Kërko

 Il Natale nella letteratura Il Natale nella letteratura

Krishtlindja, në kryevepra proze: Leon Tolstoi “Krishtlindja e Martinit" (emisioni XVIII)

Koha e Krishtlindjes vijon e, me të, edhe njohja me kryeveprat e letërsisë botërore e shqipe, që i kushtohen. Në emisionin XVIII të rubrikës “Krishtlindja, në kryevepra proze”, sot njihemi me tregimin “Krishtlindja e Martinit”, nga shkrimtari i madh rus, Leon Tolstoi

R.SH. - Vatikan

Koha e Krishtlindjes vijon e, me të, edhe njohja me kryeveprat e letërsisë botërore e shqipe, që i kushtohen. Në rubrikën “Krishtlindja, në kryevepra proze”, sot njihemi me tregimin “Krishtlindja e Martinit”, nga shkrimtari i madh rus, Leon Tolstoi (emisioni XVIII).

Emri i Leon Tolstoit (Jasnaja Polina, 09. 09. 1828-Astapovo, 20. 09, 1910) nuk ka nevojë për shumë komente. Shkrimtar, filozof, edukator e aktivist shoqëror rus, vepra e tij ka hyrë prej kohe në listën  thesarit të letërsisë botërore. Ndërmjet romaneve dhe tregimeve të tij monumentale, po kujtojmë: Lufta e paqja (Bойна и мир [Vojna i mir]1863-1869); Anna Karenina (Анна Каренина[Anna Karenina]; 1873-1877), Ringjallje (Воскресение [Voskresenie]1889-1899).

U ndikua fuqimisht nga Rousseau dhe Ungjilli, nga të cilët shkruan se përfitoi shumë, duke theksuar se nuk vjetërohen kurrë. E edhe nga shkrimtarë rusë të njohur të kohës, ndërmjet të cilëve, Gogoli, Turgenjevi, Nekrasovi.

Edhe vetë jeta e trazuar e Tolstoit, që përfundoi me ikjen nga shtëpia i veshur si muzhik i thjeshtë, është një kryevepër. Ky njeri i madh, që iu kundërvu gjithë jetën përdorimit të dhunës, ishte besimtar i vendosur. E jetoi, atë që predikonte e nuk ngurroi ta paguaj edhe  me çmimin më të lartë, kërkimin e së vërtetës, për ta vënë në jetë, si ta kish gjetur.

Tregimi, që zgjodhëm për rubrikën Krishtlindja, në kryevepra proze, titulluar “Krishtlindja e Martinit”, Tolstoi flet qartë për këtë:

“Në një farë qyteti, jetonte një shkarpaxhi me emrin Martin. Punonte në një skutë podrumi, me një dritare nga ana e rrugës. Prej saj mund të shikonte vetëm këmbët e kalimtarëve. I njihte menjëherë nga këpucët, që ua kishte ndrequr me duart e veta. Kishte shumë punë, si shkarpaxhi në zë që ishte. Përdorte materiale me cilësi të lartë e, për më tepër, nuk kërkonte shumë para.

Vite më parë i kishin vdekur gruaja e fëmijët e Martini ishte dëshpëruar aq, sa të kapej deri me Zotin. Pastaj, një plak nga fshati i tij, që shtegtonte vazhdimisht e kishte fituar famë shenjtërie, shkoi ta takonte. E Martini ia hapi zemrën.

- Nuk dua të jetoj më, i tha, sepse jam krejt pa shpresë.

U gjegj Plaku: - Dëshprohesh, sepse mendon vetëm për lumturinë tënde. Lexo Ungjillin e do ta marrësh vesh ç’kërkon Zoti nga ti.

Martini bleu një Bibël. Në fillim vendosi ta lexojë vetëm në ditë kremte, por një të filluar leximin, s’mundi ta lëshojë më nga dora.

