IV domenica di Avvento IV domenica di Avvento

Fjala e Zotit e Dielës së 4-të të Ardhjes ‘B’

Krishtlindja tashmë është te dera e Fjala e Zotit na fton të gjithëve të refletojmë për misterin e patregueshëm, që Maria e mbajti nëntë muaj në kraharorin e saj virgjëror, Misterin e Hyjit, që bëhet njeri! Mister i shëlbimit i cili, përveç përmasës historike, ka edhe përmasën e vet kozmike. Krishti është Dielli i hirit të Tënzot që, me dritën e Tij, e shndërron dhe e ndrit universin në pritje.

R.SH. - Vatikan

Në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë, së bashku, Fjalën e Zotit të dielës së 4-të të kohës së Ardhjes, ciklit të dytë të vitit kishtar.

Fjala e Zotit e së Dielës së 4-të të Ardhjes ‘B’

Fjala e Zotit e së Dielës së 4-të të Ardhjes ‘B’

Ungjilli, i dielës së katërt të kohës së Ardhjes, nga Luka na ofron temën e Lajmërimit të Virgjërës Mari nga Engjëlli i Zotit, mister tek i cili kthehemi përsëri çdo ditë, duke thënë uratën e Engjëllit të Tënzot, uratën që na bën ta rijetojmë çastin vendimtar, në të cilin Hyji trokiti në zemrën e Marisë e, si mori ‘po’-në e Virgjërës, nisi të Mishërohej në të e prej saj.

Tashmë në pragun e Krishtlindjes, Fjala e Zotit na fton të gjithëve të reflektojmë për misterin e patregueshëm, që Maria e mbajti nëntë muaj në kraharorin e saj virgjëror, Misterin e Hyjit, që bëhet njeri! Eshtë kjo baza e parë e shpërblimit. E dyta është vdekja dhe ngjallja e Jezusit, e këto dy baza të pandashme, janë shprehje e të vetmit plan të Hyjit: të shpëtojë njerëzimin e historinë e tij, duke marrë plotësisht mbi vete, deri në fund të fundit, të keqen që e shtyp. Mister i shëlbimit i cili, përveç përmasës historike, ka edhe përmasën e vet kozmike. Krishti është Dielli i hirit të Tënzot që, me dritën e Tij, e shndërron dhe e ndrit universin në pritje.

Fjala e Zotit e kësaj së diele, na fton të mësojmë nga Jozefi e Maria të fshehtën e lutjes, për ta shijuar kështu, me fund, gëzimin e pritjes së Jezusit. Të përgatitemi për ta pritur me fe Shëlbuesin e njerëzimit, Mishërimin e Jezu Krishtit, që vjen të rrijë me ne, Fjalë e dashurisë së Hyjit për njerëzimin e të gjithë kohëve.

Duke ndezur qiriun e katërt, në këtë të diel të fundit të kohës së Ardhjes, edhe ne duam të përgatitemi kështu: në fe, në shpresë, në dashuri, në punën e përditshme. Eja shpejt, o Zot! Eja për të na shpëtuar! Eja, O Dritë e vërtetë, Ti që shndrit çdo njeri. Shndriti errësirat tona dhe nuk do të kemi më frikë, sepse, o Jezus, Ti je dritë në rrugën tonë. Bëj që t'ua çojmë dritën tonë vëllezërve tanë. Amen.

                                                                              LITURGJIA E FJALËS

Leximi i pare (2 Sam 7, 1-5.8-12.14.16)

