Kard. Pizzaballa: të zhytur në detin e urrejtjes, por është Krishtlindje

Në një mesazh dërguar për Vatican News dhe L'Osservatore Romano, Patriarku Latin i Jeruzalemit na fton t'i njohim të tjerët si vëllezër dhe motra, sepse ky është kuptimi i mishërimit të Zotit. Na nxit të pranojmë dialogun, pajtimin, faljen, miqësinë, siç bëjnë tashmë shumë njerëz në Tokën Shenjte. Duhet t’i lartojmë sytë drejt qiellit dhe të shohim shëlbimin e Zotit ".

R. SH. - Vatikan

Nga zemra e plagosur e tokës ku lindi Jezusi arrin,  për Vatican News dhe L'Osservatore Romano, mesazhi i Krishtlindjes i Patriarkut latin të Jeruzalemit, kardinalit Pierbattista Pizzaballa.

Të rrokullisur në një det urrejtjeje

Mendimi i Kardinalit Pizzaballa niset nga vorbulla e dhunës, që duket se ka mbërthyer planetin dhe më pas ndalohet tek ngjarjet që po trondisin Tokën Shenjte. “Duket se e gjithë bota, ku mbizotëron dhuna, urrejtja, përçarja, ndjenja e hakmarrjes, po jeton çaste vështirësish të mëdha”. Kështu shprehet Kardinali Pizzaballa në videon dërguar mediave të Vatikanit. Patriarku shpreh shqetësimin për situatën "në Evropën veriore" dhe më pas ndalohet në Lindjen e Mesme: "Që nga 7 tetori jemi zhytur në një det urrejtjeje, inati, hakmarrjeje, vdekjeje". Urrejtje e cila, saktëson, "ka prekur shoqërinë izraelite dhe tani po prek edhe shoqërinë palestineze". Mbi të gjitha, Kardinali ka në zemër atë që po ndodh në Gaza, por mendon me trishtim edhe për “bashkësinë e vogël të krishterë në Betlehem”.

T'i thuash po Zotit, do të thotë të hapësh rrugën e pajtimit

I vetëdijshëm për "situatat me vështirësi të mëdha, kur të gjithë janë të mbyllur në dhimbjen e tyre", Kardinali Pizzaballa vë theksin mbi kuptimin e pagabueshëm të Krishtlindjes: "Zoti vjen tek ne, bëhet i pranishëm, na hap zemrat për takimin me të tjerët, për ta pranuar tjetrin si pjesë e rëndësishme e vetes”.

Na nxit, kështu, ta jetojmë Krishtlindjen me gjithë vlerën e çarmatosur dhe të pandryshuar. "Pavarësisht nga gjithë kjo dhunë e madhe,  nuk duhet të harrojmë se mesazhi i Krishtlindjes mbetet, ndoshta në këtë çast, edhe më i rëndësishëm se kurrë. Zoti bëhet njeri nga dashuria - kujton - dhe na komunikon një mënyrë të të jetuarit në botë, mënyrën e dhurimit të jetës për dashuri, për të tjerët”. Vringëllima e armëve nuk mund të na bëjë të harrojmë - vijon më tej kardinali Pizzaballa - se "është Krishtlindje edhe  këtu në Tokën e Shenjtë, ku ka njerëz që i thonë po Zotit, po vëllait dhe motrës së tyre. Sepse t'i thuash po Zotit - thekson - do të thotë ta pranosh tjetrin, vëllain, motrën. Njerëz që janë të gatshëm të dialogojnë, t’i thonë po pajtimit, po faljes, po miqësisë".

Të shkojmë përtej dhimbjes së sotme e të shikojmë punët e Zotit

Patriarku i drejtohet, në këtë ditë solemne, para së gjithash Kishës së tij, por edhe të gjithë atyre që e dëgjojnë këtë mesazh dhe “e  i drejtojnë sytë nga Toka Shenjte”. Ftesa, e dhimbshme, por koherente, shprehet me tonin e qartë të atij që beson se Zoti nuk e braktis. "Kemi nevojë t’i lartojmë sytë drejt qiellit - përfundon - për të shkuar përtej dhimbjes së tanishme dhe për të parë si kryhet vepra e Zotit. Sepse Jezusi është vërtet ky Fëmijë,  vërtetë Zoti i historisë, i historisë personale të secilit prej nesh dhe i historisë së botës”. Është koha, pavarësisht nga gjithçka, të shpallim se “e besojmë”.

Sot janë Krishtlindjet, kumton Kardinali, duke u drejtuar të gjithëve thirrjen të bëjnë të njëjtën gjë e duke uruar “Bekimi i Zotit mbi të gjithë!”.

24 dhjetor 2023, 11:18