E kështu ndodhi që një natë, në Ungjillin e Lukës,  Martini arriti tek faqja, në të cilën një farize i pasur takohet me Jezusin në shtëpinë e vet. Një mëkatare vjen, ia lyen Zotit këmbët me parfum, ia lan me lot e ia fshin me flokë. Atëherë Zoti i tha farizeut:

- A e shikon këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde, e nuk më qite ujë për të lartë këmbët. Nësa kjo po m’i lan me lot e po m’i fshin me flokët e saj... Ti nuk e leve kokën time, me vaj, kjo po m’i lyen këmbët me parfum.

Martini ra në mendime. - Më duket se jam si ky farizeu – mendoi. - Sikur të vijë Zoti tek unë, thua duhet të sillem si ai? Pastaj, me kokën mbështetur mbi krahë, ra në gjumë të thellë.

Papritmas ushtoi një zë e ai u hodh përpjetë. Nuk ishte askush. Po ai i dëgjoi qartë këto fjalë: “Shiko në rrugë nesër, se unë do të vij!”.

Të nesërmen Martini u ngrit me natë, ndezi zjarrin e përgatiti supën me lakra e kulaçen me miell thekre. Vuri, pastaj, përparësen, u ul e nisi të punojë pranë dritares. Në kokë i ushtonte zëri, që e kishte dëgjuar gjatë natës. E kështu rrinte duke shikuar më shumë rrugën, sesa punën. Sa herë shikonte ndokënd që kalonte, mbathur me këpucë të panjohura, çohej për ta parë në fytyrën. Kaloi një hamall, pastaj një pëlhurendës. Pastaj edhe një plak, që quhej Stepaniç, punëtor tek një tregtar i lagjes. Ai nisi të pastronte me lopatë dëborën para dritares së Martinit, që e pa e vijoi punën. Pasi nguli nja dy tre thumba, shikoi përsëri jashtë. Stepaniç e kishte mbështetur lopatën pas murit e po i frynte duarve të mardhura. Martini doli e i bëri një shenjë.

- Hyrë, i tha,  e ngrohu pak. Duhet të kesh ngrirë shumë.

- Zoti të bekoftë e të ruajtë, ia ktheu Stepaniç. Hyri duke shkundur dëborën e duke i fshirë opangët aq fort, sa u lëkund e mend ra.

- Mos u shqetëso - i tha Martini. - Ulu e pi një kupë çaj.

Mbushi dy filxhana me çaj e ia dha njërin mysafirit. Stepaniçi e piu me një frymë. Shihej në sy se e donte edhe një tjetër. Martini ia mbushi përsëri taskën. E ndërsa pinin, Martini s’ia ndante sytë dritares.

- Pret ndokënd - e pyeti mysafiri.

- Mbrëmë - u përgjigj Martini - po lexoja sesi Krishti hyri në shtëpinë e farizeut, që nuk e priti me nderimet e duhura. Ah, sikur të vinte tek unë! Do të bëja çnuk për ta pritur. Pastaj, në sa dremisja, dëgjova një zë, që më tha: “Shikoje rrugën nesër, se unë do të vij!”.

Stepaniç e dëgjonte me lot për faqe: “Rrofsh,  bre Martin Avdjeiç. Më ngrohe korp e shpirt! – i tha - e u nis e shkoi në punë të vet e Martini u ul përsëri e  filloi të qepë një çizme të grisur. Ndërsa vijonte të shikonte rrugën nga dritarja, një grua me llapci, tollumba trashanike fshataresh, u ndalua pranë murit. E veshur varfërisht, shtrëngonte fort foshnjën e vet në krahë. Duke i kthyer kurrizin erës, mundohej ta mbështillte ferishten me petkun e saj, krejt të lehtë veror. Martini doli dhe e ftoi të hynte brenda.  E, pa hyrë mirë, i dha të hante bukë e supë:

- Ha, e dashur - i tha - e ngrohu.

Duke ngrënë, ajo i tregoi kush ishte:

- Jam gruaja e një ushtari - i tha. - Tetë muaj më parë ma morën burrin e ma çuan nuk e di se ku. Që asokohe, nuk di më asgjë për të. Nuk munda të gjej punë e shita gjithçka pata, vetëm për të ngrënë. Dje lashë peng shallin tim të fundit...

Martini u zhduk dikund e u rikthye me një mantel të vjetër në dorë. Merre, i tha, është paksa i ngrënë, por  mjafton për ta ngrohur foshnjën.

