Kërko

 Il Natale nella letteratura Il Natale nella letteratura

Krishtlindja, në kryevepra proze: (Emisioni XII ), Atë Zef Pllumi “Kshndellat e para pas diktaturës, në Tiranë"

Në rubrikën “Krishtlindja, në kryevepra proze” (Emisioni XII) shfletojmë veprën e Atë Zef Pllumit “10 vjet liri”, që na kujton kremtimin e parë të lirë të Krishtlindjes, në Tiranë., “Kshndellat e para pas diktaturës, në Tiranë”.

R.SH. / Vatikan

Në rubrikën “Krishtlindja, në kryevepra proze” (Emisioni XII) shfletojmë veprën e Atë Atë Zef Pllumit “10 vjet liri”, i cili na kujton kremtimin e parë të lirë të Krishtlindjes, në Tiranë.

Atë Zef Pllumi: “Kshndellat e para pas diktaturës, në Tiranë”

Kur i fola motër Gjorgjinës për planin e përpjekjet që kishem ba, ajo më kallëxoi se edhe dom Ndoc Sahatçija, të cillit i kishin lëshue nji dhomë në nji shpi të vogël aty, në qandër të Tiranës, ku ishte kenë dikur Kisha katolike, i kishte shkrue Ramiz Alisë dhe autoriteteve komuniste që liria e fesë t’i jepej edhe kryeqytetit. Atëherë shkova të dom Ndoci për vizitë dhe e pyeta gjanë e gjatë se deri ku kishte mujtë me shkue. Ai m’i tregoi letrat që kishte shkrue, tue më skjarue se të gjitha ishin pa përgjegje. Mandej shtoi se edhe ai dishronte me çue Meshë në Tiranë, Natën e Kshndellave. Po ku, se? Kishat ishin shndrrue në ambiente të tjera, e perdoreshin për qellime tjera.

Në atë kohë kishte ardhë në Tiranë nji gazetar italian, ishte takue me dom Ndocin pak ditë para Kshnellash e e kishte pvetë a mund të çohej mesha Naten e Kshndellave në Tiranë, apo jo. Dom Ndoci nuk donte me ba gja pa leje të qeverisë. I ishte gjegjë se pritëte lejen e qeverisë e kështu ai gazetari italian ishte nisë për në Shkodër, ku dihej me siguri se Mesha e Natës së Kshndellave do të kremtohej, për herë të parë, e besoj edhe të fundit, në Rrëmaj. Për të gjallë e të dekun. Meshë që delte prej katakombash me gjithë besimtarë. Tepër interesante për gazetarin, që vinte prej nji vendi, ku Kishat nuk mbusheshin as Natën e Madhe. Që sigurisht nuk çohej ndër vorre të vithisuna, por ndër Katedralet ma në za të botës së kshtenë. Ndërkaq unë mblodha rreth vedit disa studenta të universitetit. Ndër të tjerë, Sokol Pepushi, sot frat françeskan. E mblodha edhe  disa  shokë burgut, si Lanet Isufi  e ndonji tjeter e shkuem gjithë së bashkut e i bamë nji telegram shokut Ramiz Alia, aso kohet president i Republikës. Ne e nesre te dom Ndoci erdh lajmëtari edhe po i thotë që të shkonte e të merrte përgjegjen në komitetin ekzekutiv, si thirrej në atë kohë, domethanë në Bashkinë e Tiranës, si thirret sot, kur ka ndërrue gjithçka, e s’ka ndërrue kurrgja. Sepse veç emnave të institucioneve, gjithçka ka mbetë si ka kenë. Sundimtarët, sidomos.

U nisme e shkueme me dom Ndocin në komitetin ekzekutiv. Na priti nji nenpunës i cilli na e lexoi përgjegjen që presidenca i jepte telegramit tonë: “T’i plotësohet dëshira fesë katolike simbas ligjit në fuqi”. U gëzuem pa masë, tue harrue krejt çka thonte ligji në fuqi. Po na e kujtoi sakaq nënpunësi, që shqiptoi madhnisht, si ia lypte kamba: “Ligji në fuqi i ndalon ceremonitë dhe shërbimet fetare, prandej nuk mundeni, nuk u jepet leja për me çue Meshë natën e Kshnellave”. Ndigjuem, heshtëm e dolëm. Dom Ndoci më tha se nuk e kishte në mend me dalë kundër qeverisë. Pra, nuk donte me e çue meshën. Ndërsa unë me shokët e mi vendosëm të çohej Mesha atë Natë të madhe. Përpiluem së bashku nji shpallje a lajmërim në shumë kopje. Lajmi ishte i shkurtë, 5-6 rreshtash. Lajmërohej se Kisha Katolike do të kremtonte Meshën e Mesnatës së Kshndellave. Poshtë shenohej vendi e ora. 

