Çelësi i fjalëve të Kishës: Familja Shenjte e ideali familjar
R.SH. – Vatikan
Të dielën, më 31 dhjetor, është dita e fundit e vitit, por është edhe e diela e parë pas Krishtlindjes, në të cilën Kisha Katolike kremton festën e Familjes Shenjte të Nazaretit. Cili është përfytyrimi që kemi për këtë familje, në krahasim me familjet e sotme? Na duket tepër e përsosur kur shohim problemet, që mundojnë çiftet e nganjëherë, edhe i ndajnë? Për të mos folur për marrëdhëniet e sëmura, që kanë çuar e çojnë në vrasjen e grave e vajzave, në faqet e para të gazetave, kohët e fundit. Përse Familja e Nazaretit merret si shembull për t’u ndjekur?
Ç’thonë Ungjijtë
Nëse lexojmë Ungjillin sipas Mateut e atë sipas Lukës, Familja Shenjte është gjithnjë në lëvizje. Shën Mateu ungjilltar na tregon se pas lindjes së Jezusit, të tre largohen nga Betlehemi, në jug të Izraelit, për të shkuar në Egjipt. Prej andej, kthehen sërish në Tokën Shenjte, por në veri, në Nazaret. Shën Luka sqaron se çifti shkoi nga Nazareti në Betlehem, pak para lindjes së Jezusit, për t’u kthyer në shtëpi pas paraqitjes së tij në tempullin e Jerusalemit. Duke pasur parasysh distancat e kohën, që u duhej karvaneve për t’i përshkuar ato, si edhe faktin e pohuar nga ungjilltari për lëvizjen e të treve gjatë Pashkëve, kur shkonin çdo vit në Jerusalem, mund të llogarisim se kjo familje ishte në udhëtim një muaj në vit. Kur Jezusi mbushi 12 vjeç, shtegtimi qe edhe më i gjatë: dy ditë më shumë ecje në këmbë e tri ditë, gjatë të cilave e kërkuan atë nëpër rrugët e Jerusalemit. Episodi nxjerr në pah ndërthurjen e lëvizjes me emocionet: rrugët e përshkuara nga çifti në gjurmët e Jezusit dhe "ankthin" (Lk 2,48) për zhdukjen e tij. Nuk mund të mohohet: kur erdhi në botë, Shëlbuesi vuri në lëvizje këdo, që iu ndodh pranë, si fizikisht, ashtu edhe shpirtërisht. Vështirë të qëndrosh pa lëvizur krah një njeriu të tillë.
Familje në lëvizje
Kjo lëvizje shprehet në Ungjill me një sërë foljesh: nisen, ngrihen, ikin, strehohen, banojnë... e, edhe me një sërë emrash gjeografikë: Betlehem, Egjipt Nazaret. Ajo që e motivon dhe e vë në lëvizje Familjen Shenjte është gjithmonë një nevojë tejet e ndierë, një çekuilibër i shkaktuar nga diçka që, duke munguar, tërheq. Pa këtë mungesë dhe zbrazëti, nuk do të kishte lëvizje. Pikërisht si dy enë komunikuese: për të krijuar një lloj rrjedhe, një rrymë, njëra enë duhet të jetë bosh, ose më pak e mbushur se tjetra. Një sistem krejtësisht i ekuilibruar do të ishte i qëndrueshëm, por i amullt. Familja nga Nazareti udhëton për në Egjipt, sepse i mungon siguria dhe paqja; lëviz çdo vit drejt tempullit të Jerusalemit, sepse i mungon Zoti; Jozefi dhe Maria kërkojnë nëpër Qytetin e Shenjtë, sepse kanë humbur të Birin.
Ideali i familjes
Shpesh (edhe në Kishë) paraqitet si ideal i marrëdhënieve brenda çiftit dhe i atyre prindër-fëmijë një model tepër i “ekuilibruar”, “i ngopur” i familjes, ku nuk lëviz asgjë e gjithçka shkon për mrekulli. Në një situatë të tillë, nuk e humbasim kurrë njëri-tjetrin, pasi brenda këtij lloji familjeje nuk ka as mungesa, as boshllëqe dhe çdo lloj lëvizjeje i vihet fre, sikur të ishte simptomë e mosfunksionimit të marrëdhënieve. Por, në të vërtetë, marrëdhëniet familjare kanë kuptim kur e kërkojmë gjithnjë njëri-tjetrin; rrallë ndodh ta gjejmë njëri-tjetrin. Një familje e vërtetë (aq reale sa ajo e Nazaretit) jeton të Dielën e takimit të qëndrueshëm e paqësor, por edhe gjashtë ditët, gjatë të cilave lëviz, sepse i mungon diçka. E kjo diçka shprehet me gjuhën e nevojave, të dëshirave, të keqkuptimeve, të distancave, të humorit, që nuk përkon me atë të tjetrit...
Ftesë për të lëvizur
Aktualisht, ideali i një familjeje të amullt, të palëvizshme, pra, pa probleme, mbështetet nga një shoqëri dhe nga një model tregu, që e konsiderojnë ndjenjën e mungesës si dështim apo faj. Për këtë arsye, bëjnë ç’është e mundur që njerëzve t’u plotësohet çdo dëshirë gjatë 24 orëve të të gjitha ditëve të javës, duke u përpjekur të mbushin menjëherë boshllëqet e mungesat dhe duke shuar kështu, edhe dëshirat...e të gjitha llojeve. Vërtet, dëshira është lëvizje, për shkak të mungesës. Vetë origjina e fjalës - "de-sidus" - do të thotë "vjen nga qielli", por edhe "në mungesë të qiellit", "në mungesë të yjeve", duke përshkruar kështu gjendjen e marinarëve të Mesdheut në lashtësi, të detyruar të kërkonin pika referimi kur lundronin gjatë natës, nën një qiell të mbuluar me re e, për rrjedhojë, pa yje.
Familja Shenjte, e cila merret si shembull për familjet e kësaj bote, por vetëm kur nuk kanë probleme, në të vërtetë, nuk është aspak pa probleme. Përkundrazi, e shtyrë për t’i zgjidhur problemet nga mangësi, si të mira, ashtu edhe tejet të këqija, na inkurajon t'i konsiderojmë boshllëqet e marrëdhënieve brenda çiftit, me të cilat haset jo rrallë familja njerëzore, jo si sëmundje në lidhjet bashkëshortore, por si sinjale të fiziologjisë së tyre të përsosur, që natyrshëm, e trondisin dhe e nxisin të kërkojë një zgjidhje, për ta gjetur sërish njëri-tjetrin, edhe kur problemet duken të pakapërcyeshme.