Il Natale nella letteratura Il Natale nella letteratura

Krishtlindja, në kryevepra proze. Shën Niketa: “Te Deum” (Emisioni XXXI)

Udha e Krishtlindjes vijon! Sot, emisioni XXXI i rubrikës “Krishtlindja, në kryevepra proze” i kushtohet Shën Niketës dhe himnit të tij “Te Deum”

R.SH. / Vatikan

Emisioni XXVII i rubrikës “Krishtlindja, në kryevepra proze” i kushtohet  himnit të ditës së fundit të vitit, titulluar “Te Deum”, himn i krishterë, shkruar në prozë, ndoshta nga Shën Niketa, ilir. Në Kishën katolike ‘Te Deum’ lidhet me kremtimet e falënderimit. Sipas traditës, këndohet mbrëmjen e 31 dhjetorit, si falënderim lartuar Zotit për vitin, që numëron ditën e fundit. Këndohet edhe në Kapelën Sikstine, kur zgjidhet papa, në përfundim të ndonjë Koncili e në raste të tjera të kësaj natyre.

Të shumtë, autorët, të cilët kujtohen, kur bëhet fjalë për atësinë e këtij Himni. Në fillim mendohej të ishte krijuar nga Shën Çipriani i Kartagjenës; më pas, nga Shën Ambrozi, në vitin 386, në ditën kur u pagëzua. Por sot pothuajse të gjithë studiuesit janë të një mendjeje se autori i tekstit dhe i muzikës së këtij himni të famshëm, që u bëri ballë shekujve, është Shenjti ilir, Niketa. 

Shën Niketa (tek sllavët: "sveti Nikita"), lindur rreth vitit 335, vdekur pas vitit 414, ipeshkëv i Remesianës (sot Bela Palanka, pranë Nishit) nga viti 366, jetoi në shekullin IV, pak a shumë në të njëjtën kohë me Shën Jeronimin. I njohur edhe me emrin "shën Niketa i Dardanisë", qe teolog, autor homelish, shkrimesh katekistike (me rëndësi, vepra De explanatione symboli), traktatesh e, ka shumë mundësi, edhe i himnores së mirënjohur "Te Deum, laudeamus" - "Ty, o Zot, të lavdërojmë". Të paktën që nga fillimi i shekullit të kaluar, kur britaniku A. E. Burn botoi në Cambridge (1905) monografinë "Niceta of Remessiana", dihet botërisht se ky shenjtor doli prej botës iliro-shqiptare. Vetë Shën Niketa shkruan me dorën e tij: "Dardanus sum" - jam Dardan.

Himni ka tri pjesë: e para, deri tek Paraclitum Spiritum, është lavd trinitar drejtuar Atit; pjesa e dytë, nga Tu rex Gloriae, lavd për Krishtin Shëlbues; e treta, nga Salvum fax, vijim lutjesh e versetesh, shkëputur nga libri i Psalmeve.

Himni u muzikua disa herë, nga autorë të ndryshëm, si Palestrina, de Viktoria, Händel, Bruckner, Berlioz, Mendelssohn, Mozart, Haydn, Verdi, Puccini e të tjerë, më pak të njohur.

Preludi i Te Deum H. 146 i Charpentier, u përdor si sigël për fillimin dhe përfundimin e transmetimeve në Eurovizion.

Ja edhe Himni, që këndohet sonte në të gjitha Kishat katolike të botës, me tekst në gjuhën shqipe:

 

Ne të lavdërojmë, o Hy,

Të shpallim Zot.

O Atë i amshuar, toka mbarë të adhuron.

Ty të këndojnë Engjëjt,

E mbarë Pushtetet qiellore:

Shenjt, Shenjt, Shenjt,

Zoti Hyji i gjithësisë.

Qielli e toka janë plot me lumni tënde.

Të brohoret kori i Apostujve,

Radha e ndritshme e martirëve,

Profetët njëzëri të lavdërojnë,

E Kisha Shenjte shpall lumninë tënde,

Birin tënd të vetëm adhuron

E Shpirtin Shenjt ngushëllues.

O Krisht, mbret i lumturisë,

Bir i amshuar i Atit,

Ti linde nga Virgjëra Nënë për shëlbim të njeriut.

Ngadhënjyes mbi vdekjen,

Ia hape portat e qiellit besimtarëve.

Ti rri në të djathën e Atit,

Do të vish të gjykosh botën në fundin e kohëve.

Ndihmoi bijtë e tu, o Zot,

Që i shpërbleve me gjakun tënd të çmuar.

Pranoi në lumninë tënde,

Në tubimin e shenjtorëve.

Shpëtoje popullin tënd, o Zot,

Priji e mbroji bijtë tu.

Çdo ditë të bekojmë,

Lavdërojmë përgjithmonë emrin tënd.

Denjohu, o Zot,

Të na ruash pa mëkat.

Me ne qoftë gjithmonë mëshira jote:

Në ty shpresuam.

Mëshirë, o Zot, mëshirë për ne.

Ti je shpresa jonë

S’ do të jemi të pështjelluar në amshim!

 

Latinisht

Te Deum laudámus:

te Dóminum confitémur.

Te ætérnum Patrem,

omnis terra venerátur.

Tibi omnes ángeli,

tibi cæli

et univérsæ potestátes:

tibi chérubim et séraphim

incessábili voce proclámant:

Sanctus, Sanctus, Sanctus,

Dóminus Deus Sábaoth.

Pleni sunt cæli et terra

maiestátis glóriæ tuæ.

Te gloriósus

apostolòrum chorus,

te prophetárum

laudábilis númerus,

te mártyrum candidátus

laudat exércitus.

Te per orbem terrárum

sancta confitétur Ecclésia,

Patrem imménsæ maiestátis;

venerándum tuum verum

et únicum Fílium;

Sanctum quoque

Paráclitum Spíritum.

 

Tu rex glóriæ, Christe.

Tu Patris sempitérnus es Filius.

Tu, ad liberándum susceptúrus hóminem,

non horrúisti Virginis úterum.

Tu, devícto mortis acúleo,

aperuísti credéntibus regna cælórum.

Tu ad déxteram Dei sedes,

in glória Patris.

Iudex créderis esse ventúrus.

Te ergo quǽsumus,

tuis fámulis súbveni,

quos pretióso sánguine redemísti.

Ætérna fac cum sanctis tuis

in glória numerári.

 

Salvum fac pópulum tuum, Dómine,

et bénedic hereditáti tuæ.

Et rege eos, et extólle illos

usque in ætérnum.

Per síngulos dies benedícimus te;

et laudámus nomen tuum

in sǽculum, et in sǽculum sǽculi.

Dignáre, Dómine,

die isto sine peccáto nos custodíre.

Miserére nostri, Dómine, miserére nostri.

Fiat misericórdia tua,

Dómine, super nos,

quemádmodum sperávimus in te.

In te, Dómine, sperávi:

non confúndar in ætérnum.

31 dhjetor 2023, 16:16