Krishtlindja, në kryevepra proze: “Legjenda e zjarreve” (Emisioni IV)
R.SH. / Vatikan
Sot, në rubrikën Krishtlindja, në kryevepra proze (Emisioni IV), po lexojmë së bashku legjendën Buzmit bujar, që ndizet Natën e Këshndellës, marrë nga “Zakone e doke”, mbledhur nga Atë Donat Kurti, ofm. Tregohet në Shalë.
“Nuk mbahet mend se kur, por kallëzohet se dy burra paskan pasë humbur një natë në rreshpet e maleve të ngrira. Atë natë bënte ftohtë e frynte veri e s’të linte të zije vend një herë. Uji i lumit përbindsh, aty pranë, rrokullohej në humnerë me tinguj të frikshëm, madhështorë. Bora shtringëllonte nën këmbët tyre, mbathur me opinga e çorape të larme leshi.
Në kërkim të një strehe, hynë në një pyll të shpeshtë e menduan të ndiznin një zjarr të mirë. Por, për rrezik, me që ishin hutuar nga ngrica e madhe, nuk e mbanin mend cilat lëndë ishin më të mira për zjarr. Deri mendja u ishte ngrirë nga e ftohta. Ndërsa rropateshin, duke u dridhur si purteka, mbi kokat e tyre u dëgjuan përplasje ogurzeza flatrash. Panë një korb të zi, të uritur. Duke dashur t’i shikonte të vdekur e të shuante urinë me sytë e tyre, i gënjeu. Krroku, e tha: “Arrë e verr, mirë e merr!”.
Dy fatëzinjtë i dëgjuan këto fjalë e i besuan korbit të zi. U nisën të kërkonin arrë e verr e, me shumë mundime, i gjetën, bashkuan një turrë të mirë e u dhanë zjarr: po zjarri s’ndizej e s’ndizej. E kaluan gjithë natën duke u dridhur e duke u tymitur. Ata, mbi akull, e korbi i zi, mbi verr. Sa nisi të zbardhë drita, kaloi asajt trincka. I erdhi keq për dy shtegtarët e humbur e të gënjeyer, e u tha: “Frashër e pishë, mirë e merr!”. Fluturonte zogu i vogël e përsëriste: “Frashër e pishë, mirë e merr!”.
Në ato fjalë u çuan dy burrat e mblodhën dru frashëri e qitën pishë e unë e ndezën kafin me unur. Drutë morën flakë përnjëmend e u bë një zjarr i mirë. E ata, me zjarrin e mallit për jetë në shpirt, u ngrohën e shpëtuan. U shkrinë e u bënë avull nën ahat e bjeshkës, stolisë me yje akulli mbi degë.
Për të mos e harruar atë që hoqën atë natë të madhe, ata dy burrat e shtinë në vend zakonin që natën e Këshndellave të ndizej një zjarr i madh me trupa të thatë. E të digjej, sidomos, druri i arrës, për kujtim të asaj nate, kur s’ deshi e s’deshi të ndizej. Të niste këngën kripa e kalit mbi lahutë. E të ushtonte mbarë vendi kundër korbave e bubullimave të motit. Derë më derë, i ndriçuar nga zjarri i buzmave bujarë, që i kujtonin gjithë botës se Krishti kishte ardhur mes nesh!
(Tekste e histori Këshndellash)