Diocesi di Sapa per il Natale Diocesi di Sapa per il Natale

Dioqeza e Sapës në përgatitje shpirtërore për Krishtlindje

Kisha dioqezane e Sapës vazhdon përgatitjen shpirtërore për kremtimin e Krishtlindjes me një atkosferë të bukur e me aktivitete të larmishme të organizuara këtyre ditëve nga Caritasi Dioqezan

R.SH. / Vatikan

Kisha dioqezane e Sapës vazhdon përgatitjen shpirtërore për kremtimin e Krishtlindjes me një atkosferë të bukur e me aktivitete të larmishme të organizuara këtyre ditëve nga Caritasi Dioqezan. Po më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim njoftimin e Violeta Marashit:

Nga Vau-Dejës të ndjekim njoftimin e Violeta Marashit

KREMTIMET E AKTIVITETEVE TË KRISHTLINDJES

Ndërsa po i afrohemi festës së madhe të Krishtlindjes, Dioqeza e Sapës po gëzon në atmosferën e bukur shpirtërore që ofron koha e ardhjes me lutjet e përshtatshme.  Një mundësi më shumë për ta përqafuar këtë kohë të shenjtë, ishin edhe aktivitetet e njëpasnjëshme të organizuara këto ditë nga Caritasi Dioqezan.

Siparin e këtyre aktiviteteve e hapi Darka e Bamirësisë, ku shumë persona të zonës që gëzojnë një status të mirë ekonomik, ju përgjigjen ftesës së Caritasit për t’u bashkuar në këtë darkë vëllazërore përmes së cilës dhuruan edhe kontributin e tyre financiar për shtresat e varfëra, që Dioqeza përmes Caritasit kujdeset duke iu ardhur në ndihmë sipas nevojave të ndryshme që ato kanë, dhe për të zbutur sadopak problemet ekonomike dhe sociale që shumë familje po përballen çdo ditë me to.  

Tjetër event ishte edhe Takimi tradicional me Personat me Aftësi Ndryshe, që i paraprin festës së madhe të Lindjes së Shpëtimtarit të botës, Jezu Krishtit. Përmes kremtimit të Meshës Shenjte të udhehequr nga Ipeshkvi i vendit, Imzot Simon Kulli, dhe drekës vëllazërore ofruar nga Caritas Sapa, të gjithë këto persona gëzuan së bashku dhe jetuan momente hiri dhe shprese në familjen dioqezane të Sapës.

E për ta përmbyllur këtë periudhë aktivitetesh u organizua edhe Koncerti Tradicional i Krishtlindjes në Katedralen “Shën Tereza e Kalkutës”, në të dielen e tretë të Kohës së Ardhjes që shënon dhe Ditën e Caritasit, ditën e bamirësisë. Ky koncert ofruar enkas për mbarë besimtarët e Dioqezës së Sapës, pati një prani të kënaqshme nga ana e pjesëmarrëve.

Mes tingujve që dhuruan kori Dioqezan i Sapës, drejtuar nga fra Giuseppe Lanzelloti,  Kori Vox Iuvenum, drejtuar nga z. Harlen Nikolla, dhe artistave z. Zef Ndoja dhe z. Ivan Tanushi, krijuan një mbrëmje mjaft festive duke marrë me vete edhe urimin e bariut të kësaj grigje, Imzot Simonit, për këtë Krishtlindje, që secilit le t’i ngrohet zemra me dashuri e ta takojë Foshnjen Hyjnore, Krishtin Jezus në atmosferën e ngrohtë të familjes.

Violeta Marashi

19 dhjetor 2023, 15:34