Mons Simon Kulli, vescovo di Sapa, Albania Mons Simon Kulli, vescovo di Sapa, Albania

Imzot Simon Kulli: mesazhi për Krishtlindje 2023

Imzot Simon Kulli kujton domëthënien e lindjes së Krishtit për çdo besimtar e pohon "Të ecim së bashku përpara ku, 'Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë'”. Krishti, i lindur në varfërinë e Betlehemit dëshiron të bëhet mik udhe i çdokujt që vuan në mjerim e skamje, apo në vështirësi të ndryshme sociale, pohon akoma imzot Kulli e denoncon: çfarë të thuash për ata, që, pa shprese, janë të detyruar të lënë shtëpitë dhe atdheun e vet për të kërkuar një jetë më të mirë.

R.SH. / Vatikan

Në mesazhin e tij të Krishtlindjes, ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli kujton domëthënien që ka lindja Krishtit për çdo besimtar,  dhe pohon "Të ecim së bashku përpara ku, 'Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë'”. Krishti, i lindur në varfërinë e Betlehemit dëshiron të bëhet mik udhe i çdokujt që vuan në mjerimin dhe skamjen, apo vështirësitë e ndryshme sociale, pohon akoma imzot Kulli e denoncon: çfarë të thuash për ata, që, pa shprese, janë të detyruar të lënë shtëpitë dhe atdheun e vet për të kërkuar një jetë më të mirë. Çdo ditë po largohen, po boshatiset ky vend; nuk shohin një dritë shprese për të jetuar denjësisht, por gjithnjë po i shtohet papunësia, e cila sjell veç skamje dhe mjerim. Pra, të ecim së bashku çdo ditë për të ndërtuar së bashku një Shqipëri ku ka drejtësi dhe paqe. Por të dëgjojmë mesazhin e Krishtlindjes nga ipeshkvi i Sapës imzot Simon Kulli:

Imzot Simon Kulli me rastin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri 2023

“DRITA E VËRTETË QË SHNDRIT ÇDO NJERI, ERDHI NË BOTË” (Gj 1,9)

Mesazhi i Bariut të Sapës, Imzot Simon Kulli me rastin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri  2023

Shumë të dashur meshtarë,

të dashur, rregulltarë/e, besimtarë të dashur të dioqezës së Sapës,

më lejoni që të vij pranë jush përmes këtyre fjalëve që dalin nga zemra me rastin e festës së Krishtlindjes.

Titulli i vizitës time të parë Baritore “Të ecim së bashku” na ka nxitur edhe më shumë të përgatitemi për misterin e Krishtlindjes ketë vit.  Përmes angazhimeve shpirtërore, me rrëfimet në çdo famulli që përjetuam në Kohën e Shenjtë të Ardhjes, në të gjithë Dioqezën, tashmë gjendemi përpara ku, “Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë”

Përballë këtij misteri, më lejoni që në këtë Krishtlindje, në mënyrë të veçantë të vendosem edhe unë  për të soditur Foshnjën Hyjnore krah për krah me të sëmurët, të varfrit si dhe të gjithë bijtë dhe familjen Dioqezane të Sapës kudo nëpër botë, që vështirësitë e ndryshme jetësore i kanë ndarë prej familjeve dhe të afërmve.

Të gjithë ne vëllezër e motra të dashur mund t’i ofrojmë kësaj Foshnje varfërinë më të madhe të sotme ikjen e shumë familjeve nga ky vend  i bekuar nga Zoti, luftërat dhe terrin ne disa vende të botes që na karakterizon në këtë Krishtlindje. Po ashtu, në të njëjtën kohë secili nga ne është i ftuar t’ia hapim zemrën kësaj Foshnje Hyjnore, dhe të ndriçohet nga kjo Dritë që shndrit gjithësinë, sepse falë soditjes së Tij ne na ofrohet mundësia ta shohim realitetin me një sy tjetër, duke e shijuar fuqinë e brendshme të dashurisë së Zotit, dashuri e cila e shndërron gjithë jetën tonë me rrezet e tija.

Krishti, i lindur në varfërinë e Betlehemit dëshiron të bëhet mik udhe i çdokujt që vuan në mjerimin dhe skamjen, apo vështirësitë e ndryshme sociale. Po çfarë të thuash për ata, që, pa shprese, janë të detyruar të lënë shtëpitë dhe atdheun e vet për të kërkuar një jetë më të mirë. Çdo ditë po largohen, po boshatiset ky vend; nuk shohin një dritë shprese për të jetuar denjësisht, por gjithnjë po i shtohet papunësia, e cila sjell veç skamje dhe mjerim.

Në Krishtlindje jehon: “Ejani të shkojmë, pra, deri në Betlehem e të shohim çka ndodhi-ngjarjen që na e kumtoi Zoti” (Lk 2.15), që të përkulemi në adhurim para Foshnjës Hyjnore. Shën Ambrozi thotë “ Edhe sikur Krishti të kishte lindur një mijë herë në Betlehem, por nuk lind në ty, atëherë ka lindur kot”, dhe Shën Gjoni pohon:” atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Zotit” (Gjn 1,1-18).

Të gjithë ne duhet ta shohim tek të tjerët atë Dritë të vërtetë që e njohim dhe e shohim me sytë tanë, sepse tashmë është në mesin tonë: “E gjetën Marinë, Jozefin dhe Foshnjën të vënë në grazhd” (Lk 2.16). Pikërisht aty ndriçon një dritë për të gjitha kohërat, aty përjetohet gëzimi, lind kënga e jetës sonë: Krishti dje, sot dhe përgjithmonë!

Krishti lind dhe vjen përsëri në mesin e njerëzve të tij të dashur, atyre që u jep forcë të bëhen bijtë e Tij; u jep mundësinë të shohin lavdinë hyjnore dhe të bashkëndajnë gëzimin e Dashurisë, që në grazhd të  Betlehemit u bë njeri si ne. Ja, Shpëtimtari ynë, lindi dhe erdhi në botë, sepse bota ka nevojë më shumë se kurrë sot për këtë Dritë që i ndriçon jetën tonë.

Duhet të ecim së bashku çdo ditë për të ndërtuar së bashku një Shqipëri ku ka drejtësi dhe paqe. Ky angazhim kuptohet dhe ndërmerret vetëm falë soditjes së Foshnjës Hyjnore. Vetëm në Hyjin që bëhet njeri për ne, e ndiejmë veten të dashur dhe të pranuar duke zbuluar se jemi të çmuar, bij e bija të Hyjit, vëllezër dhe motra mes nesh.

Për shumë vjet Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2023!

+ IMZOT SIMON KULLI

Ipeshkëv i Dioqezës Sapë

25 dhjetor 2023, 11:52