Ato lajmërime erdh e i muer nji prej atyne vullnetarëve besimtarë, që ishin mbledhë aty, edhe i shpërndau në të gjithë qytetin, tue i ngjitë ndër shtylla elektrikut e telefonit. Iu suell rrotull gjithë qytetit me biçikletë. Kur kthei, i thame që t’i binte edhe nji herë për rreth qytetit, në të gjithë ato vende ku i kishte vu shpalljet e të shifte a ishte kush tue i lexue. Nuk vonoi e e pamë tue kthye me fëtyrë shumë të trishtueme. Na pru lajmin se nji pjesë e madhe e atyre lajmërimeve ishin shky e ishin hedhë për tokë. Atëherë na u desht me shkrue me shpejtësi të madhe lajmërime të tjera. E burri me biçikletë u nis përsëri e i vuni në vendet kyçe, që ta merrte vesht tanë populli. Bame një mori kopjesh. E  burri me biçikletë nisej krye nji gjysmë oret. Një dorë e panjoftun - e njoftun mirëfilli - i hiqte, e ai i vente përsëri. Tue hy kështu, në historinë e zanafillës së Kishës së mbasdiktaturës, në Tiranë, me gjithë biçikletën e tij, së cilës i tringllonte gjithçka, veç ziles. Ata hiq e na ven. Kështu shumëkush e mori vesht vendin e orën kur do të çohej mesha. Ndërkaq, mbasi hangme bukë, shkueme persri me pa rrugën, ku do të çojshim meshë, pra Meshen e parë. Dishrojshim me e çue te dera e Kishës së Shëna Ndout, në Tiranë, te kisha e fretenve, sepse nata ishte shumë e ftoftë, por ajo derë kishte strehë d.m.th. ishte e mbrojtun si prej eret e si prej shiut. Prandej e zgjodhëm atë vend. Ishte rrugë e dytë e jo kryesore, ku mund të ndërhynte policia. Mirë streha, por aty nuk kishem dritë. Atëherë, me Mehmet Isufin, shkueme te kryetari i këshillit të frontit e i kërkuem me lidhë elektrikun.  Kryetari ishte çam e e kishte shpinë të ngjitun me kishë. I kërkuem të na jepte dritën elektrike, tue i tregue se do të çohej mesha e mesnatës, Mesha e Kshnellave.

Ai ishte jo vetëm kryetari i frontit të lagjes, por bante pjesë edhe në parti e ishte edhe nënpunës i lartë në Ministrinë e ndërtimit. - Nuk jam kundra meshës - na tha - por nuk kam elektrik, s’kam as tel e as s’kam ku e marr. Po dritën nuk jau pengoj. Mehmet Isufi ia ktheu: - Me çka di vetë, ti je çam. Edhe unë jam çam e jam i biri i Azem Beut. - I kujt? -  tha tjetri - ti je i biri i Azem Beut? – Po - vijoi Mehmeti - jam i biri i Azem Beut e me këtë fratin jam njoftë në burg, ku kemi hjekë të zitë e ullinit bashkë. Kemi da çdo kashatë bashkë e jemi ba vëlla e shkue vëllaut. Prandaj mos të shkojë mendja me ia ndalue dritën e elektrikut. E sa për telin, telin po ta biem njitash.

Ndërkaq dërguem e morëm nja 50-metër tel, thirrëm edhe nji elektricist. Veç hallet nuk mbarojnë kurrë. Teli erdh, por duhej pregatitë, duhej nji tavolinë, duhej... Në të vërtetë aty afër ishin vetëm 2-3 familje katolike, por kishin frikë me ndihmue atë ditë për meshen. U kishte hy frika për palc. Kishin frikë prej e për gjithçka. Tanë jeta e tyre ishte shndërrue në frikë e në makthe prangash e birucash burgu. Atëherë i kërkuem ndihmë familjeve të tjera të lagjes, që na u gjetën me shumë dishirë. Mbasi kryem punë me telin e elektrikut, e vume e montuem llampat e u ba dritë e lagjes nisi me i pëlqye kjo Natë e ndritshme.

Ndërkaq motër Gjorgjina shkoi te Balja, nana e Dulit, te e cilla, kur ishin mbyllë Kishat, kishte mshehë disa tesha meshet e disa rraqe kishet. Shkoi, hapi biren sekrete edhe xuer dy copa bronxit. Ishin nji Krisht e nji Zojë, që na i vume në vend të kryqit e kshtu vendi u rahatue. Atëherë në skenën e kësaj nate plot lëvizje e gjallni,  hyni prap burri me biçikletë, të cillin e nisëm përsëri me pa lajmërimet. Ishin aty, apo i kishin zhdukë rishtas? Ndërkaq pregatitëm nji grup për me lajmërue ke të mundshin, po nuk patëm nevojë me e nisë, sepse njatë punë e kishte ba lagjja vetë. Lagjja e zgjueme befas në një mesnatë të paharrueshme.

Ishte ora 11.00. Na ishim te Kisha në pritje të popullit. A do të vinte kush? Vinte s’vinte, do të pregatiteshim. Nata ishte shumë e ftoftë, frynte nji veri i rreptë, si kurr ndonjiherë. Unë kam ndejë shumë vjet në Tiranë, por nji veri kaq të furishëm, që çonte e merrte përpara gjithçka gjente e i fshinte të gjitha rrugat, pa lanë kurrgja në to, nuk e kisha pa kurrë.  Edhe njerëzit e kishin të vështirë me ecë prej eret e prej nji acarit, të papamë në Tiranë. Mendojshem me vedi e ua thoshem edhe të tjerëve se ishte djalli vetë që e shfrynte atë erë, sepse nuk donte me e lëshue Tiranen. Ndonëse e dinte mirëfilli se i kishte ardhë dita me u përkulë para fuqive të Zotit e me dalë jashtë krejt. Thue doli a mbet mbrendë? Këtë do ta tregojshin ditët që do të vijshin.

