Kërko

Il Natale nella letteratura Il Natale nella letteratura

Krishtlindja, në kryevepra proze: At Konrad Gjolaj: “Betlemi me Krishtin e masakruem e me barij të gjallë”(Emisioni X)

Atë Konrad Gjolaj, dalë gjallë nga burgu i regjimit komunist, e kremtoi Meshën e parë të Krishtlindjes në Balldrê, më 24 dhetuer 1991. Historinë e kësaj Meshe ju ftojmë ta dëgjoni sot “Betlemi me Krishtin e masakruem e me barij të gjallë” (Emisioni X)

R.SH. / Vatikan

Vijojmë të shfletojmë faqe të njohura e të panjohura nga letërsia shqipe, në rubrikën “Krishtlindja, në kryevepra proze”. Emisioni i sotëm (X) i kushtohet rrëfimit të Atë Konrad Gjolaj, ofm, “Betlemi me Krishtin e masakruem e me barij të gjallë”. Na kujton Krishlindjen e parë pas persekutimit komunist.

 Atë Konradi (1918-1993), françeskan shqiptar, është autor i librit “Çinarët”, botim i Muzeut Historik të Shkodrës, shtypur nga Shtëpia Botuese Volaj, 1996. Libri përshkruan persekutimin e katolikëve: nga gjyqet farsë, tek torturat ndër burgje e ndër kampe. Atë Konradi, dalë gjallë nga burgu, e kremtoi Meshën e parë të Krishtlindjes në Balldrê, më 24 dhetuer 1991. Historinë e kësaj Meshe ju ftojmë ta dëgjoni sot:

“Hyjt digjeshin, tue lanë mbrapa një prush festiv. Si të ishte ndezë në kupë të qiellës buzmi i Shën Këndellës. Hyjt digjeshin si për festë e shikonin botën përposhtë, mbështjellë me mantelin e zi të natës. Veriu i akullt i shkapërhapte palat e këtij manteli dhe zbulonte mekullinë, e mjerimin e botës. Me miliona Betleme, miliona bredha begatie. Miliona shtatore të Krishtit Fëmijë: të reja, të vjetra, të punueme me mjeshtri e, ashtu thjeshtë. Të vogla e të mëdha. Të bardha, në Evropë, e të zeza në Afrikë, ku Krishti  asht i zi e djalli, i bardhë.

Gjithsesi Krishti nuk ndryshonte kurrë. Vinte mes njerëzve i zhdeshun, mbi kashtë. Për me provue sa përqeth të ftoftit e sa shpon kashta, sa dhemb vorfnia e sa tmerron dhuna e krimi. Me mija përfaqësues të Krishtit mbi tokë shikonin nga nalt hyjt. Meshtarë e shekullarë: të bardhë, të zi, të verdhë, të kuqërremtë. Hyjt, si sy kureshtarë, veshtronin pa mê prej qiellit...  

Hyjt i kishin ndjekë prej mija vjetësh këto pamje. Me të gjitha ndryshimet e veta. Prej Adamit, te Krishti, të cilin e kishin pa tue lé në Betlem; mandej tue shtegtue nëpër botë, ndërmjet atyne që martirizoheshin e gjakoseshin në emën të Tij. Që vdisshin buzagaz, për ta kremtue Krishtlindjen në qiell. E kishin pa Krishtin tek kryqëzohej pambarimisht në bijtë e vet.

Hyjt s’merziteshin kurrë, edhe pse pamja përsëritej. Gjithsesi, ishte gjithnjë krejt e re. Si këtë natë, kur në një skaj të dheut po ndodhte diçka e papame prej dymijë vjetësh...   

... Frati ishte lodhë e këputë gjithë ditën e lume. Së bashku me katundarët. Ata, të zgjuem si prej një andrre të hatashme, i besojshin e s’i besojshin asaj që po ndodhte atë natë. 50 vjet e kishin ruejtë Krishtin nën teshat e tyne të trasha, të arnueme, prej kah delte një erë e randë, e athtë, djerse. Kisha ishte rrenue: me shtatore, figure, kumbonë, meshtar. Çka kishte pështue, e kishin mshehë thellë, për ditë ma të mira....

