Kërkoj një çati!
R.SH. / Vatikan
Nga shkrimet e G. K. Gibran titulluar “Të fshehtat e zemrës”, shkëputëm syzimin “Kërkoj një çati”.
Kërkoj një çati!
Në mbrëmjen e festës, duke ecur vetëm në qytetin tim, u ula në një stol, i zhytur në mendimet e mia.
Pas një ore mendimi të thellë, pashë pranë meje, i befasuar, një burrë. E përshëndeta dhe e pyeta:
- Je i huaj në këtë qytet?
- Po - u përgjigj - Unë jam i huaj në këtë qytet, si në çdo qytet tjetër... Dhe kam tmerrëzisht nevojë për ndihmë!
I hutuar, e pyeta: - Çfarë po kërkon?
- Më duhet një shtëpi. Më duhet një vend për të pushuar…
- Ju lutemi pranoni këto dy denarë dhe shkoni e pushoni në bujtinë.
Ai u përgjigj i trishtuar: - I provova të gjitha bujtinat, trokita në të gjitha dyert, por më kot. Jam i lënduar, jo i uritur; i zhgënjyer, jo i lodhur; nuk kërkoj çati, por strehë njerëzore!…
I propozova: - A doni të pranoni mikpritjen dhe të vini të rrini në shtëpinë time?
- Trokita në derën tuaj dhe në të gjitha dyert një mijë herë, pa marrë përgjigje - tha ai me një ton të ashpër.
- Kush je ti? - E pyeta ngadalë, plot frikë.
- Jam DASHURIA. Që egoizmi i njerëzve e largon nga çdo vend!
Duke thënë këtë, ai u ngrit në këmbë dhe pashë shenjat e gozhdave në duart e tij. I tronditur i rashë në gjunjë para tij dhe bërtita: - Jezus!
Ai vazhdoi, i trishtuar:
- Njerëzit po festojnë për nderin tim, por unë jam i huaj për të gjithë. Askush nuk më mirëpret. Dhelprat kanë strofkat e tyre dhe zogjtë foletë e tyre, por Biri i Njeriut nuk ka ku të mbështesë kokën!
Në atë çast hapa sytë dhe shikova përreth…
I huaji ishte zhdukur..."
(G. K. Gibran, Secrets of the Heart, Guanda, riprodhim).
Dy fjalë për autorin:
Khalil Gibran (në arabisht جبران خليل جبران?, Jubrān Khalīl Jubrān[1]; Bsharre, 6 janar 1883 - Nju Jork, 11 prill 1931) ishte një poet, piktor dhe aforist me origjinë libaneze emigruar në SHBA.
Emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa veprat e tij përhapeshin përtej vendlindjes së tij: kujtohet si një ndër themeluesit, së bashku me Mikha'il Nu'ayma (Mikhail Naimy), e Shoqatës së Penës (al-Rābiṭah al-Qalamiyyah), pikë takimi e shkrimtarëve arabë, që emigronin në Shtetet e Bashkuara. Poezia e tij u përkthye në mbi 20 gjuhë dhe ai u bë mit për të rinjtë që ia konsideronin veprat si shkurtesa mistike. Gibrani u përpoq të bashkonte në veprat e tij qytetërimet perëndimore dhe lindore. Kryesisht ndër veprat më të njohura: “Profeti” (i shkruar në anglisht) dhe “Maxima shpirtërore”.
Shumë nga shkrimet e Gibran-it takohen me krishterimin, veçanërisht ata që trajtojnë temën e dashurisë shpirtërore. Vepra më e njohur e Gibranit është “Profeti”, vëllim me njëzet e gjashtë ese poetike të botuara në vitin 1923 dhe të përkthyera në më shumë se njëzet gjuhë. Gjatë viteve 1960, Profeti ishte jashtëzakonisht popullor në kundërkulturën amerikane dhe lëvizjet e Epokës së Re. Mbetet i famshëm edhe sot. Ndaj për të nuk mund të thsmi “ishte”, por “është”.