Çelësi i fjalëve të Kishës: e vërteta nuk i braktis njerëzit

Vijojmë ciklin me meditimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Sot, zgjodhëm mendimet e Joseph Ratzinger nga enciklika e tij “Caritas in veritate”, që mban datën e 29 qershorit 2009

R.SH. – Vatikan

Dashuria në të vërtetën, dëshmuar nga Jezu Krishti me jetën e tij tokësore e, sidomos, me vdekjen dhe ringjalljen e tij, është forca kryesore shtytëse për zhvillimin e vërtetë të çdo njeriu dhe për atë të njerëzimit mbarë – shkruan Benedikti XVI në enciklikë. - Dashuria – “caritas” – është forcë e jashtëzakonshme, që i nxit njerëzit të impenjohen me guxim e bujari në fushën e drejtësisë e të paqes. Është forcë, që e ka zanafillën në Zotin, Dashuri e amshuar dhe e Vërtetë absolute. Secili – vijon Papa gjerman – e gjen të mirën e vet duke e pranuar planin, që Zoti ka për të e duke e realizuar plotësisht: vërtet, në atë plan, njeriu gjen të vërtetën e vet dhe duke e pranuar atë të vërtetë, bëhet i lirë (shih Gjn 8,32).

Ta mbrosh të vërtetën, ta propozosh atë me përvujtëri e bindje dhe ta dëshmosh në jetë janë të gjitha forma tejet kërkuese dhe të pazëvendësueshme të dashurisë. Në fakt, dashuria “i gëzohet së vërtetës” (1 Kor 13,6) – citon Papa Ratzinger, Letrën e parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve. – Të gjithë njerëzit e ndiejnë impulsin e brendshëm për të dashur vërtetësisht: dashuria dhe e vërteta nuk i braktisin kurrë krejtësisht, sepse janë thirrja e vendosur nga Hyji në zemrën dhe në mendjen e çdo njeriu.

Jezu Krishti e purifikon dhe e liron nga mjerimet tona njerëzore kërkimin e dashurisë dhe të së vërtetës. Ai na zbulon plotësisht nismën e dashurisë dhe projektin për jetën e vërtetë, që Zoti ka përgatitur për secilin prej nesh. Në Krishtin, “dashuria në të vërtetën” bëhet Fytyra e Vetjes së tij, thirrje për ne që t’i duam vëllezërit në të vërtetën e planit hyjnor. Ai vetë, në fakt, është e Vërteta (shih Gjn 14,6) – thekson Benedikti XVI, duke përmendur kreun 14 të Ungjillit sipas Gjonit.

14 dhjetor 2023, 09:07