Kërko

Caritasi Sapës organizon panairin me punime të personave me aftësi ndryshe

Caritasit Dioqezan i Sapës në kuadrin e Krishtlindje, ka organizuar Panairin me punime të realizuara nga duart e Personave me Aftësi Ndryshe. Aktivitet i përvitshëm ngjalli interes të madh, përmes së cilës promovohen vlerat shpirtërore dhe sociale të këtyre personave. Në ceremoninë e hapjes të pranishëm vetë aktorët e panairit, Imzot Kulli, stafi i Caritasit, intelektualë të fushave të ndryshme. ky aktivitet u nderua edhe me pjesëmarrjen e Zonjës së Parë të Shqipërisë, znj. Amanda Bega

R.SH. / Vatikan

Caritasit Dioqezan i Sapës në kuadrin e përgatitjes shpirtërore për Krishtlindje, mes tjerash, ka organizuar në Vau Dejës Panairin me punime të mrekullueshme realizuar nga duart e Personave me Aftësi Ndryshe. Ky aktivitet i përvitshëm ngjalli interes të madh, përmes së cilës promovohen vlerat shpirtërore dhe sociale të këtyre personave, që janë vlerë e shtuar e shoqërisë shqiptare. Në ceremoninë e hapjes të pranishëm vetë aktorët e këtij panairi, ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, stafi i Caritasit,  intelektualë të fushave të ndryshme. Ky aktivitet u nderua edhe me pjesëmarrjen e Zonjës së Parë të Shqipërisë, znj. Amanda Bega, e cila e vlerësoi shumë këtë event që këto persona zhvillojnë tashmë prej vitesh në Dioqezën e Sapës. Nga Vau Dejës njofton Violeta Marashi:

Nga Vau Dejës njofton Violeta Marashi:

PANAIRI I PUNIMEVE NGA PERSONAT ME AFTËSI NDRYSHE

Dhjetori, muaji i festave tashmë përveç festës së mrekullueshme të Krishtlindjes, ofron edhe një sërë aktivitetesh të Caritasit Dioqezan Sapë, si parapërgatitje për këtë kohë të shenjtë e të gëzueshme. Një ndër to ishte dhe Panairi i punimeve të mrekullueshme nga duart e Personave me Aftësi Ndryshe, zhvilluar nën kujdesin e veçantë të Caritasit.

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm vetë aktorët e këtij panairi, Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, stafi i Caritasit, meshtarë e motra, kryetari Bashkisë Vau Dejës z. Kristjan Shkreli si dhe intelektualë të fushave të ndryshme.

Ndryshe nga herët e tjera, ky aktivitet u nderua edhe me pjesëmarrjen e Zonjës së Parë të Shqipërisë, znj. Amanda Bega, e cila e vlerësoi shumë këtë event që këto persona zhvillojnë tashmë prej vitesh në Dioqezën e Sapës.

Ky aktivitet i përvitshëm ngjalli interes të madh, përmes së cilës promovohen vlerat shpirtërore dhe sociale të këtyre personave. Gjatë ceremonisë së hapjes së panairit, në fillim iu uroj mirëseardhjen Drejtori i Caritasit, z. Nikolin Lekaj, i cili falenderoi të pranishmit dhe gjithë njerëzit vullnetmirë që tregojnë kujdesin dhe dashurinë humane për personat me aftësi ndryshe. Në mënyrë të veçantë ai falenderoi bariun e kësaj dioqeze, Imzot Simonin, i cili me mbështetjen e tij personale dhe institucionale është shtylla kryesore ku personat me nevoja të veçanta ndjehen të vlerësuar e të realizuar në vetvete

Edhe vetë Imzot Simoni, gjatë fjalës së tij, “vlerësoi shumë punën dhe misionin bamirës që Caritasi bashkë me ndihmën e vullnetarëve të tij, krijojnë duke mbështetur këtë shtresë që kanë nevojë për qendrën e vëmendjes.  Dhe ne mundohemi që të jemi shpresë për ata që ju mungon shpresa; dashuri për ata që ju mungon dashuria; duar për ata që nuk kanë duar; këmbë për ata që nuk kanë këmbë, duke e realizuar këtë edhe me vepra. E të gjithë së bashku, vendi jonë, Shqipëria jonë duhet ta dëshmojmë përmes dashurisë dhe përkujdesjes afër atyre që kanë nevojë, dhe të shihet ngrohtësia dhe afërsia e të gjithëve ndaj më nevojtarëve që kanë nevojë për buzëqeshjen tonë.

Po kështu edhe Kryetari i Bashkisë, z. Kristjan Shkreli, vlerësoi punën e Dioqezës së Sapës që gjithmonë gjendet pranë shtresave me nevoja të veçanta, ndërsa ofroi edhe bashkëpunimin ndërinstitucional për këtë kategori.

Në panair u shfaqen punime të ndryshme si piktura nga më të ndryshmet, betleme dhe punime të tjera në tjegull dhe me qira, një punë kjo e demonstruar, e konkretizuar  dhe përqafuar me dashuri nga personat me aftësi ndryshe.

Violeta Marashi

11 dhjetor 2023, 13:05