuar nga besimtarët e kohës. Nga ai çast, Betlehemi dhe Greccio, në Itali, u bënë një: në Betlehem u mishërua Krishti; në Greccio, me përshpirtërinë e Shën Françeskut të Asizit, filloi përkujtimi mistik i lindjes së Zotit.
Nxitje për ta jetuar Krishtlindjen me zemër të përtërirë
Ashtu si Shën Françesku i Asizit, çdo burrë e çdo grua, të gjithë pra kanë nevojë për shenja, me të cilat të shprehin ç’kanë në zemra, por edhe përshpirtërinë e tyre fetare. Kisha u ka dhënë gjithnjë rëndësi shenjave, veçanërisht atyre liturgjiko-sakramentore, duke vigjëluar mbi çdo devijim supersticioz. Shpella Betlehemit është një nga këto shenja, përmes të cilave çdo i krishterë, duke kujtuar ngjarjen historike të Mishërimit të Zotit, merr guximin e nevojshëm për ta kremtuar dhe për ta jetuar me fe misterin shëlbues, që ajo përmban.
E kështu, që nga viti 1223, për meritë a për “faj” të shën Françeskut të Asizit, në çdo shtëpi, ndërtohen skena të vogla të lindjes së Krishtit, që kujtojnë Betlehemin, shpellën, grazhdin e përvuajtur, ku lindi Shëlbuesi i botës. Përgatitja e tyre (në të cilën përfshihen veçanërisht fëmijët) bëhet mundësi që anëtarët e familjes të prekin me dorë misterin e Krishtlindjes dhe të mblidhen së bashku për një çast lutjeje, ose për të lexuar faqet ungjillore të lindjes së Krishtit.
Paraqitja e lindjes së Jezusit Shëlbues, që në çdo familje bëhet e dukshme pikërisht përmes betlehemit, është nxitje për ta jetuar Krishtlindjen me fe dhe zemër të përtërirë, duke marrë nga grazhdi i Betlehemit “mahnitjen” për Zotin që bëhet njeri dhe “pjesëmarrjen” në shëlbimin, që na është dhuruar në Foshnjën Hyjnore.