Atë natë plot lëvizje të ethshme, motër Gjorgjina organizoi gjithçka, me pamjen e gjeneralit të bindun për fitore. Me që i njihte të gjithë njerëzit e Tiranës, asaj s’i xunë kambët dhé tue përhapë Lajmin e Mirë e tue mbledhë njerëz në moshë, që e dijshin mirë çka donte me thanë Mesha e Mesnatës së Kshndellave. Ne oren 12.00, kur gjithçka ishte gati, njeriu i caktuem prej nesh u suell gjithkund neper rrugën Ali Pashë Gucia me nji cingare të vogel, e cilla përdorohej në Meshë, kur çohej i Shejtnueshmi Sakramend. Në fillim të fillimit nuk u duk se do të merrte pjesë edhe aq popull. Ishin jo ma shum se 50 vetë, ndër të cillët,  20 të grupit tonë, që e kishin pregatitë këtë kremtim. Por vetëm 5 minuta mbas përhapjes së tingujve të ziles, që lajmroi rrugicen për ngjarjen e jashtzakonshme, popullsia erdh tue u shtue e vendi tue u mbushë aq, sa pa dyshim mund te thom se mbas 10 minutash u mblodhën rreth atij elteri të vorfën-historik, nja 1000 vetë. Në kambë. Në rrugë të madhe. Në mes të nji të ftofti e të nji ere që u dukte se donte me i marrë me vedi e me i çue kush e di se ku. Të gjithë të strukun, të mbledhun grusht. Por me fëtyra, në të cilat ishte ndezë nji dritë e papame prej një gjysë shekulli. U duken, mandej, edhe njerëz me aparate fotografike, madje edhe me kamera, qi fotografojshin e rregjistrojshin gjithçka ndodhte atë natë në rrugë të madhe, me njerëz që mbroheshin prej acarit, nën një strehë, që kishte kenë e kishës. Nen hije të Kishës...

Nuk mungoi as kori atë natë. I improvizuem e i drejtuem prej Gjorgjinës, që kishte mbledhë aty një grup grash. Kështu Meshës i prinë kangët e pakëndueme prej sa e sa vjetësh, që bane nji efekt shumë ma të madh sesa koncertet e Teatrit të Operas, të shoqnuem me orkestra simfonike. Ndërsa kangët e grave i shoqnonte vetëm fishkëllima e erës, që lëvizte pa mê gishtat e hollë mbi tjegullat e pullazeve. Filloi Mesha me solemnitet. Nuk kishim altoparlant, as qender zanit. Kishim vetëm zanet tona, të pshtueme prej burgjeve. Unë zanin e kam shumë të fuqishem e atë natë i mshova edhe ma fort. Tue ia besue erës, që e barte dhe e çonte ma larg se qendrat e zanit. E kështu dhashë disa herë edhe lajmin se aty, te dera e kishës në Tiranë, Mesha do të çohej jo vetëm atë natë por edhe ne nesre në oren 11.00 edhe për gjithë ditë të diele e ditë feste, gjithnji në oren 11.00 paradite. Populli, që merrte pjesë ishte me shumicë myslimane, por i lutej Zotit me mend e me zemër, sepse iu dukte se po kremton ditën e çlirimit të vet e pritjen e ditve ma të mira. Predkun, a fjalimin e zyrtarit kishtar e mbajta un. Theksova në tê se Kshndellat janë festë, në të cillen Zoti bjen paqen mbi tokë. Përsërita me lot në sy, me engjujt e me njerëzit, fjalët qiellore të hymnit të kësaj Nate të madhe: “Glória in excélsis Deo, et in terra pax homínibus bonæ voluntátis”. “Lumni i kjoftë Zotit në qiell, e paqë njerëzve vullnetmirë mbi tokë!”

 Ky kje thalbi i predkut. Unë nuk e kam zakon me predikue giatë. Më kande ma shumë me i ra për shkurt, për mos me mërzitë askend. Nuk e di çka thashë, por e di se kje nji predk, i cili bani përshtypje të madhe në të gjithë ata, që e ndigiuen. Kur mbaroi Mesha e u gatitem me u nisë, patme shum falënderime. Megjithëse i ftofti i madh vazhdonte, vuna re se ata, të cillët ishin mbledhë atë natë, nuk ishin ma pak se 1000 vetë.

Kthyeme atë natë me fjetë në shpi, me shpirt të lum. Në shtëpi të Gjorgjinës e të dom Ndocit, natyrisht. E ishte nji copë e mirë rruge. Shumë njerëz na shoqnuen deri sa mbërritem, mbasi drojshin mos të na ndodhë ndonji aksident, mos na kishin ngrehë ndoj kurthë e mos të bishim mbrendë me të dyja kambët e ngrime atë natë akull-e-zjarm. Dojshin me na mbrojtë me gjoksat e vet. Nji pjesë e shoqnuesve prite para, na ishim midis, pjesa tjetër na vite mbrapa. Mbrritme në shpia tona, mbas kësaj ngjarje, që mund të na lente edhe pa frymë. Lumnisht pa frymë. Se ma pa gjumë po se po. Megjithse kishte shkue vonë, nuk e besoj se fjet kush atë natë, kur prej qiellit dikohej lajmi se Fuqia e Zotit po zbritëte edhe nji herë mbi këtë tokë. E ku? Në Tiranë. Në Tiranën e tiranëve. Në komitetin qendror të shejtanit.

 Atë natë e pregatita me shkrim predkun qi do të mbajshe ne nesre, diten e Kshnellave. E shkrova, si nuk e kam zakon e nuk e kam pasë kurr. Dyshojshe se mund të na lypin llogari, tue kenë se qeveria ishte në dorë të komunistave. E se dyert e burgut mund të hapeshin prap e prap.

