Betlehemi, vend i shpirtit, i bukës dhe i paqes / 4
R.SH. – Vatikan
E ja tani, në Betlehem: tokë e shpirtit, tokë e bukës dhe e paqes mesianike. Maria dhe Jozefi ndihen pak të trullosur nga ecejakja e njerëzve në këmbë, mbi gomarë dhe karroca; nëse dëgjohej toni i dialekteve të ndryshme, merrej vesh se ata ishin njerëz të ardhur nga shumë anë të Tokës së Premtuar, të gjithë në kërkim të një vendi për të ngrënë e për të fjetur, duke u shtyrë me bërryla, ose me mënyra jo aq të hijshme. Regjistrimi solemn i popullsisë i detyron të zhvendosen në qytetin e tyre të origjinës. Edhe ata - Maria dhe Jozefi - enden për pak kohë, duke kërkuar një bujtinë: të gjitha plot, të gjitha mbushur.
Dalin pak jashtë katundit, aty ku një shkëmb i madh fsheh disa shpella. Më në fund, gjejnë një shpellë të lirë, me një grazhd. Iu duk si të kishin gjetur një strehë të rehatshme pas ditësh udhëtimi. Aty lind Jezu Krishti, Mesia, Shpëtimtari, i rrethuar me ngrohtësinë e Marisë, Jozefit, kaut dhe gomarit (siç thotë tradita) dhe me atë të barinjve anonimë, që deshën s’deshën, u bënë protagonistë të misterit më të madh në histori: Biri i Hyjit, Vetja e Dytë e Trinisë Shenjte u bë njeri dhe lindi si foshnjë në Betlehem të Judesë.
Le të marrim sot nga çanta e shpinës një broshurë të këndshme, me autor Shën Alfons Maria de' Liguorin dhe ta hapim në faqen titulluar "Këngë e vogël për Jezusin Fëmijë", ku gjejmë të famshmen "Ti ulesh prej Parrizit". Ndoshta, do të ishte me vend t’i lexonim dhe pastaj t’i këndonim të shtatë strofat, që ta thithnim me të dyja mushkëritë përkushtimin dhe fenë e shenjtit, por po kufizohemi vetëm në dy prej tyre: “Ti ulesh prej Parrizit,/O Zot e Mbret lumnie,/E n’ tokë vjen me u bâ nieri/Vetëm prej dashtënie…/O Biri i të Naltit Zot,/Ti pate gjithë lumninë,/Por deshtas e ke lanun/E kapë ke vorfëninë” (përkthim i dom Ndre Mjedës).
Na duket sikur të gjithë ne jemi brenda shpellës së Betlehemit, me Marinë dhe Jozefin, të përzier me barinjtë dhe bujqit, që erdhën për të parë Foshnjën e Festës në kohën e "regjistrimit të popullsisë së gjithë tokës".