“Krishtlindja, në kryevepra proze”: lindja Zotit në trojet ilire
R.SH. / Vatikan
Në rubrikën “Krishtlindja, në kryevepra proze”, “lindja e Zotit”:në trojet ilire.
Ora 0 e vitit 1 mbas Krishtit në trojet ilire
Nata e thellë, e heshtun, kishte mbështjellë gjysën e Planetit. Mbi fiset: Epirotas, Enkelej, Kelidonë, Taulantë, Ardej, Vardej, Labeatë, Dardanë, Dalmatë... që lageshin nga ujnat e dy deteve e s’kishin ende një emën të përbashkët, kishte ra një terrinë e prarueme. Ashtu si e prarueme ishte gjysa e botës, në sa mbi gjysën tjetër shndriste një diell tejet vezullues.
Njerëz, të mbërthyem në metal, me shpata të ngjeshuna në brez; barij, si barijtë e të gjitha kohëve, veshë me gozhupë, sepse maja e dimnit; gra me xhubleta e fëmijë përgji, shikjojshin në qiell një Hyll të pazakontë. Kometa lëshonte dritën e vet të ambël mbi gjysën e botës, që atë natë nuk e merrte gjumi, me parandjenjën e një risie të panjoftun. Trojet, që s’e dijshin as vetë si quheshin, që shumë ma vonë do të quheshin Albani, vendi i agimeve të bardha, nuk e dijshin as se diku larg, në një vend që s’ia kishin ndigjue kurrë emnin, në Betlem, kishte lé një Ferishte.
“Ç’po ndodh kështu?”, pyetshin gratë ilire me fëmijë për gjini. “Shka â ka ndodhë, bre!?”, pyetshin barijtë, që ruejshin grigjët në bjeshkë, njësoj si barijtë e Betlemit. “Ç’po ngjet?”, pyeste shqetësueshëm orakulli i Delfit, që vegonte si rroposeshin elterët e zotave të rrêjshem, të cilët asokohe sundojshin të patrazuem mbi këto troje, të njoftuna prej botës helenike si Pellazge e mandej si Ilire.
Populli, që shtegtonte në terrina, pau një dritë të madhe; për ata që banojshin në tokën e hijes së vdekjes, zbardhi drita! Kometa lajmonte se edhe mbi këto troje do të shndriste një dritë e re, që do t’ua ndërronte faqen. Krishti kishte lé në Betlem edhe për këta njerëz shtatmëdhaj të shkapërhapun në fushat, kodrinat e ma shumë në malet, ku haheshin me hijet e luftojshin me kulshedrat. Edhe atyne u ishte falë një djalë, një “Këshilltár i bindshëm”, “Perëndí i fuqishëm”, “Atë i përjetshëm”, “Princ i paqës”.
Mbi pergamenën e trojeve ilire do të shkruheshin faqe të reja të historisë, të lidhuna pikërisht me Ferishten ende të panjoftun, lindë në një shpellë të shkretë në Palestinë, si shpellat e tyre, ku u lindshin fëmijët gjatë sulmeve të papreme, lakmitare të huejve. Foshnja Hyjnore e ndante kohën në dy pjesë: hapej edhe këtu faqja e parë e një libri të ri: Librit të mrekullive, librit të krishtenimit. Iliria, nën dritën e ambel të Kometës, jetonte orën xero të vitit 1 mbas Krishtit! Niste një epokë e re e historisë së këtyne trojeve.
Këtë epokë nuk duhet ta shfletojmë si të ishte një album kujtimesh, sepse nuk flet për të kaluemen. Kumton një Lajm gjithnjë të ri, që vijon të përhapet në vise, në kohë e në zemra.