Greccio në Romë, shpella e Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit, një risi e lashtë
R.SH. / Vatikan
Skena tradicionale e lindjes së Krishtit në Sheshin e Shën Pjetrit këtë vit ka një karakteristikë të veçantë: pavarësisht se tregon format tradicionale, klasike dhe ikonografinë e zakonshme, ajo i rikrijon në mënyrë absolutisht origjinale. Qendra mbetet djepi i Foshnjës: rreth tij, Virgjëra, Shën Jozefi, kau dhe gomari, por edhe personazhe të tjera: Shën Françesku, tre fretërit e tij shoqërues, Giovanni Velita dhe gruaja e tij, Alticama, pra miqtë, që e ndihmuan në krijimin e skenës së parë të lindjes së Krishtit në histori.
E edhe një prift, që kremton Eukaristinë solemne në altar, ashtu siç e përshkruan Tommaso da Celano në Burimet Françeskane. Skena është ndërtuar sikur të ishte paraqitje teatrale, e frymëzuar nga një prej shprehjeve artistike më të rëndësishme, ndonëse kalimtare, ku përfshiheshin artistë të famshëm, “pikturat e gjalla”, të përhapura duke filluar nga paraqitjet liturgjike mesjetare dhe gradualisht me kalimin e kohës, në epokën baroke, ku palëvizshmëria e trupave të aktorëve ndërton kompozime vizuale me efekt të madh, jo vetëm estetik, por edhe emocional: fjalë për fjalë, një çast bukurie dhe përshpirtërie e ngrirë në kohë.
Shkrirja e dy ikonografive të ndryshme
Pas shtatoreve me përmasa natyrore, është një riprodhim i afreskut që i atribuohet Mjeshtrit të Narnit, i vitit 1409, origjinali i të cilit gjendet në Manastirin e Greccio-s, pikërisht në pikën ku, sipas traditës, frati i vogël i Asizit kishte vënë djepin për Foshnjën. Po të shikojmë me kujdes, shtatoret e skenës së lindjes janë saktësisht të njëjta me ato të figurave të afreskuara, sikur këto të fundit të ishin shkëputur nga muri dhe të kishin zbritur në skenë, me tredimensionalitet. Një lojë e vërtetë përkimesh, e shoqëruar me aluzione simbolike. Dy episodet, të dallueshme në afresk dhe të vendosura në kohë të largëta shekujsh, ai i Betlehemit dhe ai i Greccio, shkrihen në një skenografi të vetme e të madhe. Që jeton edhe sot.
Shtatoret e skenës të lindjes së Krishtit
Shtatoret, vepër e mjeshtrit të skenës së lindjes, Antonio Cantone dhe gruas së tij, Maria Cantone Costabile, janë, siç është thënë, në përmasa reale, me kokën dhe gjymtyrët prej terrakote të pikturuar, të shartuar mbi struktura hekuri dhe kashte, të veshura me rroba me prerje dhe ngjyra të frymëzuara nga ato të kohës së Françeskut. Janë skulptura që, si në qëndrimin e tyre, ashtu edhe në gjestet e tyre, duken sikur lëvizin, si për të riprodhuar, përballë atyre që i shikojnë, Lindjen si mister i përjetshëm dhe i ripërtërirë e i mishëruar, ashtu edhe për të treguar cilat ishin synimet e Françeskut, i cili donte “në një farë mënyre të shihte me sytë e vet vështirësitë që kaloi Krishti Fëmijë, për shkak të mungesës së gjërave të nevojshme për një të porsalindur; si u vendos në një grazhd dhe si u shtri mbi sanë, ndërmjet kaut dhe gomarit”, shkruan biografi i tij Tommaso da Celano.
Rikthimi i jetës dhe i vendeve të Shën Françeskut
Por skena e lindjes së Krishtit nuk kufizohet me kaq, nuk është paraqitje ballore, por sistem shumë më kompleks, i gjithanshëm, ku çdo element ka kuptimin e vet, i cili lidhet me figurën e Shën Françeskut dhe me vendet që shënuan kalimin e tij.
