Betlehem me rërë Betlehem me rërë

Betlehemi, vend i shpirtit: Zakeu brofi më këmbë / 2

Koha e Ardhjes, në të cilën ndodhemi, na çon në vende të ndryshme të jetës së Jezu Krishtit e të familjes së tij, ndërsa përgatitemi të presim lindjen e Mesisë. Kësaj radhe, në udhën drejt Betlehemit, imagjinojmë Nënën e Zotit, Marinë, sikur ta kishte njohur Zakeun, tagrambledhësin, që 20 e kusur vite para takimit të tij me Krishtin, i cili e ktheu në udhë të drejtë

R.SH. – Vatikan

 Ditë pas dite, destinacioni - vendi i shpirtit - Betlehemi, afrohet. Maria është e lodhur dhe herë pas here grupi i vogël ndalet nën hijen e rreshtave të palmave, ullinjve, hurmave dhe fiqve. Mbërrijnë në Jeriko dhe gjejnë një vend në një lloj hani për karrocat, ku gratë shtatzëna mund të pushojnë të pashqetësuara. Rreth e rrotull, një tufë djemsh ndjekin njëri-tjetrin dhe luajnë: zare, basileus (loja e preferuar e ushtarëve romakë), raketake... "Zake, hajde, forca, hajde...", Marisë i mbeti i ngulitur ai emër; djali ishte i gjallë, i sigurt në vetvete dhe tërhiqte vëmendjen e bashkëmoshatarëve të tjerë.

 Lëvizte si të ishte ndonjë kryetar i vogël. Maria e shikoi dhe ia nguli sytë, sikur të donte ta shihte thellë brenda, në shpirt e në zemër. Kaluan muaj e vite dhe «Zakeu – lexojmë në faqet e romanit ‘Doni të ikni edhe ju?’, me autor Luigi Santucci – zbret nga degët e fikut. Mendon, nga një degë në tjetrën, për ushqimet e shijshme me të cilat do ta mahniste Mësuesin dhe të ftuarit e tjerë; mendon sa do t'i kushtojë kompensimi i katërfishtë për njerëzit që mashtroi. Por, tashmë, e ka vendosur në shpirt dhe pas pak çasteve, do ta thotë me zë të lartë, para të gjithëve, në atë vetëvrasje të rrallë të zotnillëkut, përmes së cilës ai deklarohet shfrytëzues, të bëhet ç’të bëhet. E ky rrëfim është biznesi më i ndërlikuar i jetës së tij. Sot, në këtë shtëpi erdhi shpëtimi”.

Kush e di nëse Maria – pasi kishin kaluar njëzet a më shumë vite - do të ketë qenë e pranishme së bashku me birin e saj Jezusin, në këtë festë në shtëpinë e Zakeut të rritur, pak mashtrues e pak i kthyer në udhë të drejtë. Nuk e dimë, por na pëlqen të mendojmë se po, ishte aty, megjithëse tiparet e fytyrave, ato të Marisë dhe ato të Zakeut, mund të kenë qenë të ndryshme; por, në këtë rast, ishte e rëndësishme që së paku një fytyrë të kishte shkëlqimin e dritës, përshkruar në Ungjillin sipas Gjonit: «Drita e vërtetë po vinte në botë, ajo që ndriçon çdo njeri».

10 dhjetor 2023, 08:18