Mesha ishte lanë në oren 11.00. I vumë edhe lajmërimet persri, po ketë herë nuk na i shkjeu kurrkush. Atë ditë shkuem qysh në oren 10 te vendi i Kishës e u munduem me e zbukurue. U gjetne edhe do kryqa e do fugure, madje edhe nji qender zanit, me gjithë mikrofon, që e zmadhote zanin e u ndite mjaft mirë deri larg. Ishte nji gja e re për kishën. Deri më atë kohë këtë punë e bajshin  zani i fortë e tingëllues i meshtarëve e akustika e Kishës. Pjesmarrja e popullit kje e jashtzakonshme.  Ajo copë e rrugës Ali Pashë Gucia, tue fillue qysh prej aty, ku i thoshin furra elektrike, e deri në cepin tjeter, te shkolla Partizani, ishte plot e përmaje me njerëz. Kje nji ditë e papersritshme,  e ftoftë, po, por e bukur. Shum e kthjelltë, si lotja. E jetueme me solemnitet të papërshkrueshëm. Lum ata, që e ndoqën atë ditë engjujsh. Ndoshta dukej kështu, edhe pse prune shum fmijë me i bekue. Madje prune me bekue edhe ujin.  E lamë me çue nji meshë edhe per Vit të Ri e lajmërueme se me daten 6 Janar do të kremtohej po në atë vend mesha e madhe pikërisht per Festën e Ujit të bekuem.  I porositme me e pru me vedi ujin, kush donte me e bekue.

Mbasdite po na vjen në derë polici e na lajmëron si mue, ashtu edhe dom Ndocin  me shkue e me u paraqitë në polici. Natyrisht që, me folë të drejten, do frikë e kishim, por jo aq, mbasi  e dishim që në Shqipni të veriut ishin çue meshë për gjith vend. Vetëm per Tiranen ishte nji gja e jashtzakonshme, sepse hera e parë. U paraqitme të dy në polici. Kishin ardhë edhe nja 4-5 vetë me na shoqnue. Ata i lanë jashtë. Me ne lanë vetem njenin prej tyne. Na e dishim vetë se kishim veprue kundra ligjit, sepse në bazë ligjit, miratue pak kohë përpara për mbledhjet publike nëpër rruga, u dote lajmërue policia tri dit përpara. Mbasi ta kërkojshe lejen, ata të caktojshin vendin ku me e ba mbledhjen. Ndërsa na s’kishim pvetë kurrkend e as në mend s’na kishte shkue në atë hov, se duhej kërkue leje me çue meshë, në një truell, që ishte kenë gjithmonë i joni! Atëherë na u desht me pohue se nuk e kishim dijtë ketë ligj e se aty po e merrshim vesht për herë të parë. E me qenë se e morme vesht – u thamë - po ju lajmërojmë qysh tesh se diten e diele përsëri do të çojmë meshë, prandej presim të na siguroni vendin, publikun e qetsinë. Kishim lajmërue edhe për daten 6 janar, por nuk na e pranuen, sepse, thanë, duhet me lajmërue 3 dit para. Atëherë, mbasi dom Ndoci banonte gjithnji në Tiranë, vendosem që ai të dërgonte njanin me ‘i copë shkresë, me e lajmërue policinë gjithmonë 3 dit para. Mbas gjithë këtyne ngjarjeve, që natyrisht më kishin prekë thellë, per Vit të Ri ktheva në Shkodër pranë familjes.

Ngjarja e Tiranës ishte marrë vesht në tana anët e ishte jetue si kulm i madh gëzimi për gjith Shqipninë. Fill mbasi festova Vitin e Ri në Shkodër, ktheva përsëri në Tiranë, shkova te dom Ndoci mbasi ai ishte si me thanë famullitar i emnuem qysh përpara aty edhe i thaçë se do të bajshim mirë me i kërkue pushtetit të na e lirote kishen, që ishte pronë e jona e kështu me i ba ceremonitë fetare mrenda kishës. Deri atëherë kisha e Shna Ndout ishte kenë qendër e frontit demokratik të lagjes. Kërkesa për nji herë nuk u pranue, por tue kenë se na vazhduem me çue meshë, atëherë, andej kah 20 janari, na erdh përgjegja e letrës. Nuk erdh me shkrim, por vetëm me gojë. Kështu lajmëruen se policia u mërzit tue ruejtë rrugen cep e në cep për çdo të diele. Sidomos diten e 6 janarit. Dita e Ujit të Bekuem kje nji rast i jashtzakonshem për Tiranen. Kishin ardhë nga gjitha anët mund të thomi, bile kishte ardhë prej Bumellave të Lushnjës edhe nji farë Mark Hilukut, i cilli na ndihmoi në mënyrë të jashtzakonshme, sepse i vijshin për doret shum mjeshtri: jo elektriku, jo kjo, jo ajo, e na ndihmoi shum në të gjitha telashet që dalin në këso rasash. Prandej, kur kreu punë, vendosëm me e mbajtë aty. Atë ditë nji familje myslimane me mbiemër Dashi, na pruni nji mikrofon, dy bile, pruni edhe nji qender zanit shum të fuqishme, sepse i zoti i shpisë punonte dikund me nji orkester të shtetit, po me atë zanat dhe e kishte marrë qendren e zanit në shpi të vet qysh nji ditë përpara. E pruni dhe e instaloi, në mënyrë që mesha, predku e kangët t’i ndigiote gjith rruga Ali Pashë Gucia, që mbushej cep e në cep. E jo vetem atë ditë. Njerëzit, sidomos fëmijët,  hypshin mbi mure e mbi pullaze të shpijave. Ishte mbushë me popull përgjith vend, se të gjith doshin me pa. Aty në lagje gjetme disa fuçija, dikur benzinet, por që mandej ishin përdorë për ujë. I morme e, mbasi i pastruem, i mbushme 6 fuçijat me ujë. Si e bekuem, mbas meshet e shpërndamë. E të gjithë u nisën kah shtëpitë shend e verë, si të ishin tue kthye prej Darsmes së Kanës, me ujin e shndërruem në venë ndër shishe. Lumnisht të dejun, si ishin në shpirt.  Prej 6 fuçijave nuk mbet asnjë pikë. Të gjith doshin me e marrë, por doshin edhe me shkue e me ua bekue shpijat. Me qenë se  nuk ishim të zot me e ba at punë, u mjaftuem me shishet e vogla, që e përhapën bekimin ndër shpija, në atë ditë të bekueme.

