Kard. Comastri: 8 Dhjetori, ditë e jashtëzakonshme: Zoja, model i fesë
R. SH. - Vatikan
Është një perspektivë origjinale kjo që kardinali Angelo Comastri na ofron në librin e tij të fundit kushtuar Zojës së Bekuar, botuar nga San Paolo. Niset nga bukuria fizike e Virgjërës, siç na e kujton vetë titulli: “Maria, gruaja më e bukur në botë”. Ky titull na ndihmon të sqarojmë se ç’është bukuria”- shpjegon kardinali në Telepace - duke u marrë me një problem të rëndësishëm për kohët tona, parë në dritën e shndërrimeve të shumta që vërtiten rreth trupit të grave. "Bukuria e Marisë niset nga shpirti, niset nga zemra, për t’u pasqyruar më pas në fytyrë", shpjegon.
Marylin Monroe dhe Nënë Tereza
Për të argumentuar më mirë, kryeprifti i nderit i Bazilikës së Shën Pjetrit kujton si shembull, dy gra: Marilyn Monroe-n dhe Nënë Terezën e Kalkutës. Të parën ndoshta të gjithë e quajnë grua të bukur. “Grua e bukur - kujton Kard. Comastri - që vdiq në moshën 36-vjeçare nga përdorimi i tepruar i drogës. Grua e bukur, që e përdori bukurinë për të joshur e për braktisur. Grua e bukur në fytyrë, por jo në shpirt! Me maskë, jo me bukuri në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale! Bukuri e mirëfilltë ishte ajo e Nënë Terezës: sytë e saj të çonin drejt e në zemrën e Murgeshës shqiptare, sepse pasqyronin bukurinë e shpirtit. Pasqyronin bamirësinë e jetuar"- shton Kardinali, duke kujtuar në vijim përgjigjen që i dha murgesha një fotografi i cili, me rastin e një feste, e pyeti se cili ishte sekreti i bukurisë dhe lumturisë së syve të saj. “Sytë e mi, nëse doni ta dini, janë të bukur dhe të gëzuar, sepse duart e mia terin shumë lot” - gjegji Nënë Tereza.
Devocion Marian
Edhe Pasolini u mahnit nga bukuria e Nënë Terezës - shton kardinali - duke u rikthyer tek tema kryesore e librit. “Mund të thuhet se teologjia ka pasur njëfarë modestie në trajtimin e temës së bukurisë së Marisë, por për të flasin artistët dhe poetët. Nga Botticelli - te Petrarca, libri shqyrton raste të ndryshme që çojnë në reflektim mbi kushtimin marian. “Shumë - shpjegon ai - shkruajnë se kushtimi ndaj Zojës është i vonë, se lindi pas Koncilit të Efesit. Nuk është e vërtetë”. Për Kard. Comastri, i devoçmi i parë ishte kryeengjëlli Gabriel, kur i kumtoi Marisë se do të ishte nëna e birit të Zotit.
Shtegtim, që nis nga larg
Prandaj mund të themi se udha devocionale nis nga larg: kalon nga fjalët e Jezusit, te Shën Gjoni Apostull, nën kryq, së bashku me Zojën, për të mbërritur deri në ditët e sotme. Ka shumë njerëz që vazhdojnë t'i drejtohen Virgjërës, veçanërisht në çaste vështirësish dhe pasigurie. "Është e natyrshme që një fëmijë t'i besohet nënës së tij dhe t'i kërkojë ndihmë, kur është i trazuar" - shkruan Kard. Comastri - i cili ndalet e flet për kujtimet e tij: “Unë i them gjithmonë: ‘Zoja ime, ti që je modeli i fesë, më ndihmo të kem të paktën një dromcë feje. Mbasi kur është feja është e gjallë, gjithçka tjetër bëhet më e gjallë, gjithçka ndizet flakë’".
Dogma e nga qielli
Duke reflektuar mbi solemnitetin e Zojës së Papërlyer, kardinali nuk ka asnjë ngurrim: "8 dhjetori është ditë e jashtëzakonshme: nuk ka ndodhur kurrë që një dogmë të konfirmohet nga qielli". Nënkupton këtu dukjen e Lourdes, më 25 mars 1858, kur i zbuloi Bernadett-ës se ajo ishte e Papërlyera, duke vërtetuar dogmën e vendosur nga Papa Piu IX më 8 dhjetor 1854.