Lexim prej Librit të dytë të Samuelit

Kur mbreti David zuri të banojë në shtëpinë e vet e kur Zoti i dha paqe gjithkund nga armiqtë e tij përreth, i tha Natanit profet: “A po sheh! Unë banoj në pallat prej cedri, ndërsa Arka e Hyjit qëndron e vendosur nën lëkura!” Natani i tha mbretit: “Gjithçka ke në mend të bësh, bëje patjetër, sepse Zoti është me ty.” 
Porse, mu atë natë, Natanit i qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: “Shko e thuaji shërbëtorit tim Davidit: Kështu thotë Zoti: Po a thua ti do të më ndërtosh një shtëpi për të banuar? Tani kështu m’i thuaj shërbëtorit tim Davidit: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë të kam marrë ty prej kullotave ku ruaje grigjat për të qenë prijës mbi popullin tim Izraelin, dhe qeshë me ty gjithkund ngado udhëtove, i zhbiva të gjithë armiqtë e tu para fytyrës sate, dhe emrin tënd e bëra të madh si emrin e të mëdhenjve që janë mbi tokë. Unë do t’ia caktoj popullit tim Izraelit një vend dhe aty do ta ngul dhe do të banojë në të dhe nuk do të endet më prej një vendi në një tjetër. Të mbrapshtit nuk do të guxojnë ta mundojnë më si më parë, prej ditës kur i caktova gjyqtarët mbi popullin tim, Izraelin, dhe do të të jap paqe prej të gjithë armiqve të tu. Edhe Zoti të parakallëzon se Zoti do të ta ndërtojë shtëpinë. Kur të jenë mbushur ditët e tua e të kesh pushuar pranë etërve të tu, do të të ngre një pinjoll tënd pas teje, që do të rrjedhë prej teje, dhe mbretërinë e tij unë do ta bëj të qëndrueshme. Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të jenë përgjithmonë të qëndrueshme para meje. Edhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm për amshim.” Fjala e Zotit! 

Psalmi 89 (88) 
Ref: Zoti është besnik për amshim

_____________ 
Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj,
brez pas brezi goja ime do të shpalle besnikërinë tënde.
Sepse the: “Hiri im qëndron për amshim”,
në qiell është e themeluar besnikëria jote!
_____________ 
“Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim,
i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:
Farën tënde do ta ruaj për amshim,
froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.
_____________ 
Ai do të më thërrasë: ‘Ati im,
Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’
Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën,
Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej.”
_____________ 

Leximi i dytë (Rom 16, 25-27)

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, Atij që mund t’ju forcojë – sipas Ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit, sipas zbulesës së Misterit, të mbajtur fshehur për kohë të amshuara, por tani të shfaqur dhe, me anë të shkrimeve të profetëve, me urdhër të Hyjit të amshuar, të lajmëruar mbarë popujve paganë për t’i sjellë në dëgjesën e fesë – Një të vetmit Hyj, të gjithëdijshmit, i qoftë, nëpër Jezu Krishtin, lavdi në shekuj të shekujve. Amen. Fjala e Zotit!

ALELUJA, Aleluja.
Unë jam shërbëtorja e Zotit: 
Më ndodhtë siç the ti!
Aleluja.

Ungjilli (Lk 1, 26-38) 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës 

Në atë kohë, Hyji i dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, te një virgjër, që ishte e fejuar për një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari. 
Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha: “Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!” 
Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje. 
Por engjëlli i tha: “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit! Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të qitësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit të tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.” 
Atëherë Maria i tha engjëllit: “Si do të mund të ngjajë kjo, ndërsa unë jam virgjër?” 
Engjëlli iu përgjigj: “Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky fëmijë do të jetë i shenjtë – Biri i Hyjit. Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e vet, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!” 
Atëherë Maria tha: “Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!” 
Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj. Fjala e Zotit!

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

Dom Dritan Ndoci: E DIELA IV E ARDHJES: MBRETËRIA E TIJ S’DO TË KETË MBARIM.

2 Sam 7, 1-5. 8-12.14.16; Ps 89 (88); Rom 16, 25-27; Lk 1, 26-38

«Misteri i mbajtur fshehur për kohë të amshuara, por tani i shfaqur... me urdhër të Hyjit!» Kështu e përkufizon Shën Pali sot në leximin e dytë misterin e madh të Mishërimit të Birit të Hyjit. E paraqet me fjalë vërtet solemne. Janë praktikisht rreshtat e fundit të letrës së tij të drejtuar Romakëve dhe prandaj dëshiron t’ua shpallë me “plot gojë” e me solemnitet madhështinë e një misteri të tillë. E, për këtë arsye, rreshti i fundit fare i kësaj letre është: «Një të vetmit Hyj, të Gjithëdijshëm, i qoftë, nëpër Jezu Krishtin, lavdi në shekuj të shekujve! Amen!»

Kështu ishte dashur të bënim të gjithë ne të krishterët: ta lejojmë veten çdo ditë e më tepër të kaplohemi nga misteri i madh i Mishërimit. Meqë jemi brenda Nëntëditëshit të Krishtlindjes dhe tashmë shumë afër Krishtlindjes, tashmë Kisha na vë përpara këto pjesë të Shkrimit Shenjt që flasin drejtpërdrejt për Ardhjen e parë të Birit të Amshuar në historinë tonë njerëzore. Ishte edhe përpara në mes nesh, por ishte «i mbajtur fshehur». «Tani u shfaq.»