Aso kohet liria nuk erdh vetem për të marrë pjesë në ceremonitë fetare e shpirtnore. Erdh edhe si liri e fjalës, liri e mendimit e, kryesisht, trokiti edhe në dyert e politikës shqiptare. U organizue aso kohet nji lëvizje e madhe studentore në Universitetin e Tiranës, kryesue prej studentit Azem Hajdari. Azem Hajdari ishte prej Tropojet. Djalë i guximshëm magnetizues, që doli mbi  studentat të tjerë, të cillët i tërhoqi mbas vedit në nji lëvizje e fuqishme studentore. Lëvizja nisi me kërkesën për përmirsimin e kushteve të jetesës, e përfundoi tue kërkue pluralizmin politik ose mendimin e lirë edhe në politikë. Pothuejse gjith eksponentat e kësaj lëvizje studentore, sa herë qi thoshem meshë, silleshin aty, rreth lterit. Ndoshta vijshin kryesisht me rekrutue njerëz mbas vedit, por megjithkëta shpesh herë takoheshin përzemërsisht me mue e gati gati më lypshin këshilla ose flitshim lirisht, shum lirisht bashkë. Pothuejse gjith krenët e asaj, që filloi me u quejtë demokraci, dukeshin herë mbas heret aty e kështu më takoi me i njoftë të gjith. Pak kanë mbetë prej tyne sot. Pothuejse të gjith janë shpernda neper botë. Të gjith bij të partisë të punës, paten per detyrë me e çue vendin deri në pragun e demokracisë, pa derdhë gjak, natyrisht, e me shembë gjith idhujt e kohës së kalueme. E edhe i shembën. Për të naltue mbi ta, idhuj të tjerë! Idhuj mbi idhuj. Kështu rrokulliset historia njerëzore, pa gjetë kurrë paqë.

Aso raset e njofta edhe Azem Hajdarin. Ishte djalë shum guximtar, i shprehshem, kishte karizmen e nji prijësi të mirë, por për kah kultura nuk ma mbushi menden. I mungonte kultura e gjithanshme, moderne, e shëndoshtë, që vërehet pa hapë mirë gojën. Shkelxen në një fjalë të vetme, thanë me mend e me vend. Kishte atë kulturë, që merrej në shkollen e kohës së komunizmit. Me gjith këta, me zellin e hovin rinor, në çastet e para të shperthimit, i pat ba per vedi të gjithë.

Ndërsa na vazhdoshim gjithnji me meshue aty, në rrugë të madhe, duket se qeverisë, ma në fund, i ra ndër mend për letrën, me të cillën i kishim kërkue të na e lëshojnë kishen. E aty mbas 20 janarit qendra  e frontit demokratik u ba prap kishë. Shndërrim, edhe ky.  Në vend të kryetarit të fronti, u ngjit në elter prifti. E vendin e fjalimeve kundër Krishtit, e xunë rishtas predikimet.  Në një kishë të palyeme e të errët, sepse ata, që dolen këndej, i morën edhe dritat me vedi. Kujtojshin se na besojmë në dritën elektrike! Të dielen e parë, që çuem meshë aty, nuk patem kohë as mundësi me shti bojaxhijtë e me e lye, kështu mesha u tha në një ambient plot me parulla. Në sa ndiqshin Meshën, sytë e besimtarëve bridhshin mureve, ku  lexohej “Rrnoftë komiteti qendror i partisë punës së Shqipnisë me në krye shokun Ramiz Alija”. Rrnoftë...  E, rrnoftë Krishti Mbret – ndigjohej zani i meshtarit prej elterit. Diktatura kishte dekë, nuk mund të rrnonte ma. Edhe pak e do të zhukej nën brushën e bojaxhijve, edhe nga këto mure.  Të paren meshë, pra, e thame njashtu e populli e pa se ishte e nevojshme me e dëbue diktaturën edhe prej këtyne mureve. Kështu u mblodh nji lëmoshë e vogël, për me mujtë me e lye së pakut me bojë të bardhë një herë, sa me i zhdukë të gjithë ato parulla, që vijoshin me i trembë gjinden.  Menduem me e lye ma vonë për së mbarit. Ia filluem punës e punëtorët, ndonëse pa pagesë, nisën me i zhdukë ato parulla me dishirë të madhe. Ishte me të vërtetë kënaqësi me e pa gjithë atë zezonë, si u zhdukte nën sherbetin e bardhë si bora. Me t’u dukë se vendit po i rikthehej bardhësia e hupun.

Kur na dorëzuen çilcat e kishës, i mora vetë, tue kenë se kisha ishte françeskane. S’i kisha shti ende mirë në xhep, kur  dom Ndoci m’u zhduk sysh. Qysh atë ditë nuk erdh me meshue ma aty, po u nis e shkoi te një familje në Babrru. Në të vërtetë pjesa ma e madhe e katolikve ishin atje, në Babrru, pse giatë kohës së partisë së punës kishin ardhë si punëtorë në Tiranë edhe kishin krijue nji lagje në vedi.

