Betlehemi, vend i shpirtit: në horizont, Drita / 3
R.SH. – Vatikan
Nga larg mund të shiheshin shtëpitë e para të Betlehemit, në rrugën për në Hebron. Jozefi pothuajse ndjeu një atmosferë familjare dhe kishte pak emocion. Deshi të bënte edhe një ndalesë përpara se të hynte në fshat. Foli për këtë me Marinë, së cilës i pëlqeu shumë ky propozim, sepse kështu mund të pushonte sërish. Gjetën ngrohtësinë e një bujtine. Dhe e kaluan natën atje. Jozefi nuk arriti të flinte: mendonte për Davidin, mendonte për Rakelën, për Rutën, për Noemin, për paraardhësit e tij e mendonte edhe për Shtëpinë e Bukës, me shumë respekt dhe përkushtim.
Marisë i erdhi ndërmend lajmërimi i papritur i Engjëllit: «Të falem o hirplote, Zoti është me ty. Do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë dhe do ta quash Jezus... asgjë nuk është e pamundur për Zotin”, e ajo u lumturua shumë për këtë! E kujtoi fjalët e falënderimit në këngët e Sionit: «Malet t'i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë. Për të mjerët e popullit të vet do të vendosë drejtësinë, do t'i shpëtojë bijtë e të varfërve... Në ditët e tij, drejtësia do të lulëzojë dhe do të ketë paqe me begati”.
“Ardhja e Jezusit – lexojmë në librin delikat të Fortunato Pasqualino-s, “Kushdo të jesh, me Jezusin, me hapin e gomarit” – në shumë aspekte, i shqetësoi marrëdhëniet, që ishin krijuar me zërin hyjnor. Ai dukej sikur zbuloi letrat e një loje, ku pak si tepër fjalë njerëzore përdoreshin sikur të ishin fjalët e Hyjit. Lidhur me këtë, Jezusi thotë qartë: "Ju, nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij, as nuk e keni parë fytyrën e tij". Duke thënë kështu, u drejtohej njerëzve të pranishëm në atë vend, por nuk i përjashtonte të tjerët, madje as vetë Moisiun, nëse ligji nuk zbatohej sipas drejtësisë. Jezusi guxoi të paraqitej si fjala, zëri dhe si imazhi i Zotit, i cili i ishte shfaqur Moisiut vetëm nga shpina, jo nga fytyra”.