Fëmijët në Çisjordani: është Krishtlindje, pavarësisht nga lufta
R.SH. - Vatikan
Asnjë shenjë e jashtme e Krishtlindjes këtë vit në Bregun Perëndimor. Duke iu përmbajtur ftesës për maturi të krerëve fetarë të Tokës së Shenjtë drejtuar priftërinjve, regulltarëve dhe të gjithë besimtarëve, në shenjë solidariteti ndaj atyre që vuajnë nga konflikti i vazhdueshëm në Rripin e Gazës, nuk do të ketë zbukurime, as ëmbëlsira e as dhurata të shpërndara rrugëve.
Thjeshtësi e detyruar edhe për shumë familje në situata të pasigurta për shkak të mungesës së shtegtarëve në Viset Shenjte: ekonomia e shtegtimeve është në krizë që prej 7 tetorit. Por Krishti do të lindë përsëri e Lindja e Tij do të sjellë rishtas gëzimin dhe domethënien e solemnitetit: përvujtërinë e Birit të Zotit në grazhdin e Betlehemit. Në famullinë e Lajmërimit të Zojës të Ain Arik, pranë Ramallah, famullitari, Firas Abedrabbo e zbukuroi kishën e tij me një skenë të lindjes së Krishtit dhe një bredh, për t'i mbledhur fëmijët dhe për t'i ngushëlluar në këtë çast të veçantë shqetësimi në rritje. E pyetëm:
At Firas Abedrabbo, situata në Bregun Perëndimor, në Izrael dhe Rripin e Gazës është jashtëzakonisht e ndërlikuar. Në këtë kontekst, si mund t'i ndihmojmë fëmijët të përgatiten për Krishtlindje?
Kjo sigurisht nuk është Krishtlindje si të tjerat. Veprimtaritë festive janë pakësuar ndjeshëm. Nuk do ta dekorojmë pjesën e jashtme, për të mos krijuar përshtypjen se nuk jemi solidarë me gjithçka që ndodh rreth nesh. Por për fëmijët - e diskutuam në famulli me këshillin - do të bëjmë, si në shumë famulli, një lloj shpërndarjeje dhuratash, një festë të vogël me ta, sepse Krishtlindjet janë ende të rëndësishme për të vegjlit, veçanërisht në këtë situatë. Do të bëjmë aktivitete që na ngrenë pak moralin, me gjithë thjeshtësinë e tyre. Do ta respektojmë situatën, por njëkohësisht do të mbjellim gëzimin, gëzimin e vërtetë të Krishtlindjes, të lindjes së Jezusit, e edhe këtë herë do ta jetojmë si familje, si një familje e vetme”.
Kur rrini me fëmijët, a ju flasin për situatën? Çfarë pyetjesh ju bëjnë?
Bëjnë shumë pyetje, po. Na pyesin: “Po pse duhet të vdesin këta fëmijë? Pse njerëzit hahen kështu me njëri-tjetrin? A do të ndodhë kjo edhe këtu?". Ata vërtetë jetojnë me frikë dhe i bëjnë vetes shumë pyetje, të cilat do t'i përcaktoja si ekzistenciale: habiten për vdekjen, për fëmijët që vdesin, për padrejtësinë, por e shprehin gjithçka me gjuhën e tyre fëminore.
Në këto rrethana, si mund të rrënjosim vlerat e paqes, të dialogut dhe të pajtimit?
Kjo është vërtet sfida për të gjithë priftërinjtë këtu. Ne flasim shumë për këtë. Megjithatë, si mund të ruajmë një këndvështrim të krishterë për situatën dhe të ofrojmë një zgjidhje të krishterë? Sepse është e vërtetë që urrejtja po shtohet nga të katër anët e, bashkë me të, edhe fanatizmi politik e fetar. As ne të krishterët nuk mund të përjashtohemi, sepse nga njëra anë jemi palestinezë dhe nga ana tjetër, të krishterë. Natyrisht ne përpiqemi t'u shpjegojmë fëmijëve tanë se duhet t'i duam të gjithë, se duhet ta duam edhe armikun. Atëhere, natyrisht, ata i bëjnë vetes pyetje edhe më të vështira, si: "Po si mund ta duam izraelitin, që po na vret?". Ne i përgjigjemi se për të krishterët të duash dikënd nuk do të thotë të miratosh gjithçka që bën. Do të thotë të shohësh shëmbëlltyrën e Zotit tek ai dhe ta ndihmosh të shohë hirin e Zotit në vetvete, të lutesh për të, të jesh bamirës, duke shpresuar ta kthesh zemrën e tij”.
Të imagjinojmë se për këta fëmijë perspektivat mund të ndryshojnë në varësi të situatës, e cila megjithatë, përtej luftës që po jetohet, është situatë dhune në themel, pothuajse e përhershme. Cilat janë perspektivat e ardhshme për këta të rinj sot?
“Shumë të rinj mendojnë të emigrojnë për arsye të ndryshme. Kryesisht për shkak të mungesës së lirisë, pasojë e pushtimit izraelit. Por shumë pohojnë se, për fat të keq, nuk shohin asnjë perspektivë paqeje në të ardhmen e afërt. Mendojnë kështu e shpresojnë që fëmijët e tyre, kur të martohen, të mos jetojnë në të njëjtën situatë. Mendojnë të largohen. Por ka edhe shumë që thonë: “Jo, duam të qëndrojmë. Ky është vendi ynë. Kjo është gjendja jonë. Është kultura jonë. Duhet të qëndrojmë këtu”.