Gruaja, duke e marrë, u shkri në vaj:

- Zoti të bekoftë e të ruajtë - i tha.

Shkarpaxhiu i lëshoi në shuplakë një grusht rublash, për të shpenguar shallin. Pastaj e shoqëroi tek porta.

E u kthye rishtas në punë. Sa herë kalonte ndonjë hije para dritares, i lëshonte një sy, për të parë kush ishte kalimtari. Pas pak pa një grua, që shiste mollë me një shportë.   Ndërsa mbi shpinë mbante një thes të madh, të cilin e kalonte nga njëri sup në tjetrin, e dërmuar nga pesha. Në kohën kur po e ulte thesin në tokë, për të pushuar sapak,  një rrugaç kaloi andej pari e në vrap e sipër rrëmbeu një mollë nga shporta. Deshi të ikte, po gruaja ia ngjiti për flokësh e që të dy nisën të ulurinin, sa u tund rruga.

Martini vrapoi jashtë. Gruaja donte ta zvarriste djalin në polici. Po këpucari iu lut ta linte të lirë.

- Të kam qitë be në Krishtin, fale - i tha.

Plaka e lëshoi djalin.

- Kërkoji të falur! - i bërtiti Martini.

Fëmija ia krisi vajit e, ashtu, i përlotur, lypi falje. Martini mori një mollë nga shporta ia dha djalit e:

- Ta paguaj unë – tha, duke u kthyer nga plaka.

- Ky soj maskarai meritonte një dajak të mirë - shfreu e zemëruar gruaja.

- Ç’thua kështu, moj gjyshe - psherëtiu Martini. Ai donte dajak për një kokërr mollë. Po  ç’ndeshkime na presin ne, të ngarkuar me mëkate siç jemi? Zoti na urdhëron të falim, përndryshe as ai nuk do të na falë. E sidomos, kur kemi punë me një të ri, që s’di ç’bën.

- Mund të jetë edhe e vërtetë - ia pat gruaja - por këta të rinjtë e sotëm po llastohen paksi tepër.

Ndërsa po e ngarkonte rishtas thesin mbi shpinë, djaloshi u duk përsëri.

- Ma lërë mua, gjyshe, i tha.  Do të bëj të njëjtën rrugë.

Gruaja e ngarkoi thesin mbi shpinë të djalit e u nisën e shkuan të dy bashkë.

Martini u kthye në punë. Por kishte rënë errësira e ai nuk i shihte më vrimat e këpucës, ku duhet të përshkonte perin. Mblodhi veglat, pastroi copëzat e lëkurës, që kishin rënë mbi dysheme e vuri llambën e ndezur mbi tavolinë. Pastaj mori Biblën nga sergjeni.

Deshi ta hapte në faqen, ku kishte vënë shenjën, por libri u hap vetë, në një faqe tjetër. Dëgjoi hapa e pastaj, një zë që i çiçëllonte në vesh:

- Martin, nuk po më njeh?

- Kush je ti? - pyeti Martini.

- Jam unë - tha zëri. E nga një skutë e errët doli Stepaniç. Qeshi e pastaj u zhduk si të mos ishte.

- Jam unë - tha rishtas zëri. E iu duk gruaja me foshnjën në krah. Qeshi. Ajo e foshnja. E pastaj u tretën si avull.

- Jam unë - dëgjoi rishtas. Plaka e djaloshi u dukën, qeshën e u zhdukën edhe ata.

Martini e ndjeu veten të lehtë e të lum. Nisi të lexojë Ungjillin, atje ku ishte hapur vetë libri. Në krye të faqes lexoi:

- Pata uri, e më dhatë të ha; etje, e më dhatë të pi; isha i huaj, e më strehuat. Në fund të faqes, lexoi:

- Kur ia bëni këtë edhe më të voglit nga vëllezërit e mi, ma keni bërë mua!

Kështu Martini e kuptoi se Shëlbuesi kishte ardhë me të vërtetë nën strehën e tij atë ditë e se ai  e kishte pritur ashtu si dëshironte.

 

18 dhjetor 2023, 12:09