 Kur mora çilcat e kishës në dorëzim, mendova mos me u sjellë ma, mos me shkue me fjetë as te Gjorgjina e as ndokund njeti, por hyna aty, në nji dhomë të vogël mbas elterit. Mora do dërrasa e bana nji lloj krevati, tue i shtrue për tokë. Shkova në pazar e bleva dyshek e jorgan. Të vjetër ishin, po mue më struken, se ishte shumë ftoftë. Nisa me banue aty, në Kishë mrendë, në mënyrë qi mos të hynte kush tjeter pse, me ramjen e diktaturës, gjithçka po shperbahej, me qeveri e me  rregullore. Ishte nji pshtjellim i organizuem. Kështu mujshin me ardhë njerëz, siç edhe erdhne, e me e xanë kishen edhe ec e qiti jashtë mandej, në një vend që nuk kishte ma as kanû as ligjë. E ku djalli ishte pa tue hy, por jo tue dalë. Prandej  e zaptova vetë. Që isha i zoti! Kështu kisha erdh ditë për ditë tue u pasunue, erdh tue u ba gjithnji ma shumë kishë e tue marrë trajten që kishte pasë dikur, kur nuk ishte dhunue e ba front demokratik. Njeni, qi punonte kryqa guri nder vorre, erdh e më pruni nji ditë nji kryq gurit për me e vu aty nalt, përmbi façatë të kishës, qi të dallohej prej ndërtesave të tjera. Të shifej se ishte kishë. Kur deshta me ia pague mundin, kryqaxhija i vorreve jo vetëm nuk pranoi shperblim, por pruni edhe nji murator tjeter që ta ndihmonte me vu kryqin. Kështu e vunë ata vetë. Mbas tyne ia behi nji marangoz, që pruni nji kryq drunit mjaft të madh, për ta vu mbi tavolinën, ku çosha meshë, në façatën mbas elterit, që ta shifshin të gjithë. Ndërsa nji tjeter më pruni nji kuadër të madh fetar, ruejtë me shum kujdes e me shum xhelozi, në gjendje shum të mirë. Në të ishte pikturue Gjon Pagëzuesi, tue pagëzue Krishtin në lumin Jordan. Kuadri, i pikturuem me dorë, nuk ishte fort i vjeter. Si pikturë ndoshta nuk kishte aq vlerë, por per këtë kishë të plaçkitun, krejt të zhdeshun, kishte randsi të madhe. E vuna, prandej, në ballë,  mbasi nuk kishim fugure tjeter. Ndersa nji grue më pruni nji punim dore, te cillin e kishte ba ajo vetë, sepse ishte piktore. Kishte pikturue Zojen e Shkodres, Zojen e Këshillit të Mirë, te veshun me kostum shqiptar, jo ma tue ikë, por tue u kthye prej Gjenacanit. Zoja po kthehej! E kisha po pertrihej,  po pajisej e po fillonte me u frekuentue edhe prej ambasadave të hueja. Ishin të pranishëm për çdo ditë të diele, ambasadori jugosllav me gjith të shoqen, po ashtu edhe ambasadori italian, në atë kohë, diplomati Torquato Cardilli. Thoshin se ishte socialist, po në kishë nuk mungonte kurr. Ai nji e zyrtarët e ambasadës Italiane, 4 a 5, ishin te pa mungueshem. Njana prej grave vinte gati gjithmonë me kamera e xhirote gjatë kohës meshen e predkun. Tue ardhë ambasadorët aty, u shtue edhe populli, madje edhe personalitetet që kishte Tirana aso kohet. E unë nisa me u takue me ambasadorë, aq sa nuk isha takue gjatë gjithë jetës seme. Takime të përditshme me ambasadorin Italian Cardilli e me ambasadorin francez te cillët u treguen të gatshëm me i plotësue nevojat e kishës, nevojat ma urgjente, kuptohet. Ndoshta sepse e shifshin me sytë e vet se ajo, kishë i thançin, ashtu e vogel, e zhdeshun, fukara, ishte ma e dejë me u quejtë qendër e frontit demokratik, sesa kishë. Bankat i kishte ma zi se bankat e shkollave, elteri ishte nji tavolinë e thjeshtë, petkat që i kishte ruejtë Gjorgjina të mshehuna deri atëherë, nuk ishin aq të kqija, po nuk ishin as të mira. Tue e pa gjithë këtë mjerim, mbas pak kohet nji nënpunës i ambasadës italiane, që erdh me pa meshë nji ditë të diele, më dorzoi nji pako me 5 palë tesha meshet, dergue prej nji famullitari të nji famullije italiane, megjithë enët shejte, me gjith ungjill, me leximet e pajisjet e plota të elterit. Natyrisht më bani me vu firmen e me i shkrue nji leter falënderimit famullitarit bamirës që t’ia dorëzonte, kur të shkote në Itali.

Kështu Kisha e vorfen, që ishte kenë zyrë fronti, na u ba edhe qander takimesh. Diplomatike, madje. Me fratin që nuk kishte kurrgja mbas shpirtit per me pritë kend. Ishem ma fukara se vetë Sh’Françesku. Por, i kjosha falë nderës Zotit, kishem miqt, kishem disa miq burgagji të vjeter në Tiranë, si Spiro Vllahun e Mehmet Isufin e shkojshem e hajshem ma fort te ata e te Gjorgjina e ktheheshem me fjetë aty ne shpi. Mandej nisa me ndejë aty edhe gjatë ditës, per me pritë, si me thanë, vizita, mbasi mund të vinte ndokush per ndonji nevojë. Me folë të drejten, ma shum se kurrkush vishin njerz që dojshin me u marrë me politikë. E kush nuk donte me u marrë me politikë në atë kohë. Kishin kalue 50 vjet pa dijtë se çka asht politika, pa dijtë çka asht demokracia, pa dijtë çka asht liria. Ishte nji gja e re per popullin shqiptar e vishin te na, të vjetrit per me mujtë e me formue ndonji parti, veç asaj kryesores, partisë demokratike, plot me bijtë e lindun prej partisë së punës së Shqipnisë. Ndersa burgagjitë e vjeter e njerzit qi s’kishin kenë marrë kurr me politikë, kishin nder mend me mujtë e me e formue nji parti te re. Të gjith i kishte kapë sëmundja e partive, thue se s’ishin ngi me nji parti e, prej këndej, doshin shumë. Me shue një û 50-vjeçare për parti. Të primë prej atyne, që kishin hangër vjet e vjet burgimi, pikërisht për punë partish të kahmotshme, mbasi të rejat kishin perfundue ndër pranga, ende në fasha.

