Kërko

Il cardinale Blase Joseph Cupich, arcivescovo di Chicago, saluta Papa Francesco  (Vatican Media) Il cardinale Blase Joseph Cupich, arcivescovo di Chicago, saluta Papa Francesco (Vatican Media)

Kard. Cupich: Dokumenti i Doktrinës së Fesë mbi bekimet për çiftet "e parregullta" një hap përpara

Kryeipeshkvi i Çikagos kard. Cupich mirëpret "Fiducia supplicans", deklaratën e publikuar më 18 dhjetor nga Dikasteri i Vatikanit për Doktrinën e fesë që hap mundësinë e bekimit për çiftet "e parregullta"

R.SH. / Vatikan

Duke ripohuar se Kisha kërkon një qasje baritore ndaj njerëzve që janë në situata "të parregullta", duke përfshirë marrëdhëniet e personave të të njëjtit seks, kardinali Blase Cupich mirëpret deklaratën Fiducia supplicans të botuar, më 18 dhjetor, nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë. "Do të ndihmojë shumë njerëz në komunitetin tonë të krishterë të ndiejnë afërsinë dhe dhembshurinë e Zotit", shkruan kardinali në një tekst të publikuar në faqen e internetit të Kryedioqezës së Çikagos, të cilën e drejton.

Dokumenti doktrinor, i miratuar nga Papa, u mundëson meshtarëve të bekojnë çiftet e “parregullta" e të formuara nga njerëz të të njëjtit seks, por jashtë çdo rituali dhe imitimi të Sakramentit të Martesë. Doktrina e Kishës katolike për martesën nuk ndryshon, bekimi nuk do të thotë miratim i bashkimit, nënvizohet në deklaratë.

Një thirrje për barinjtë e Kishës

Në qendër të këtij teksti, i pari pas 23 vjetësh nga Dominus Jesus, "ka një thirrje për barinjtë e Kishës të adoptojnë një qasje baritore e të jenë të disponueshëm ndaj njerëzve" që ndjejnë nevojën për ndihmë dhe kërkojnë praninë e Zotit në jetën e tyre, pa pretenduar legjitimitet për statusin e tyre të veçantë, thotë kardinali Cupich. "Në këtë kuptim, deklarata është një hap përpara", shton kryeipeshkvi i Çikagos, duke nënvizuar se si është në përkim me "vullnetin e Papës Françesku për të shoqëruar shpirtërisht njerëzit" e edhe për të plotësuar "dëshirën e Jezusit për të qenë i pranishëm tek të gjithë njerëzit që kërkojnë bekim dhe mbështetje”.

Ruajtja e mësimit mbi martesën

Kardinali Cupich thekson më tej në tekstin e tij se deklarata e Doktrinës së Fesë e ruan mësimin tradicional të Kishës katolike lidhur me martesën, që përkon me deklaratat e mëparshme të Papës Françesku mbi faktin se është e papërshtatshme që autoritetet kishtare të "krijojnë vazhdimisht dhe zyrtarisht procedura ose rituale" për çfarëdo situate.

Kryeipeshkvi i Çikagos thekson gjithashtu se Dikasteri i Vatikanit për Doktrinën e Fesë këmbëngul në faktin se bekimet për njerëzit në situata "të parregullta" nuk duhet të jepen gjatë ose në situata që lidhen me ceremonitë liturgjike që sanksionojnë një bashkim civil, as duke përdorur fjalë apo gjeste të përshtatshme për ritin e një martese. Kjo vlen si për çiftet "e parregullta" e po kështu edhe për çiftet e të njëjtit seks.

Të tilla bekime, thekson kardinali Cupich, duhet të ndodhin në kontekste të tjera me vetëdijen se, duke dhënë një bekim në ato rrethana, "nuk ka synim për të legjitimuar asgjë, por për t'ia hapur jetën personale Zotit, për të kërkuar ndihmën e tij Hyjnore për të jetuar më mirë dhe për të kërkuar ndihmën e Shpirtit Shenjt Zot, në mënyrë që vlerat e Ungjillit të mund të jetohen me një besnikëri më të madhe".

20 dhjetor 2023, 10:33