Është një shkëmb i madh, për të kujtuar orografinë e shenjtërores së Greccio-s, e cila mbështetet mbi një bazë tetëkëndëshe, si tetëqind vjetët që kaluan nga skena e parë e lindjes së Krishtit në Greccio dhe, në formë brenda formës, i bën homazh Shën Françeskut dhe përqafon në mënyrë ideale Papën Françesku, të cilit i kushtohet skena e lindjes së Krishtit, në shenjë mirënjohjeje për letrën apostolike Admirabile signum, dërguar në Greccio, në Shenjtëroren e Shpellës së Betlehemit, më 1 dhjetor 2019.
Instalacioni rroket me kolonadën e Shën Pjetrit, duke krijuar frymën e dialogut me hapësirën përreth.
Episode nga jeta e Shenjtit të Asizit
Përgjatë perimetrit të jashtëm të strukturës hapen kamare të cekëta në të cilat, të ngjashme me kornizat kinematografike dhe si në film, shpalosen pamje me historitë e jetës së Shenjtit të Asizit, në përngjasim të afreskeve. Këto janë skicat e mjeshtrit të Materas, Francesco Artese, të skanuara me rezolucion të lartë dhe të shtypura në letër, të ngjitura më pas në mure të suvatuara dhe të trajtuara me dorë nga mjeshtrat e Cinecittà-s për të krijuar pjesë jo të plota, sikur piktura të ishte shkatërruar me kalimin e kohës. Ka katër pamje, që të kujtojnë vendet kryesore të Vobegtit të Asizit, duke përdorur ikonografi origjinale, disa të reja në krahasim me ato që jemi mësuar të sodisim në historinë e artit. Të mendojmë vetëm për ciklin e Giotto-s në bazilikën e sipërme të Asizit ose atë të Benozzo Gozzoli-t, në kishën Françeskane të Montefalkos.
Pemë simbolike
Në skenën e lindjes së Krishtit, në Sheshin e Shën Pjetrit, mund të shihni tri pemë të vogla, me degë ende të njoma, por me vlera të mëdha simbolike dhe historike: ata janë "fëmijët" e pemëve të mëdha në Luginën e Shenjtë. Pema e ahut të Rivodutrit, për të cilën legjenda thotë se e strehoi Françeskun gjatë një stuhie, duke e mbështjellë me degët e saj spirale, është ende cak devocioni për shtegtarët që lënë blatime kushtimi ndërmjet degëve të saj. Lisi i Cottanellos, me një trung rreth 6 metrash perimetër, me gjethe të mëdha, që u bëjnë hije kullotave. Së fundi, lisi Colli sul Velino, me tashësi trungu prej 5 metrash, i cili rritet pranë rrënojave të vilës romake të konsullit Quintus Assio, aty që nga shekulli I p.e.s., vilë e madhe fshatare që priste Ciceronin. Fidanët janë pjesë e koleksionit kombëtar që ka prodhuar ndër vite Shoqata Patriarkët e Natyrës, edhe falë bashkëpunimit me komisionin e filmit Roma Lazio.
Si në një fabrikë të lashtë mesjetare, puna dhe krijimtaria e shumë njerëzve
Një vepër korale dhe komplekse, pra, e kërkuar nga Dioqeza e Rietit, e realizuar nga themeluesit e Fondacionit Italia, presidentit Enrico Bressan dhe drejtoreshës së artit Giovanna Zabotti, me projektuesin e skenës së lindjes, Francesco Artese, mjeshtrin e skenës së lindjes Antonio Cantone dhe Maria Cira Costabile e Napolit dhe artizanët e Cinecittà. Giovanna Zabotti, në Vatican Radio - Vatican News, duke u thelluar në disa aspekte simbolike, shpjegon se çfarë e frymëzoi skenën e lindjes së Krishtit, si mori formë dhe cilët ishin ata që morën pjesë në krijimin e saj.
Ndjekim intervistën me Giovanna Zabotti
Këtë vit skena tradicionale e lindjes në Sheshin e Shën Pjetrit, pavarësisht se ka një gjurmë klasike, është absolutisht origjinale, mund të na e përshkruani?
