Kërko

 Il Natale nella letteratura Il Natale nella letteratura

Krishtlindja, në kryevepra proze, “Lavdi Zotit në qiell e paqe njerëzve, që ai i do!” (emisioni XX)

Nga Shpella e Betlehemit përhapej në mbarë gjithësinë jehona e këngës. Këndonin së bashku koret e engjëjve e të barinjve: “Lumni Zotit në lartësi të qiejve, e paqe në tokë njerëzve, që i ka për zemër!

R.SH. / Vatikan

Në rubrikën “Krishtlindja, në kryevepra proze”, (emisioni XX) një nga 365 rrëfimet e  “Librit të mrekullive”, me autorë të ndryshëm, botuar më 2007, në Milano nga Shtëpia Botuese Paoline. Në treqind e gjashtëdhjetë e pesë syzime, na njeh me po aq personalitete e ngjarje, që ia ndryshuan faqen botës. Duke u nisur nga ngjarja më e madhe, e cila e ndau më dysh historinë: nata, kur Engjëjt kënduan mbi Shpellën e Betlehemit “Lavdi Zotit në qiell e paqe njerëzve, që ai i do!”:

“Errësira e natës bëhej gjithnjë më e dendur. Betlehemi ishte tashmë fare pranë. ‘Besoj se foshnja është duke lindur’, tha me zë të mekur Maria. Jozefi trokiti në portën e një bujtine. Pastaj në një portë tjetër, në një tjetër akoma... Po për ta nuk kishte vend... aq më pak për një të posalindur, që qan, bën zhurmë, i shqetëson të gjithë! Le të shkonin e të kërkonin gjetiu. ..

‘Bëj diçka, sa më shpejt’ , ngul këmbë Maria ‘po vjen!’.

Jozefi dallon një kasolle bagëtish. Hyn brenda. Shikon një ka e pak kashtë. Frymëmarja e Marisë bëhet dihatje: arrin çasti kur foshnja do të dalë në dritë.

Papritmas era i davarit retë e nata kthjellohet. Në qiellin blu nisin të xixëllojnë ca yje, pastaj ca të tjerë, pastaj miriada e miriada yjesh. Nata bëhet  si të ishte pika e ditës.

Maria e vë të posalindurin mbi kashtë e ai nis të gugasë. Jozefi ia ngjet menjëherë emrin. E quan “Yeshua”, që do të thotë Jezus.

Ndërkaq në zonat për rreth barinjtë zgjohen nga drita e fortë, që rrezaton prej qiellit. Njëri prej tyre ngjitet në maje të një kodre e nis t’i bjerë fyellit, për të thirrur të tjerët. Duket sikur muzika kalon nga një maje tek tjera, duke pushtuar hapësirat e pamata të asaj nate të pazakontë. Në një skaj të kasolles, Jozefi ndez një zjarr, për të ngrohur Marinë e ferishten. Barinjtë e shikojnë nga larg e afrohen, me delet e me qingjat e tyre në krahë. Foshnja është e mbështjellë në shpërgaj e ata ia ngulin sytë e tyre të mahnitur.

Era vijon të fryjë e degët e pemëve duken sikur këndojnë, sikur duan të përhapin dalë-nga-dalë një lajm të jashtëzakonshëm.

Për të urtët e astrologët nuk kishte më asnjë dyshim: kjo erë e papritur shkaktohet nga një kometë, kalimin e së cilës e prisnin  prej ditësh. Ajo ishte shenja e një ngjarjeje të madhe për njerëzit. Astrologët nisen për në Jeruzalem. Duan të dinë në se kishte lindur ndonjë pasardhës për fronin mbretëror. Jo, nuk kishte lindur asnjë mbret i vogël. Vijojnë, atëherë, rrugën, deri në Betlehem, e atje marrin lajmin e lindjes së djalit të Marisë e të Jozefit. Shkojnë ta adhurojnë Foshnjën e i vënë tek këmbët thesaret e tyre: pastaj  nisen përsëri.

Në sa shtegtojnë, njëri prej tyre thotë: “Thua të jetë e mundur që Hyji të zbresë mbi tokë, me pamjen e një fëmije?

“Në këtë rast duhet të jetë një Hyj tepër i përvujtë, i përmbajtur, që nuk dëshiron ta tregojë pushtetin e tij, e as t’i nënshtrojë njerëzit me forcë” - përgjigjet tjetri.

E i treti ia pret: “Nëse ekziston me të vërtetë një Zot kësisoji, sa zbulesë e madhe do të ishte kjo për të gjithë njerëzit”.

Vijuan, pastaj, udhën në heshtje, ndërsa nga Shpella e Betlehemit përhapej në mbarë gjithësinë jehona e këngës. Këndonin së bashku koret e engjëjve e të barinjve: “Lumni   Zotit në lartësi të qiejve, e paqe në tokë njerëzve, që i ka për zemër!

20 dhjetor 2023, 10:51