Në leximin e parë e dëgjuam se si Hyji e zbulon pjesërisht planin e një misteri të tillë. Hyji merr shkas nga një nismë që kishte dëshirë të ndërmerrte Davidi mbret. Davidi ka bërë plan që të ndërtojë një tempull. Thërret profetin Natan e i thotë: «A po sheh? Unë banoj në pallat prej cedri, ndërsa Arka e Hyjit qëndron e vendosur nën lëkura!» Davidi nuk ia thotë profetit në mënyrë të drejtpërdrejtë planin e tij.

Kjo sepse, të guxoje të filloje ndërtimin e një tempulli, ishte një gjë deri diku e rrezikshme sipas mendësisë së Besëlidhjes së Vjetër, duke qenë se kështu tregohej tepër guxim e krenari përballë shenjtërisë së pakufi të Hyjit. Profeti Natan fillimisht e lejon të vazhdojë me atë që ka ndërmend, por pastaj vetë Hyji e porosit profetin «mu atë natë» që t’i thotë Davidit të heqë dorë nga një qëllim i tillë. Do të ishte një tjetër, pas Davidit, ai që do ta ndërtonte jo thjesht tempullin, por do të kishte edhe një Mbretëri të qëndrueshme: «Do të ngre një pinjoll tënd pas teje... dhe mbretërinë e tij unë do ta bëj të qëndrueshme».

 

Kur mbreti Salomon, i biri i Davidit, ndërtoi tempullin e Izraelit, të gjithë menduan se për të paska qenë thënë ajo profeci. Por do të vinte koha e tempulli do të shkatërrohej. Jo vetëm tempulli, por edhe vetë mbretëria e dinastisë së Davidit do të shpërbehej. Kjo sidomos për shkak të krenarisë së vetë mbretërve, që i sollën popullit një mijë të zeza.

Po atëherë, ku shkoi premtimi i Hyjit? Ku shkoi ajo që thotë psalmi: «Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim, / i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim: / Farën tënde do ta ruaj për amshim, / froni yn do të qëndrojë brez pas brezi».

Vetëm tani e kuptojmë madhështinë e fjalëve që Virgjëra Mari dëgjon prej gojës së engjëllit Gabriel, kur ky i paralajmëron lindjen e Jezusit: «Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit të Tejetlartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim». Si hebreje e mirë dhe e mësuar me Shkrimin Shenjt (një traditë e hershme thotë se Maria qysh në moshën trivjeçare qe dërguar e lënë të rritej në tempull), Maria e kupton se ndodhet përballë realizimit të një plani të paralajmëruar me kohë nga Hyji.

Pra, profecia e thënë Davidit, paska qenë thënë në lidhje me Jezusin, Birin e Hyjit të bërë njeri. Jezusin, në fakt, do ta quajnë edhe Biri i Davidit, duke qenë se mendohej se ishte biri i Jozefit e, Jozefi, vinte nga fisi i Davidit. Kështu, kuptojmë se Jezusi ishte e nuk ishte Biri i Davidi

Ishte sepse Jozefi do të bëhej kujdestari besnik i Jezusit dhe i Marisë. Jozefit, Hyji i kishte kërkuar të ishte átë në shpirt. Një fli e vërtetë kjo për Jozefin, por, po ta jetonte në fe, do ta bënte atë të kuptonte se, në fund të fundit, çdo fëmijë që vjen në këtë botë, është “pronë” e Hyjit e jo e prindërve. Jozefit i takoi të rriste atë që, në kuptimin më të plotë të fjalës, ishte Fëmija i Hyjit. Kjo ishte ndera më e lartë që Hyji mund t’i bënte Jozefit e, si pasojë, edhe fisit prej nga vinte.

Por Jezusi edhe nuk ishte Biri i Davidit, pikërisht që Davidi të mos mendonte se ishte zotësia e tij dhe e pasardhësve të tij ajo që do të bënte që botës t’i vinte një Shëlbues i tillë. Davidit dhe pasardhësve të tij u duhej përvujtërisht ta kërkonin shëlbimin vetëm nga Lart, nga Hyji, e jo nga aftësi e trashëgimí të tjera njerëzore.

