Kërko

 Nativita, Herrad von Landsberg, Hortus Deliciarum, 1180 ca. Nativita, Herrad von Landsberg, Hortus Deliciarum, 1180 ca.

Kshnellat apo Kërshëndellët

Kshnella a Kërshëndellat zëvendësuan festën e moçme të Natës së Buzmit, trashëguar që prej kohëve të lashta. Buzmi, simbol i jetës së re, i kthimit të motit kah pranvera, u bë simbol i Hyjnisë që lind, i Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Ç’kuptim ka fjala Kshndellë apo Kërshëndellë

Sipas Profesor Eqrem Çabejt* fjalën Kërshëndellë, Mikloshiçi e Majeri e nxirrnin nga latinishtja: “Christi Natalia”, ndërsa Atë Gjergj Fishta na e shpjegon këtë fjalë me mjetet e shqipes: Krisht – këndellë “Këndellja e Krishtit”- e Atë Bernardin Palaj e quan Sh’ Kndella, që do të thotë këndellje apo përtëritje e çdo gjëje. Gjithsesi ndikimi i emrit Krisht me etimologji popullore nuk mund të mohohet. Për herë të parë fjala përdoret në veprën e Buzukut “mbas Kreshendellsh”; Budi e përdor në trajtën “Natecë Kërshëndellesë”.

Pra fjala “Kshenellë” do të thotë “të lemit e Krishtit”.

Në Jug të Shqipërisë, sipas Hahnit, Kërshëndellat janë gjashtë javët e kreshmëve që para Kërshëndellave e deri te Teofania. Fjala Krishtlindje, që përdoret sot rëndom për kremtimin e lindjes së Krishtit, pas gjase është një përkthim, një kalk i ri i fjalës greke.

Cila është tradita e lashtë shqiptare e festës?

Kshnellat a Kërshëndellat zëvendësuan festën e moçme të Natës së Buzmit, trashëguar që prej kohëve të lashta. Buzmi, simbol i jetës së re, i kthimit të motit kah pranvera, u bë simbol i Hyjnisë që lind, i Krishtit. Krishti vjen për t’i dhënë fund së vjetrës e të gjithë të këqijave të saj. Krishti rrafshon të vjetrën. E nisë jeta me urimin e së resë: me gjeth e me bar, me kingja e me tambël të bardhë, me shpresë për një të ardhme më të mirë. Poeti dom Prenkë Ndrevashaj i këndon kështu në poemthin “Buzmi”**:

Ushton flaka lakmueshëm e i përqafet

Njanit unak herë tjetrit,

Si Foshnja Ejllore;

Rroket me zemra të përgjumshme

e u uron kënaqe e bekim!”

Kështu, festa pagane e buzmit u kristianizua dhe në Shqipëri; që shumë kohë para pushtimit otoman, u kremtua festa e madhe: lindja e Zotit tonë Jezu Krishtit që, siç shkruan dom Ndrevashaj, nuk harron me u ndalë çdo vjetë mes rranxave të vetmueme:

 “O Natë e bardhë, me shekuj tu bame flí

 te këto rranxa të vetmueme, në luftë me jetë,

 E me duhma t’ortekut ktu për bri!

 Veç ti s’harron me u ndalë te na çdo vjetë!”**

_____________________________

 * Çabej “Studime Gjuhësore” Rilindja, Prishtinë, 1976, fq.280

** Don Prenkë Ndrevashaj “ Buzmi”, “Hylli i Dritës” 1-2, Tiranë, 1994 fq. 65-66.

24 dhjetor 2023, 19:14