Fjala e Zotit e festës së Familjes së Shenjtë 'B'
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë hyjnore të së dielës, këtë herë do të meditojmë dhe dëgjojmë leximet biblike të festës së Familjes së Shenjtë të Jezusit, Marisë e Jozefit. Kremtojmë pra festën e Familjes së Shenjtë, model virtytesh e të dashurisë së vërtetë për të gjitha familjet. Megjithëse nuk arrijnë ta kuptojnë plotësisht e deri në fund misterin e Foshnjës që Zoti u ka besuar, Jozefi e Maria kanë besim në Zotin e në realizimin e premtimeve të shëlbimit paralajmëruar etërve qysh në kohën e profetëve.
Në kundrimin e familjes së Jezusit, leximet biblike të kësaj së diele e orientojnë vëmendjen tonë ndaj Misterit të të Birit, duke treguar në mënyrë të ndryshme se si ky realitet është i rëndësishëm për të kuptuar marrëdhëniet tona personale me Zotin.
Shembulli i Familjes së Shenjtë na përkujton se të gjithë jemi të thirrur të bëjmë pjesë në familjen universale të Hyjit Atë e të gjithë njerëzit janë anëtarë të kësaj vatre që është gurrë e pashtershme dashurie e vëllazërimi.
Familja është në qendër të mendimit të Zotit e këndej në qendër të botës së krijuar nga Zoti. Këtë na tregon shumë mirë tregimi biblik mbi krijimin. Zoti don që familja të karakterizohet, të shquhet nga një dashuri e vetme dhe e përbashkët: kjo është një nevojë dhe domosdoshmëri për respektimin e dinjitetit të qiftit të martuar, burrit e gruas dhe për respektimin e dinjitetit të fëmijëve. Familja, sipas Biblës, është e duhet të jetë pasqyrë besnike e fytyrës së Zotit Dashuri.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Zan 15, 1-6; 21, 1-3
Çifti i pleqve Abrahami dhe Sara merr nga Hyji shpërblimin e besimit të vet, Izakun, Birin e premtuar. Në qendër të historisë së shpëtimit qëndron realiteti i besëlidhjes që fillon me Abrahamin. Lindja e Izakut është një ngjarje biologjike që realizon planet dhe kohërat e Hyjit. Nga pasardhësit e Abrahamit do të lindë Mesia Krishti Jezus, Shpëtimtar i njerëzimit.
Lexim prej Librit të Zanafillës
Pas këtyre ngjarjeve, fjala e Zotit i qe drejtuar Abramit në një vegim. I tha: “Abram, mos ki frikë! Unë jam mbrojtësi yt! Shpërblimi yt do të jetë shumë i madh”! Abrami u përgjigj: “O Zot, Hyj, ç’më duhen dhuratat e tua, pasi shkoj i shuar pa pasardhës dhe trashëgimtari i shtëpisë sime do të jetë Eliezeri prej Damaskut”. Dhe Abrami vazhdoi: “Ja, po sheh se nuk më dhe pasardhës dhe ja, një rob i shtëpisë do të më trashëgojë”. Atëherë Zoti i tha këto fjalë: “Ky nuk do të jetë, trashëgimtari yt do të jetë pinjolli yt që do të rrjedhë prej teje”. Zoti e bëri të dalë jashtë dhe i tha: “Shikoje qiellin dhe numëroji yjet, po munde”! Dhe shtoi: “Të tillë do të jenë trashëgimtarët e tu”. Abrami i besoi Zotit dhe iu çmua për drejtësi. Zotit iu kujtua çka i kishte thënë Sarës dhe bëri ashtu siç i kishte premtuar. Sara ngjizi dhe Abrahamit i lindi djalë në pleqërinë e tij, po në atë kohë, siç e kishte paracaktuar Hyji. Abrahami djalit që lindi Sara ia ngjiti emrin Izak. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
Psalmi 128
Jetë dhe bekim mbi shtëpinë që e druan Zotin
Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tija!
Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua, i lumi ti, mirë do të kalosh.
Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!
Ja, se si bekohet njeriu
që e druan Zotin!
Të bekoftë Zoti prej Sionit,
e pafsh lumturinë e Jerusalemit
në të gjitha ditët e jetës sate
Leximi dytë Heb 11, 8. 11-12. 17-19
Autori i shenjtë, duke i bërë lëvdata besimit të etërve, kujton Abrahamin, atin e besimtarëve, që i besohet Hyjit kur Ai i kërkon jetën e të birit. Në besim Abrahami ofron Birin duke shpresuar kundër çdo shprese. Edhe Maria e Jozefi do të privohen prej të vetmit bir, por Hyji i të gjallëve nuk i braktis ata që i besohen Atij.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Hebrenjve
Me anë të fesë Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çohet dhe të niset drejt vendit që do ta fitonte në trashëgim; e la vendin edhe pse nuk dinte se ku do të shkonte. Me anë të fesë - edhe vetë Sara beronjë - fitoi mundësinë të bëhej nënë - megjithëse i kishte kaluar mosha - sepse e mbante besnik Atë që i dha premtimin. Këndej, prej një njeriu - dhe ai gati i vdekur, lindi një shumicë e madhe porsi yjet në qiell dhe rëra e panumërueshme në bregun e detit. Me anë të fesë, Abrahami, i vënë në provë, e flijoi Izakun. Flijonte djalin e vetëm ai që kishte marrë premtimin, të cilit i qe thënë: “Pasardhësit e tu do të rrjedhin prej Izakut”, plotësisht i bindur se Hyji mund të ngjallë edhe të vdekurit. Prandaj edhe e rifitoi - dhe qe një shëmbëlltyrë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
Aleluja. Aleluja.
Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja. Fjala e Krishtit banoftë në ju me tërë begatinë e vet!
Aleluja.
Ungjilli Lk 2, 22-40
Populli hebre edhe pse priste Mesinë nuk ka e ka kuptuar kur Ai ka ardhur. Plaku Simeon është simboli i pritjes së gjatë mesianike, dhe shpall misterin e këtij Fëmije që do të takojë kundërshtime nga ana e atyre që duhet ta pranonin. Mundimet do të jenë kulmi tragjik i këtij refuzimi. Jezusi nuk ka ardhur për të ndarë njerëzit, por prania e tij zbulon ndarjen dhe errësirat të pranishme në zemrat e secilit.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, Jozefi dhe Maria e çuan Jezusin në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, - sikurse shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’ – dhe për të dhënë flinë sikurse thuhet në Ligjin e Zotit ‘një parë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’ Në Jerusalem aso here jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt. Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Tempull. Kur prindërit e sollën Jezusin foshnjë për të kryer rregulloren e ligjit mbi të, Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha: “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe, sikurse the ti vetë, sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve: Dritën që bën të njohin Ty paganët, e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.” Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të. Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: “Shih! Hyji e caktoi këtë fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. Edhe ty vetë një shpatë do ta shporojë shpirtin, që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.” Ishte aso here edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet, jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet, kurse si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetë e katër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me uratë. Shi në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit. Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret. Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti; dhe hiri i Hyjit ishte në të.
Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!