Por, duke folur kaq gjatë mbi përvujtërinë që i kërkohej Davidit, Salomonit e Jozefit, kemi lënë mënjanë përvujtërinë që tregon Maria në gjithë këtë plan Shëlbimi të Hyjit.

E gjithë pjesa e sotme ungjillore, në fakt, ka dy personazhe që bashkëbisedojnë. Një vajzë të re dhe një Kryengjëll. E gjithë historia e Shëlbimit duket sikur po kalon nëpër një shteg tejet të ngushtë. Gjithçka duket se po varet nga ajo që Kryengjëlli thotë e nga ajo që Maria do të vendosë. Gjithçka jashtë atyre mureve duket sikur është ndalur. Gjithçka duket sikur po pret se si do të përfundojë kjo bisedë. Në një himn shumë të bukur, i njohur sidomos në Lindje, Himni Akáthistos (që do të thotë se duhet lutur në këmbë), dikush ka vënë në gojën e Kryengjëllit Gabriel këto fjalë të mrekullueshme: «Të falem, ty për të cilën do të shkëlqejë gëzimi! / Të falem, ty për shkak të së cilës do të marrë fund mallkimi! / Të falem, lehtësimi i Adamit! / Të falem, ty që fshin lotët e Evës!» E thuhen aty edhe të tjera fjalë të ëmbla, të thella, prekëse.

Tregohet kështu falënderimi i gjithmonshëm që Kisha i ka bërë dhe gjithnjë i bën kësaj vajze të re që pranoi të sillte në botë Shëlbuesin. Jo vetëm që e pranoi një gjë të tillë, por edhe e ndoqi Birin e Hyjit më nga afër se kushdo tjetër. Më të drejtë ndonjëri prej etërve të Kishës thoshte për Marinë se, edhe pse ajo vazhdon gjithnjë të jetë gjymtyrë e Kishës e asgjë më shumë, gjithsesi, ajo është «gjymtyra më e ndritur» e saj.

Maria ishte e para të cilës iu shpalos plani i mrekullueshëm i Hyjit dhe ishte e para të cilës iu shpall se ky Hyj i yni është Trini. E, meqë ajo e dinte mirë se, sipas rregullores së kohës, mund të përfundonte e vrarë me gurë nëse zbulohej shtatzënia e saj pa qenë ende e martuar, ajo ishte edhe e para së cilës iu kërkua të pranonte mundësinë reale të martirizimit për shkak të Birit të Hyjit.

Maria nuk kuptonte shumë në gjithë atë që po i ndodhte në ato çaste, por një gjë ajo ndoshta po e kuptonte qartë: se Hyji kishte dëshirë të familjarizohej pa masë me njerëzimin. E, meqë ishte ajo vetë e familjarizuar më Hyjin – falë pastërtisë e thjeshtësisë që i jepte të qenit e Zënë pa mëkat të rrjedhshëm, ashtu siç ishin Adami e Eva para se të mëkatonin – pranoi të bëhej shërbëtorja e përvujtë e Hyjit në këtë plan: «Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!» Prandaj ajo më vonë u quajt nga Kisha «lehtësimi i Adamit», ajo «që fshin lotët e Evës».

Në këtë prag Krishtlindjet, Kisha na ofron si modelin më të madhërueshëm në mes të të gjithë profetëve e martirëve, pikërisht dashurinë e pamasë që Maria tregoi për Hyjin. E tregoi aso kohe e vazhdon ta tregojë edhe tani në qiell. Përveç kësaj, sikurse ka ndërmjetësuar në atë kohë për Shëlbimin tonë, ajo vazhdon të ndërmjetësojë ndër shekuj për të gjitha breznitë.

Ta lejojmë, pra, zemrën tonë që të kaplohet nga misteri i madhërueshëm i Mishërimit të Zotit tonë! Ta lejojmë! Aty ka marrë kuptim e gjithë vepra e krijimit të Hyjit. Si Maria, le të përfshihemi edhe ne nga ky plan dashamir i Hyjit që u familjarizua me njerëzimin e u bë «i shtëpisë me ne».

Askush nuk do të mund të na ndajë nga Ai, sepse «Mbretëria e tij s’do të ketë mbarim».

23 dhjetor 2023, 10:17