Kërko

 Il Natale nella letteratura Il Natale nella letteratura

Krishtlindja, në kryevepra proze: At Zef Pllumi ofm “Nata e Krishtlindjes në malësi” (Emisioni VIII)

Sot në rubrikën “Krishtlindja, në kryevepra proze” (Emisioni XI), zgjodhëm një fragment nga epopeja e mirënjohur e atë Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”. I shkëputur nga vëllimi II i librit, titullohet “Nata e Këshndellave në malësi”.

R.SH. / Vatikan

Sot, në rubrikën “Krishtlindja, në kryevepra proze” (Emisioni VIII), zgjodhëm një fragment nga epopeja e mirënjohur e françeskanit atë Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”. I shkëputur nga vëllimi II i librit, titullohet “Nata e Këshndellave në malësi”.

Por para se të nisim leximin, po përpiqemi ta përmbledhim me dy rreshta, një jetë, që tregohet në një mori vëlllimesh, tashmë të botuara.

Atë Zef Pllumi(28 gusht 1924, Mali i Rrencit–26 shtator 2007, Romë), frat françeskan, publicist e shkrimtar, pas 26 vjet burgimi, botoi, ndërmjet tjerash, tre vëllime me titullin: “Rrno vetëm për me tregue”, që lexuesit e vlerësuan si “Arkipelagu Gulag” shqiptar. Aktakuzë e rëndë kundër regjimit që shkoi, e edhe kundër atij, që e pasoi, libri klasifikohet me vështirësi ndërmjet llojeve e zhanreve që njeh letërsia. Është i gjinisë epike, pa dyshim. I llojit të prozës dokumentare. Por në të gjen faqe, që të kujtojnë romanin, gjen pjesë që i takojnë historisë së Kishës, çaste fetare meditative, fragmente të holla lirike e, sidomos, një venë të mprehtë satirike, që të kujton se autori  e njihte mirë çerdhen e “Anzave të Parnasit”. Këto elemente ndjehen fort edhe në fragmentin e zgjedhur për lexim në rubrikën“Krishtlindja, në kryevepra proze”, në të cilin autor kujton kremtimin e Lindjes së Krishtit, kur ishte famullitar në Dukagjin:

“Mora vesht se qysh me hymjen në fuqi të Statutit të Kishës organet e pushtetit kishin lejue edhe festimin e Natës së Këshndellave, sikurse lutej dikur.

Fillova pregatitjet: sajova nja dy–tri vjersha Këshndellash, simbas mendësisë të maleve. Zoti më faltë, por e paraqitshem sikur Krishti të kishte le ndër këto male tona e jo në Betlehem. Po gjithashtu pikturova nja dy tre engjuj; nuk ishem piktor profesionist, megjithkëta paesazhet e dekoracionin i kam ushtrue që në fëmijní. Në nji kand të Kishës pregatita Shpellën e Betlehemit me gjethe, lule, bar e shkambij.  Dërgova në Shkodër Vatën, djalin e ri, me nji adresë në dorë, për me ble 10 litër benzinë dhe dy petromaksa. Njanin e vuna në punë menjiherë e, kur e ndeza, dola me të në dorë aty jashtë. Shëndriti e gjithë Kodra e Kishës së Shën Qurkut. Njerëzit atë natë e kishin pa së largu prej katundeve tjera që shtriheshin ndër shpate e brija të maleve. Mandej hyna në kasollen time të mjerë. Ata dy fëmijtë, Pepa e Mirashi, ishin tepër të gëzuem. N’e nesre ndër gjithë lagjet e Ndregjinaj, Gjoshaj e Pilotaj edhe Palaj u përhap fjala- si duket ma shumë prej atyne dy fëmijve –se frati i ri kishte ble dy elektrikë, nji për vedi e tjetrin për lopën. Pa kalue mirë 24 orë filluen me ardhë njerëz me më këshillue: “More zotni, lopët tona hanë edhe në terr, por a ke me u vu gja para!”. Të gjithëve ua lashë tehin mbarë. Vetëm kur mbërrini Nata e Këshndellave, porsa filluen me u dukë nga të gjitha anët e brijave e shpateve flakët e vravashkave të cilat drejtoheshin të gjitha për te Kisha, pregatita edhe petromaksin e dytë. Mbasi e ndeza dola jashtë. Bora e ngrime ndriste nën dritën e petromaksit. Nuk frynte erë. E vendosa atë dritë jashtë, deri që filluen me mbrijtë çetat e para të njerëzve; vetëm atëherë e shtina në Kishë, e cila shëndriti siçmos kurrë. Nga gjashtë dritaret e Kishës shpërthejshin rreze, që ndritshin borën e bardhë. Prej larg dukeshin si rreze qiellore. Ndërsa udhtarët, pelegrinët çobanë e mbretën të maleve drejtoheshin kah drita e asaj komete toksore. Kje me të vërtetë nji natë e mrekullueshme. Drita asht ma e fortë se sytë dhe depërton drejt e në mendje e zemra të njerëzve. (Vetëm qorrat qorra mbeten gjithmonë qorra). U ngazllye i gjithë populli e me tê edhe un. Ajo kje e pra natë që kishem rreth vedit të mbledhun përfaqësuesët nga të gjitha lagjet e Shoshit. Para se me fillue ceremonitë fetare të natës, fëmijt e mësuem prej meje filluen programin festiv. Kënduen disa kangë e sidomos recituen aq bukur vjershat e pregatituna për atë natë, sa populli, i kënaqun prej fëmijve të vet, më dhanë lavdet mue se kishen pasë aq kujdes me i mësue ashtu. E vetmja gja që u prishej ishte mendimi i largimit tem, porsa të shkrihej bora e të dalin prandvera”.

08 dhjetor 2023, 17:15