Nuk mund u vehej faj, prandej. Ishin shum që kishin ba burg per partinë demokristiane, shum të tjerë kishin ba burg per legalitetin, kishte shum edhe asish qi kishin ba burg per ballin kombtar porse tashma kerkoshin elementa të ri, pse anëtarët e atyne partive të vjetra kishin shkue me u marrë me politikë kahmot ndër vorre të harrueme.

            Kështu vishin jo vetem me u këshillue, por edhe me mujtë e me ma mbushë edhe mue menden për të krijue nji parti të re: ose nji parti demokristiane, ose ndonji parti tjeter të re, që t’u përshtatej kohnave post-komuniste. Në të vërtetë, këto kërkesa nuk vijshin vetem prej miqve e shokëve të Tiranës, por edhe prej Shkodret, prej Vloret edhe prej anëve të tjera, si prej Durrësit, ku kisha miq e shokë burgu. I këshillova që mos të merrena ma me partitë e vjetra, as me ballin kombëtar, as me legalitetin. Ishin të kalueme, tashma. U dhashë mendimin me formue nji parti të re, e cila të përfshinte njerëz pa dallim fejet, me emnin BASHKIMI FETAR në Shqipni ose ALEANCA FETARE. Ky mendim u pëlqye prej të gjithve, pse në te mund të merrshin pjesë njerëz pa dallim fejet, pa dallim klasash, pa dallim partish të vjetra e të reja, d.m.th njerëz me fe e pa fe me çka kishin e me çka s’kishin. U paraqiten dy projekte, nji projekt statut i partisë demokristiane i bamë prej Nush Radovanit, me tendencë krejtësisht demokristiane, që pothuejse nuk dallonte prej partive demokristiane të Europës, e nji projekt tjeter, edhe nji statut tjeter, i bamë prej mejet. Plani em parashikonte  që, me anë të rrotacionit, kryetari i asaj partie të ndërrohej vjetë për vjetë d.m.th nji vjetë me kenë mysliman, të dytën vjetë, ortodoks, të treten, katolik, të katërten bektashi, të pesten  përfaqësuesi i atyne, që nuk besojshin fare. Mbas shum përpjekjesh e shum mbledhjesh që bame sa në Shkoder, aq në Tiranë, ia dolme me formue nji këshill të përbamë prej 9 a 10 vetësh edhe e paraqitme at program në gjykatë, pse duhej aprovue partia. Ketë punë e mori mbi vedi Mehmet Isufi. Ai e paraqiti në gjykatë edhe shkonte shpesh atje, për me marrë përgjigje, derisa nji ditë prej ditësh Rustem Gjata, qi ishte kenë gjykatës dikur e që në atë kohë ishte kryetar i gjykatës kushtetuese, po na i thotë plakut të shkretë: “Ndigio këtu, more djalë; s’lojtëm nga mendtë, që t’ua lëshojmë pushtetin të burgosurve politikë. Prandaj mos u mundo kot. Kjo parti nuk do të miratohet kurrë!”. Ashtu tha e ashtu ndodhi. Me gjith mbledhjet, me të gjitha përpjekjet që u bane, prapseprap ajo parti nuk u aprovue kurr, deri në zgjedhjet e vjetit 1991. U aprovue vetem mbas zgjedhjeve, që u bane në mars, ndërsa para zgjedhjeve të marsit erdh prej Italijet nji përfaqësues i partisë demokristiane. Pikoli e kishte mbiemnin. Ai i thirri në ambasaden italiane të gjith njerëzit, qi dojshin me u përfshi në politikë. Në ketë partinë e bashkimeve fetare kjenë thirrë Ruzhdi Çoba e Nush Radovani, por Pikoli ngulmonte që mos të formoheshin parti të tjera, përveç partisë demokratike. Thote se ata me këtë rrugë e kishin kundërshtue komunizmin në vjetin 1948, tue formue partinë demokristiane në Itali, si kundërshtare kryesore e partisë komuniste. Ai  nuk e kuptote aspak se gjendja në  Shqipni ishte krejt ndryshe.  Si përfundim dikur, tue kenë se u larguen si Mehmet Isufi, ashtu edhe të tjerët, ajo parti degradoi edhe iu shndërrue emni në parti demokristiane, por në të vërtetë kje hajni e shkarthave të partisë demokratike. Kështu na e vodhen edhe partinë. E me tê, mbaruene edhe këshillat e mija për politiken.

