COP28 në Dubai COP28 në Dubai

COP28: SECAM bën thirrje për reagim urgjent, siç kërkon Papa Françesku

Ndërsa COP28 vijon punimet në Dubai, përfaqësuesi i SECAM-it u kërkon delegatëve të ndjekin udhëzimet e Papës Françesku për t’iu përgjigjur ndryshimeve të klimës, duke theksuar rolin e Kishës në mbrojtjen e drejtësisë

R.SH. – Vatikan

SECAM-i (Simpoziumi i Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës dhe Madagaskarit) prononcohet për Konferencën e Klimës, COP28, që vijon në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe. Kujtojmë se Papa Françesku duhej të shkonte në këtë Takim të rëndësishëm nga 1 deri më 3 dhjetor, por nuk mundi, për shkak të gjendjes shëndetësore. Fjalën e tij e mbajti Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Pikërisht rekomandimeve të Papës në Nxitjen e re apostolike “Laudate Deum” u referohet SECAM-i në thirrjen drejtuar Konferencës, ku vihet në dukje se asgjë nuk është bërë pas mbledhjes së fundit për klimën, COP27.

Në një pronocim në Dubai, Át Jean Germain Rajoelison, zv.drejtori i Komisionit të Drejtësisë, Paqes dhe Zhvillimit në SECAM, nënvizoi nevojën që kjo konferencë të arrijë rezultate të zbatueshme dhe të detyrueshme për të gjithë.

Për viktimat e ndryshimeve klimatike

Një nga fushat, që ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme, theksoi ai, është ulja e emetimeve të karbonit, sidomos për rajonet më në rrezik si Madagaskari.

"Madagaskari, veçanërisht jugu i tij, është viktimë e thatësirës" vuri në dukje Át Rajoelison.

Zv.drejtori tërhoqi vëmendjen ndaj përpjekjeve të disa vendeve të zhvilluara, të cilat janë treguar të gatshme të mbështesin kombet më të varfra, duke pasur parasysh konceptin e drejtësisë klimatike. "Për ne, drejtësia klimatike është e rëndësishme," pohoi Át Rajoelison. "Duhet ta përqendrojmë vëmendjen tek ata njerëz, që janë viktima të ndryshimeve të klimës". Ai kërkoi që kjo të bëhet, duke u bërë jehonë ideve të Papës Françesku për kthesën ekologjike dhe për ndryshimin e qëndrimit e të mënyrës së të menduarit për ambientin.

Roli i Kishës

Át Rajoelison foli edhe për rolin kritik të Kishës në mbrojtjen e viktimave të ndryshimit të klimës, që nuk kanë zë në sferën publike. “Konferencat rajonale në Afrikë dhe laikët e përkushtuar impenjohen aktivisht në sensibilizimin e njerëzve për këtë çështje”, theksoi ai, duke nxjerrë në pah punën e Kishës për promovimin e të drejtave të njeriut dhe lehtësimin e varfërisë. "Kisha Katolike, nëpërmjet Komisionit të Drejtësisë dhe Paqes, është zëri i të pazëve", pohoi Át Rajoelison.

I pyetur për përfaqësimin e Afrikës në COP28, zv.drejtori i Komisionit të Drejtësisë, Paqes dhe Zhvillimit në SECAM shprehu optimizmin e tij, duke nënvizuar se "vendet afrikane mund të solidarizohen ndërmjet tyre për të krijuar një botë të re në kontinent, ku të mbretërojnë drejtësia, paqja dhe vëllazërimi".

05 dhjetor 2023, 10:50