Çelësi i fjalëve të Kishës: absolutizimi i vetvetes s'është liri
R.SH. – Vatikan
Ç’është liria? Si mund të jemi të lirë? – i pyeste seminaristët e Romës Papa Benedikti XVI, më 2009. Shën Pali – u shpjegonte ai – na ndihmon ta kuptojmë këtë realitet të ndërlikuar që është liria, duke e futur këtë koncept në një kontekst këndvështrimesh antropologjike dhe teologjike themelore. Ai thotë: “Kjo liri të mos bëhet pretekst për të jetuar sipas mishit, por përmes bamirësisë, të jeni në shërbim të njeri-tjetrit”. Nuk thotë “trup”, por “mish” e, në gjuhën e Shën Palit apostull, kjo është shprehje e absolutizimit të vetvetes, e cila dëshiron të jetë gjithçka e të marrë gjithçka për vete.
Si përfundim, “Uni” absolut, që nuk varet nga asgjë dhe nga askush, duket sikur e zotëron me të vërtetë lirinë. Jam i lirë, nëse nuk varem nga askush, nëse mund të bëj ç’të dua. E, pikërisht ky absolutizim i vetvetes është “mishi”, për të cilin flet Shën Pali, pra, degradimi i njeriut e jo fitimi i lirisë: libertizmi nuk është liri, përkundrazi, është dështim i lirisë.
Shën Pali merr guximin të propozojë një paradoks të fuqishëm: “Përmes bamirësisë a dashurisë, shërbeni” (nga greqishtja: douléuete); pra, liria realizohet paradoksalisht përmes shërbimit; bëhemi të lirë, nëse i shërbejmë njëri-tjetrit. E kështu, shën Pali e sheh gjithë problemin e lirisë në dritën e së vërtetës mbi njeriun. Kur e ulim veten tek “mishi”, në dukje, duke u lartuar në rangun e ndonjë hyjnie – “Vetëm unë jam burrë!” – jetojmë në gënjeshtër.
Sepse, në të vërtetë, nuk është kështu: njeriu nuk është absolut, gati sikur të mund të izolohej e të sillej vetëm sipas vullnetit të vet. Kjo është kundër së vërtetës së ekzistencës sonë. E vërteta jonë është se, pikësëpari, jemi krijesa, krijesa të Zotit dhe jetojmë në marrëdhënie me Krijuesin. Jemi qënie relacionale. Vetëm duke e pranuar se jemi njerëz në marrëdhënie me të tjerët e me Zotin, jemi në gjendje të hyjmë në të vërtetën, përndryshe, biem në gënjeshtër e, së fundi, në të, shkatërrojmë vetveten.