Betlehemi, vend i shpirtit: Zëri hyjnor / 1
R.SH. - Vatikan
Ejani të shkojmë të gjithë, miq dhe besimtarë të krishterë, drejt mureve të një vendi, ku na rri shpirti. T’i kapërcejmë kufijtë e vendosur nga natyra, nga shtetet, nga mosha, në kërkim jo aq të pamjeve që të lënë pa frymë, por të një Zëri, të një Fytyre plot dritë. Destinacioni i udhëtimit tonë - në këtë periudhë - është Betlehemi: vendi i bukës, vendi i Mesisë, vendi i Jezu Krishtit. E, si në çdo rrugëtim të mbarë, kemi nevojë për udhërrëfyes: sigurisht, jo aq për një udhërrëfyes turistik apo teknik, por për dikë, që bën bashkë me ne të njëjtën udhë materiale e shpirtërore, për dikë që bashkohet me ne në zemër, në shpirt, në fe, në dritën e horizontit të përbashkët.
Në vazhdën e Ungjillit sipas Markut, këtë vit liturgjik, dëgjojmë një fjalë serioze, solemne, kërkuese: Vigjëloni! Le të imagjinojmë se e fillojmë udhëtimin tonë drejt Betlehemit, nga Nazareti: nën bazilikën madhështore të Lajmërimit të Zotit, duhet të ketë qenë shtëpia e Marisë, kur ishte vajzë, nën të njëjtin kulm me Joakimin dhe Anën. Këtu sytë e prindërve shkëlqyen nga gëzimi, kur vajza e vogël tha fjalët e para. Para se të hyjmë në bazilikën e madhe, le të nxjerrim nga çanta e shpinës një libër, nga faqet e të cilit mund të thithim aromën e pranisë hyjnore. Libri mund të jetë “Jeta e Jezusit” e shkrimtarit francez François Mauriac (1885-1970):
"Nën mbretërimin e perandorit Tiberius - vëren shkrimtari - zdrukthëtari Jeshu, i biri i Jozefit dhe Marisë, jetonte në atë fshat, në Nazaret: ishin disa shtëpi të ndërtuara në shkëmb, në një kodër përballë fushës së Esdraelonit. Gjurmët e këtyre shpellave ekzistojnë ende. E njëra prej tyre e fshehu atë fëmijë, atë adoleshent, atë burrë, ndërmjet punëtorit e Virgjërës. Atje, ai jetoi tridhjetë vjet, në gjirin e një fisi të tërë, mes grindjeve, xhelozive, dramave të vogla të shumë të afërmve, mes galileasve të devotshëm, armiq të romakëve e të Herodit; e, në pritje të triumfit të Izraelit, ata të gjithë ngjiteshin për festa në Jerusalem".
E tani, ta mbyllim librin, që hapëm me këtë rast e të shkojmë me fantazi e imagjinatë në ngjarjet njerëzore dhe fetare, që popullonin atë fshat të vogël në Galile, ndërsa Maria ëndërronte ardhjen e Birit të Hyjit.