Kërko

Kryqi- Feja Kryqi- Feja 

Dosja Fides: 20 misionarë të vrarë gjatë vitit, numri më i lartë në Afrikë

Kontinenti afrikan regjistroi numrin më të madh të meshtarëve, besimtarëve, katekistëve, duke përfshirë laikë, të vrarë në vitin 2023, në shumë raste viktima rrëmbimesh ose aktesh terrorizmi, të përfshirë në të shtëna apo dhunë të llojeve të ndryshme.

R.SH. / Vatikan

Misionarët e vrarë: jetë që shkëlqejnë si shkëndija në skenën botërore. Ata nuk kryen asnjë veprim të bujshëm apo të jashtëzakonshëm. Çka i karakterizon 20 misionarët e vrarë në vitin 2023, është jeta e tyre normale, e jetuar në kontekste varfërie ekonomike dhe kulturore, degradimi moral dhe mjedisor, ku nuk ka respekt për jetën dhe të drejtat e njeriut, por  shpesh vetëm shtypje dhe dhunë.

Normaliteti i jetës dhe dëshmia ungjillore

Edhe këtë vit 2023, të dhënat e publikuara nga agjensia Fides, redaktuar nga Stefano Lodigiani, flasin për jetë të zakonshme të shkurtuara në dëshminë e thjeshtë, të përditshme ungjillore të barinjve, katekistëve, punonjësve të kujdesit shëndetësor, animatorëve të liturgjisë dhe bamirësisë. Lista përfshin 1 ipeshkëv, 8 priftërinj, 2 besimtarë jopriftërinj, 1 seminarist, 1 fillestar dhe 7 laikë dhe gra.

2 misionarë më shumë të vrarë se në 2022

Krahasuar me vitin e kaluar, 2 misionarë të tjerë u vranë, por siç na kujton Fides, të dhënat e përpiluara mbeten të hapura për përditësime dhe korrigjime. Numri më i madh është regjistruar në Afrikë, ku janë vrarë 9 (5 priftërinj, 2 fetarë, 1 seminarist, 1 fillestar). Ndjekur nga Amerika me 6 viktima (1 ipeshkëv, 3 priftërinj, 2 laikë), Azia me 4 laikë dhe gra të vrara dhe Evropa, me një misionar laik.

Takimi pa faj me vdekjen

Të gjithë u vranë pavarësisht se ishin të pafajshëm: viktima rrëmbimesh ose aktesh terrorizmi, të përfshirë në të shtëna apo dhunë të llojeve të ndryshme. Duke nisur nga meshtarët, që po shkonin të kremtonin Meshën e të kryenin aktivitete baritore në disa bashkësi të largëta, si Don Jacques Yaro Zerbo, i vrarë nga njerëz të armatosur të paidentifikuar, në rajonin Boucle du Mouhoun, në Burkina Faso; për të vijuar me sulmet e armatosura të kryera përgjatë rrugëve të frekuentuara ose sulmeve kundër rektorive dhe manastireve, ku misionarët ishin të angazhuar në punën për  ungjillizimin, bamirësinë dhe promovimin njerëzor. Kështu ndodhi me Don Stephen Gutgsell, i therur me thikë në rektoratin e kishës së Fort Cahloun në Nebraska (SHBA).

Nga Meksika vjen dëshmia e katekistëve të rinj Gertrudis Cruz de Jesús dhe Gliserina Cruz Merino, të vrarë në shtetin e Oaxaca-s në një pritë ndërsa po shkonin për një procesion Eukaristik. Nga Palestina vjen lajmi i fundit të Samar Kamal Antonit dhe nënës së saj, Nahida Khalil Anton, e goditur nga snajperët teksa po ecnin drejt manastirit të murgeshave të Nënë Terezës, në Gaza. Me gra të tjera katolike dhe ortodokse ata ishin të angazhuar në një udhëtim feje dhe apostullimi, veçanërisht në favor të të varfërve dhe të paaftëve. Dosja Fides përfshin edhe Evropën, e pikërisht Spanjën, ku Diego Valencia, laik, sakristan i famullisë së Nuestra Senora de La Palma, në Algeciras, në provincën e Cadiz, u ther nga një i ri maroken i armatosur me hanxhar, i cili përveç tij, plagosi edhe njerëz të tjerë.

Martirë të fesë dhe të shpresës

Ishin gra dhe burra të fesë, që mund të kishin shmangur vdekjen duke u zhvendosur në vende më të sigurta ose duke hequr dorë nga angazhimet e tyre të krishtera. Po ata zgjodhën ndryshe. U ndërgjegjësuan për rrezikun që përballonin çdo ditë. Naivë në sytë e botës, ishin dëshmitarë autentikë të vëllazërisë dhe shpresës, falë të cilave Kisha dhe bota ecin përpara.

Konkretisht, në vitin 2023 në Afrikë, u regjistruan misionarë të vrarë në Nigeri (4), Burkina Faso (2) dhe Tanzani; në Amerikë: në Meksikë (4) dhe në SHBA (2); në Azi: në Filipine (2) dhe në Palestinë (2); në Evropë: në Spanjë (1).

Fruta të pjekura në vreshtin e Zotit

Sipas Fides, ndërmjet vitev 2001 dhe 2022, u vranë 544 punëtorë baritorë. 115 afërsisht në dekadën 1980-1989; 604 ndërmjet viteve 1990 dhe 2000, dekada në të cilën ndodhi gjenocidi i Ruandës, i cili shkaktoi të paktën 248 viktima në mesin e personelit kishtar. “Martirët – tha Papa – nuk duhen parë si heronj që vepruan individualisht, si lulet që lulëzojnë në shkretëtirë, por si fruta të pjekura dhe të shkëlqyera të vreshtit të Zotit, që është Kisha”.

Dosja Fides nuk ka të bëjë vetëm me misionarët ad gentes në kuptimin e ngushtë, por merr në konsideratë të gjithë njerëzit e pagëzuar të përfshirë në jetën e Kishës që vdiqën në mënyrë të dhunshme, edhe kur kjo nuk ndodh shprehimisht "në urrejtjen ndaj fesë". “Për këtë arsye - lexojmë në raport - ne preferojmë të mos përdorim termin martirë, përveç kuptimit etimologjik të dëshmitarëve, për të mos hyrë në gjykimin që Kisha mund të japë për disa prej tyre duke i propozuar, pas një ekzaminimi të kujdesshëm, për lumturim ose kanonizim”.

Mjetet e planit shpëtimtar të Zotit

Lista e Fides përdor termin "misionar" për çdo të pagëzuar, sepse siç shkruhet nga Papa Françesku në Nxitjen Apostolike Evangelii gaudium, "çdo i pagëzuar është subjekt aktiv i ungjillizimit". "Edhe sot - tha Papa në Engjëllin e 26 dhjetorit, në festën e Shën Stefanit, protomartir - ka  shumë nga ata që vuajnë dhe vdesin për të dëshmuar Jezusin. Fara e flijimeve të tyre, mbin e jep fryt, sepse Zoti, përmes tyre, vazhdon të bëjë mrekulli, t’i ndryshojë zemrat dhe t’i shpëtojë njerëzit".

30 dhjetor 2023, 14:31