Nderkaq në Shqipni u duken rryma të reja fetare: erdhen prej Holandet, prej Suedijet, prej Kosovet, prej Ameriket, prej Gjermanijet, erdhen rryma të reja kristiane, forma të reja të evangjelizmit e të protestantizmit. Unë nuk kjesh kundershtar i këtyne rrymave, bile tue kenë se popullsia shqiptare ishte në përqindje të madhe islamike, m’u dukte e arsyeshme që populli shqiptar mos të kthehej në fenë ortodokse, as në fenë katolike, por ta merrte kristianizmin nëpërmjet evangjelistëve ose protestantëve. Kështu e mendojshem unë zhvillimin e natyrshem historik të kthimit të popullit shqiptar në kristianizem, prandej edhe nuk shpreha - ose ma mirë me thanë - shpreha nji dashuni të madhe karshi këtyne rrymave të reja, aq sa ata shpesh herë, për mos me thanë ma të shumten e herës, i bajshin mbledhjet aty te kisha jeme deri sa xune shpija me qira, hyne mbrendë e filluen me u formue kisha të ndryshme. Por ndermjet nesh miqësija mbet miqësi. Ata më ftuen sa herë ndër  mbledhjet e tyne, ndër kishna të ndryshme, e edhe kur moren me qira nji kinema të madhe, aty ku ishte pallati pionierëve. Aty i bajshin mbledhjet e përbashkëta të gjitha kishat, sidomos ndër dit të diele, e më ftojshin edhe mue sa herë. Pata marrë pjesë me qejf, pa predikue, por tue ndigjue predket e tyne e tue ndjekë zhvillimet e ceremonive të tyne fetare. Përveç këtyne, kam mbajtë kontakt të vazhdueshem me komunitetin mysliman, e jo vetem formalisht, por me dashuni vllaznore, sepse me Hafiz Sabri Koçin na lidhte nji miqësi e gjatë, qysh në burg. Ishim mirëkuptue kahmot e mund të ecshim në të njëjtin drejtim, tue mbajtë secili fenë e vet, tue respektue jo me tolerancë, si i thonë tashti, por me nji bashkëjetesë të mirë fetare e shoqnore. Ndërsa komuniteti  bektashian, i formuem po atëherë, më konsiderote si vëlla. Ndoshta edhe pse murgj ata, e  murg unë. Sa për ortodoksët, tue kenë se nuk kishin kurrnji prift të shuguruem, e edhe nji, që ishte në jug të Shqipnisë, prirej kah kisha greke e nuk donte qi të bante një kishë autoqefale, e ndiqshin gjithmonë meshën te unë e te unë, edhe ceremonitë fetare. Kështu nuk i konsiderojshem të huej, por të barabartë me besimtarët tonë katolikë, aq sa pagëzova shum prej tyne, gjithmonë tuj vu shënimin që mbeten ortodoksë.

Njaty kah fillimi i gushtit erdh në Shqipni peshkopi Anastas Janullatos. Erdh prej Afriket, i dërguem prej Patriarkanës së Konstandinopolit si peshkop, për me mujtë e me ringjallë Kishën ortodokse në Shqipni. I dola para në aeroport, me grupin e ortodoksve,  që silleshin rreth mejet.  Tue kenë se te kisha eme vijshin shumë fëmijë, i mora disa me vedi, me nji tubë lulesh e shkuem  në aeroport dhe e pritëm me dashuninë ma të madhe. Për disa kohë na kem zhvillue bashkë  mbledhje taman vllaznore. Miqësia, që lidha me kryepeshkopin, më ka mbetë edhe sot e kësaj dite në zemër. Isha tepër i gëzuem që njofta nji  njeri shenjt e të ditun, siç asht Anastas Janullatos.

Por ndërkaq filluen me ardhë misionarë të huej, kryesisht italianë, edhe për Kishën katolike. Natyrisht Kisha katolike ishte pa hierarki kishtare e secilli bante simbas mendes së vet. Na, të vjetrit, që kishim mbetë, u mblidhshim krye mojit për me koordinue veprimet njani me tjetrin, por nuk kishim organizim, mbasi nuk kishim hierarki kishtare.

Gjatë kësaj kohe unë jo vetëm qi hapa kishen në Tiranë, por e hapa edhe në Durrës e shkojshem shpesh. Shkova edhe në Vlorë, e edhe atje ma dorëzuen kishen e vjetër katolike, e cilla ishte shndrrue në kinema. Si u ba prap kishë, edhe aty nisen me u mbledhë ortodoksë, katolikë e myslimanë e u predikojshem të gjithëve besimin në Zotin, që asht kryesori e nji për të gjithë.  Përveç ktyne, shkova edhe në Kuçovë, ku ishte kenë nji kishë katolike, tashma shndërrue në teatër për fëmijë, për pionierë. Ndërsa banesa e priftit, ishte shndërrue në shpí pionersh. M’i lëshuen të dyja, pa kurrfarë ndrrimit. Mbas Kuçovës, shkova e u takova me autoritetet në Fier e në Lushnje, ku ishin internue shumë prej maleve tona e ishin formue qendra katolikësh. Prandej u kërkojshem  nji tokë o nji vend ku me mujtë e me ba nji kishë. Më pritën mirë, edhe pse ishin të gjithë anëtarë të partisë së punës së Shqipnisë. Thoshin të vertetën, apo shtiheshin? Sepse me sa duket kishte ardhë koha e njerëzve që ndërrojshin ngjyrë simbas stinës. Politike, natyrisht. Ndoshta edhe pse s’e kishin provue kurrë acarin e rreptë “të  dimnit të  madh”.  Me thoshin, pra, kur i pyetshe, se gabimi ma i papranueshem që ka ba partia e punës, ishte mbyllja e kishave e xhamijave, prandej ata, që ishin kenë ma diktatorë se diktatori, tash dukeshin ma katolikë se Papa, kur duhej me e ndihmue shërbimin e kultit fetar në Shqipni.

 

12 dhjetor 2023, 11:17