Skena e lindjes së Shën Pjetrit kremton 800-vjetorin e kësaj ideje brilante të Shën Françeskut, kësaj vepre të madhe ungjillëzimi, siç thotë Papa, por edhe vepre të madhe artistike. Puna e tij ishte të ndërtonte një skenë të lindjes së Krishtit dhe ta rindërtonte atë natën e Krishtlindjes në Greccio - si në Betlehem. Ajo që donte të bënte, ndodhi pikërisht gjatë luftërave për Tokën Shenjte, prandaj donte të dërgonte një mesazh paqeje: të riprodhonte pikërisht atje, në Greccio, atë tokë që e kishte mirëpritur, rindërtimin teatror të një skene të gjallë të lindjes së Krishtit. Këtë vit në sheshin e Shën Pjetrit mund të shihni një skenë shumë të veçantë të lindjes së Krishtit, në qendër të së cilës nuk janë vetëm Maria dhe Jozefi me Foshnjën Jezus, por është edhe Shën Françesku, që e mban në krahë Foshnjën Hyjnore.
Arsyetimi që u përdor për të ndërtuar këtë skenë të lindjes së Krishtit është të fillohet pikërisht nga afresku i Greccio-s, i cili përfaqëson këto dy çaste të dallueshme, në Bethlehem dhe në Greccio, prandaj Betlehemi është kudo. Ideja ishte për të rikrijuar atë moment që pritej. Për ta bërë këtë, Shën Françesku përdori frymëzimin maksimal artistik, që ishte gjuha teatrore, ndaj u përpoqëm të bënim ç’ishte më e mirë, duke bashkuar një grup artistësh rreth projektit. Në Sheshin e Shën Pjetrit mund të shihni skenën e lindjes së Krishtit, që i ngjet plotësisht shpellës së Greccios: afresku në qendër, personazhet e pranishëm atë natë, personazhet kryesore, pra dhe, në një mënyrë shumë të thjeshtë, por të trajtuar artistikisht në mënyrat më të mira të mundshme, janë Giovanni Velita dhe gruaja e tij Alticama, të thirrur nga Francesco për të qenë ndihmës, ndër ata që e ndihmuan të krijonte këtë skenë të lindjes së Krishtit; me ta, françeskanët, shokët e Françeskut, që ndihmuan edhe ata; kau dhe gomari, grazhdi dhe djakoni, që atë natë, pikërisht në atë shpellë, kremtuan këtë çast shumë të rëndësishëm të skenës së lindjes. Ishte 24 dhjetori i vitit 1223. Sivjet ne e sollëm këtë histori atje, pikërisht për të kujtuar sesi Françesku, me aftësinë e tij të madhe oratorike dhe artistike, arriti t'ua transmetonte të gjithëve këtë mesazh paqeje.
Përveç personazheve aktuale të skenës së lindjes së Krishtit, d.m.th., shtatoreve me përmasae reale, të veshura me rroba me shije në krahasim me kohën e Shën Françeskut, ka edhe elementë të tjerë që tërheqin vëmendjen, përkatësisht riprodhimi i afreskut të Greccios, që i atribuohet një mjeshtri anonim nga Narni, por përreth, përgjatë perimetrit të jashtëm, ka figuracione të tjera. Çfarë përfaqësojnë dhe kush është autori i këtyre veprave?
Për ne ishte e rëndësishme t'i tregonim të gjitha këto përmes gjuhës së artit, kështu që përveç afreskut qendror, janë afresket e krijuara nga mjeshtri Artese, të cilat pasojnë njëri-tjetrin rreth skenës së lindjes, duke krijuar kështu një skenë Lindjeje e cila në të gjitha aspektet është e rrumbullakët. Duke lëvizur nga e majta në të djathtë, në pjesën e prapme, janë vendet që kujtojnë jetën e Shenjtit në luginën e Rietit dhe, në veçanti, çastet e spikatura, vendet e shenjta që përkojnë me të. Greccio është në qendër, si shenjtërorja e Greccios, por më pas është afresku i faljes, që korrespondon me momentin e Poggio Bustones, ku Françesku filloi përsëri udhëtimin e tij duke e ditur se Zoti e ka falur: mëkatar i humbur, që rinis rrugën e vet. Shenjtërorja e Fontecolombo, ku Françesku shkroi rregullin, që më pas ia çoi Honorit III që ishte në Rieti dhe së fundi, mrekullia e vreshtit, që korrespondon me shenjtëroren e Santa Maria della Foresta, ku Françesku u mirëprit, të kujtojnë turmat e njerëzve që përfunduan duke shkatërruar vreshtin. Françesku bëri mrekullinë e shumëzimit të rrushit. Në një monobllok të vetëm donim të festonim Françeskun, historinë e skenës së lindjes së Krishtit dhe luginën e Rietit.
