Katolikët e Nikaraguas dhe shtypja e pushtetit

Kisha e Nikaraguas po jep një dëshmi të jashtëzakonshme feje të mishëruar në realitetin e një populli të nënshtruar ndaj zgjedhës totalitare, e cila pretendon në mënyrë të rreme se është "e krishterë", ndërsa nuk i respekton të gjitha liritë e qytetarëve të saj. Kur civilët e armatosur simpatizantë të regjimit dhe policia sulmuan demonstruesit pro-demokracisë, dyert e Kishave ishin të hapura, në mënyrë që popullata të mund të strehohej nga plumbat dhe të ndihmohej fizikisht e shpirtërisht.

R.SH. - Vatikan

Në Nikaragua, fjalët e Papës Françesku, i cili e sheh Kishën si spital fushor, u bënë realitet. Kur civilët e armatosur simpatizues të regjimit dhe policisë sulmuan demonstruesit pro-demokracisë, dyert e famullive ishin të hapura, në mënyrë që popullata të mund të strehohej nga plumbat dhe të ndihmohej fizikisht e shpirtërisht. Regjimi i Ortegës nuk ia fali kurrë. Paralelisht, ipeshkvijtë e Nikaraguas vepruan si ndërmjetës dhe dëshmitarë në një dialog kombëtar ndërmjet Ortegës dhe opozitës. Kisha katolike ishte shumë largpamëse dhe i propozoi vendit zgjedhje të parakohshme dhe qarkullim njerëzish në krye të institucioneve të ndryshme shtetërore, për të kanalizuar kërkesat e popullatës me metoda civile dhe kushtetuese. Nuk kërkuan asgjë për veten e tyre e as për ipeshkvnitë. Në atë proces, patën synimet më të mira, për të treguar se Nikaraguasit mund t'i zgjidhnin pa dhunë mosmarrëveshjet e tyre politike.

Sipas fjalorit, fjala "martir" vjen nga fjala greke që do të thotë "dëshmitar". Nëse ka një gjë që mund ta themi kategorikisht sot, është se Kisha katolike e Nikaraguas po jep një dëshmi të jashtëzakonshme feje të mishëruar në realitetin e një populli të nënshtruar ndaj zgjedhës totalitare, e cila pretendon në mënyrë të rreme se është "e krishterë", ndërsa nuk i respekton të gjitha liritë e qytetarëve të saj.

Që nga fillimi i krizës së rëndë socio-politike që preku vendin e Amerikës Qendrore, duke filluar nga prilli 2018, katolikëve të Nikaraguas iu desh të përballojnë 667 sulme të kryera nga shteti dhe nga civilë që simpatizojnë regjimin e Daniel Ortegës, sipas raportit "Nikaragua, Kisha e persekutuar?” realizuar nën kujdesin e aktivistes dhe avokates Martha Patricia Molina.

Në të njëjtën periudhë pesëvjeçare (2018-2023), sipas një raporti të kolektivit të të drejtave të njeriut "Nicaragua nunca +" ("Nikaragua kurrë më") regjimi i Nikaraguas dëboi nga vendi 151 priftërinj dhe 76 murgesha. Në dritën e këtyre të dhënave, mund të pohojmë se jemi përballë njërit nga persekutimet më të ashpra të kryera ndonjëherë nga një qeveri e Amerikës Latine kundër fesë katolike.

Arsyet e këtij sulmi sistematik janë të thjeshta. Kisha mbajti anën e atyre që kërkuan kthimin e demokracisë pas tri dekadash të një qeverie që nuk lejon asnjë mospajtim, që ka mbyllur të gjitha kanalet institucionale për të arritur ndryshimin dhe që ka kryer krime kundër njerëzimit, kundër qytetarëve të saj, siç vërtetohet nga Komisioni Ndër-Amerikan për të Drejtat e Njeriut (ICHR) dhe Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR).

Në Nikaragua, fjalët e Papës Françesku, i cili e sheh Kishën si spital fushor, u bënë realitet. Kur civilët e armatosur, përkrahës të regjimit dhe policët sulmuan demonstruesit pro-demokracisë, dyert e famullive ishin të hapura, në mënyrë që popullata të mund të strehohej nga plumbat dhe të ndihmohej fizikisht dhe shpirtërisht. Regjimi i Ortegës nuk ia fali kurrë.

Paralelisht, ipeshkvijtë vepruan si ndërmjetës dhe dëshmitarë në një dialog kombëtar ndërmjet Ortegës dhe opozitës. Kisha ishte shumë largpamëse dhe i propozoi vendit zgjedhje të parakohshme dhe rotacion njerëzish në krye të institucioneve të ndryshme shtetërore, për të kanalizuar kërkesat e popullatës me metoda civile dhe kushtetuese. Nuk kërkoi asgjë për vete. Në atë proces, Kisha punoi me synimet më të mira, për të treguar se Nikaraguasit mund t'i zgjidhnim mosmarrëveshjet e tyre politike pa dhunë.

Përgjigja e Ortegës dhe gruas së tij, Zëvendës Presidentes Rosario Murillo, ishte një sulm verbal kundër ipeshkvijve, priftërinjve dhe rregulltarëve, gjë që i dha shkas një sulmi të paparë anti-klerikal në Nikaragua. Njëherësh me këto fjalë, regjimi i Managuas justifikoi burgosjen e priftërinjve, rrethimin e kishave, organizimin e festave fetare paralele me ato të kremtuara nga Kisha, madje edhe dëbimin e murgeshave bamirëse ndaj më të varfërve.

Ajo që po ndodh sot në Nikaragua mund të përmblidhet me emra dhe mbiemra. Në veçanti, Imzot Rolando José Álvarez Lagos, ipeshkvi i Matagalpës, i kaloi Krishtlindjet e dyta në qelinë e burgut "Jorge Navarro", për shkak të dënimit të padrejtë me 26 vjet burgim, i akuzuar "si tradhtar".

Imzot Rolando, ipeshkëv shembullor dhe qytetar koherent, pati mundësinë të shkonte në mërgim të paktën në dy raste dhe në të dyja rastet ai preferoi më mirë të rrezikohej e të qëndronte në qeli, me burgim të përjetshëm, sesa të braktiste besimtarët e tij. Është, prandaj, pa dyshim, një nga dëshmitarët e fesë të shekullit e 21-të.

Dëshmia profetike e Kishës së Nikaraguas, e mishëruar sot në figurën e ipeshkvit të burgosur të Matagalpës, simbolizon dashurinë, shpresën, dinjitetin dhe luftën paqësore të një vendi të tërë, përballë një tiranie mizore dhe imorale.

Katolikët e Nikaraguas, si të krishterët e parë të persekutuar gjatë Perandorisë Romake, luten dhe rezistojnë në heshtje, përballë një autoritarizmi që dëshiron t'i shtypë. E, si dëshmitarët e parë të Jezusit, e dinë se martirizimi dhe kryqi janë farë feje.

Populli i Nikaraguas dhe Kisha e tij e impenjuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut janë, sot, të kryqëzuar nga një fuqi shtypëse tokësore, por edhe të sigurt se një ditë do të rilindin në një jetë të re, në lirinë e bijve dhe bijave të Zotit.

(Nga agjencia SIR Israel González Espinoza, gazetar Nikaraguan, i internuar në Spanjë që nga viti 2019)

27 dhjetor 2023, 13:56