Katundarët punuen gjithë ditën. Naltuen një elter në fushë të hapët, mbi rrenojat e kishës. Gjithçka e përgatiten me kujdes, zell e dashuni. Por, a mund të kremtohej lindja e Krishtit pa Krisht? Germuen gjithë ditën ethshem andej e këndej, e ma në fund, e gjetën. Njeni prej tyne e kishte mshehë në grazhd. Jo mbi kashtë, po thellë, nën kashtë. Aty kishte lindë për ma se tridhetë vjet. E natyrisht, lagështina e kishte bâ punën e vet. Kishte fshî ngjyrat, ma parë, mandej kishte bre gjymtyrët. Krishti Fëmijë nuk kishte ma kambë as duer. Vetëm fëtyra i kishte mbetë çuditënisht e gjallë, e re, e freskët. Krejt të pakënaqun, fshatarët ia prûnë Krishtin e vogël, të martirizuem, fratit.

- Padre - i thanë - asht i vetmi, që ka pështue. Po kishim me thanë se nuk duhet gja.  Kështu, i sakatuem.. . e edhe për faj tonë...

- Jo, jo - i ndërpreu meshtari. Pikërisht një Krisht si ky i duhet kësaj  lindje të vështirë të Zotit. Që ka fjetë për tridhetë vjet rresht nën kashtë, pa pasë as lopën e as gomarin te kryet, për me e xê ndopak, se lopa e gomari xêjshin kooperativën e merdhitun!”.

Ky Krisht allçie, ishte e vetmja shtatore kulti, që do t’u kujtonte njerëzve shpellën e Betlemit atë mesnatë... Katundarët, të habitun, por të kënaqun, u shpërndanë nëpër shtëpi. U lanë, aq sa mujtën, në atë ngricë, në shtëpitë pa ujë e pa dritë, u rruen, veshën teshat ma të mira. Si dikur. Për me adhurue Zotin. Krishtin e gjymtuem, si meshtari. Si shpirtënt e atyne njerëzve të mirë që, pa dashtë, ia kishin cungue kambë e duer.

Erdh mesnata. Mesha filloi. Meshtari solli sytë për rreth. I tronditun thellë, pa turmën e përhupun në misterin e Eukaristisë. I çoi mandej, e ia nguli shtatores së Krishtit Fëmijë, vû mbi një grusht kashte të freskët. Një përqethje e paprovueme ndonjë herë ia përshkoi krejt përmbrendcat. Po niste kremtimin e Meshës së Mesnatës nën qiell të hapët, nën hyj. Mbi bar të vërtetë Betlemi, që shtrohej si qylym i çmueshëm nën kambët e fshatarëve. Me barij e baresha të vërteta, prej mishi e gjaku, që lëshojshin një afsh të fortë tambli e bari të njomë.  Ajri ngîhej me zanet e katundit në festë: me blegërimat e kingjave të parëlemë, me lehjet e qejve, me kokorisjet e shpendëve, që i kishte zgjue lëvizja e pazakontë e njerëzve. Atë natë tana kreatyrët lëvizshin, këndojshin, shpuploheshin, si me dashtë me kallëxue se këtij dheu nuk i ishte sosë ende fryma. Ishte një Betlem i gjallë, si Betlemi i parë në Greçion e largët. Që nuk kishte nevojë për shtatore allçie. I kishte të gjitha. Medet! Edhe hijen e Herodit e të Judës, që endeshin si shpirtën të këqij në ajrin e akullt, të kulluet, të mesnatës. Si kërcënim për kryqëzime të reja. ..

Katundarët ndigjojshin pa frymë. Zemrat u rrihshin me forcë. Mandej tana zemrat u bashkuen në një zemër të vetme: ishte zemra e Jezu Krishtit, që rrihte plot dashuni për mohuesit e të mohuemt. Kishte trokitë mesnata. Ata nuk ishin ma barijtë e Balldrênit. Ishin barijtë e Betlemit, që  kumtojshin ardhjen e Mesisë. Misteri pësëritej pambarimisht. I njejtë gjithnjë. Gjithnjë i ri.

E hyjt harruem mbi ç’botë po shndritshin. Edhe ata kujtuen të ritë e tyne, e kjanë prej gëzimit, me lot të artë...

10 dhjetor 2023, 09:08