Pamjet e Françeskut ngjajnë shumë me aktorin që luajti Françeskun e Zeffirelli-t, Graham Faulkner. Cili lloj arti e frymëzoi artistin që krijoi pikturat jashtë perimetrit të skenës së lindjes? Ata duken të jenë në një stil të shekullit të nëntëmbëdhjetë, sado modern, edhe nëse kanë një gjurmë klasike...
Francesco Artese, është piktor, por edhe mjeshtër dizajner, atij iu kërkua që këto momente t'i përfaqësonte ashtu siç do t'i kishte parë si artist, duke treguar këtë histori. Ne donim që ai të mund të shprehej lirshëm dhe të krijonte afreske mbi të tri temat. Ne nuk mund të njohim një fije të vetme historie, sepse, ndërsa statujat janë padyshim referencë për Françeskun e Zeffirelli-t edhe në kostume, në piktura, megjithatë, ka një interpretim të Francesco Artese-së që lidhet ngushtë me temën. Një vepër ndryshe, jo e marrë nga veprat e kohës, por e frymëzuar nga ajo kohë.
Nuk ishte vetëm mjeshtri Artese: ishin disa, artistët që morën pjesë në krijimin e skenës së lindjes së Krishtit. Kush janë?
Ndërkohë aty janë të gjithë punëtorët e Cinecittà-s, artistët që morën bashkë me ne skicën e mjeshtrit Artese dhe ripunuan produktin i cili është bërë i tëri me dorë. Pastaj është artisti që konceptoi statujat, mjeshtri Antonio Cantone dhe gruaja e tij Maria Cantone Costabile që janë nga Napoli, dhe ata nuk duhej ta trajtonin skenën e lindjes së Krishtit si atë klasike napolitane, por të punonin mbi idenë e 1223-it. Duhej të ndërmjetësonin, të modifikonin gjuhën artistike. Për mendimin tim, në fund edhe atje, sidomos në kostume, sigurisht që ka referenca për filmin e Zeffirellit, sepse gjithsesi bëhet fjalë për një sfond teatror. Po flasim për një gjuhë artistike transversale, nga mjeshtrit e skenës së lindjes së Krishtit te piktorët, te mjeshtrit e Cinecittà-s, te skenaristët dhe kostumografët. Sepse kostumografja Zaira De Vincentiis gjithashtu na dha dorë në zgjedhjen e kostumeve, e deri tek ai, që u kujdes për ndriçimin.
Në fakt, kujdes i veçantë i është kushtuar ndriçimit. Mund të na thoni si?
Ndriçimi lindi nga një takim me Guzzini Illuminazione ku përfshihej dizenjatorja e ndriçimit, Margherita Suss, të cilën unë e quaj me plot gojën artiste, sepse ajo iu afrua vërtet kësaj pune me ndjeshmërinë e artistit. Margherita Suss ndërtoi një rrëfim të ndritshëm dhe u përpoq të respektonte atë ton intim, të mbledhur, jo shumë të theksuar të meditimit të asaj që mund të ishte ai çast. Ajo u frymëzua nga drita e ngrohtë e pishtarëve të kohës, por, në të njëjtën kohë, organizoi dritën, që vendos një ton në çdo figurë në mënyrë të tillë, që të tregojë, të tërheqë spektatorin ta shikojë me kujdes personazhin në kohë, thuajse ta zbulojë, por duke pasur për bazë elemente gjithnjë të ndriçuara: afreskun e Greccio-s, që është zemra jonë, Shën Françesku dhe Foshnjën Hyjnore e, në fund, grazhdin, i cili ka kuptim shumë të fortë në krahasim me gjithë skenën e lindjes së Krishtit. Grazhd do të thotë jetë dhe vdekje në të njëjtën kohë, fat unik i kësaj Foshnjeje të vogël, që vjen në botë. Kjo dritë qëndron gjithmonë e ndezur me një nuancë të artë.