Krishtlindjet në Asizi, festimet nën shenjën e paqes fillojnë më 8 dhjetor
R. SH. - Vatikan
Hapja e festimeve të Krishtlindjes do të mbahet të premten, më 8 dhjetor, në Bazilikën e Shën Françeskut, në Asizi. Përkon me kulmin e festimeve të tetëqindvjetorit të Krishtlindjes, nga Shën Françesku, në Greccio. Në orën 17:00, Kardinali Arthur Roche, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, do të kryesojë meshën shenjte në Bazilikën e Poshtme, pasuar, sipas traditës, me ndezjen e dritave të Bredhit të Krishtlindjes dhe me bekimin e përurimin e Shpellës prej rëre të Betlehemit. Dita do të përfundojë në orën 21:00 në Bazilikën e Poshtme, me koncertin Harmonies of Peace, me këngë tradicionale Krishtlindjesh për organo dhe zë, drejtuar nga Fra Gennaro Becchimanzi, që do të paraqesë, me këtë rast, edhe një libër të ri.
Forca e butë e Krishtlindjes
"Është interesante - kujtoi frati Marco Moroni, kujdestar i Manastirit të Shenjtë - që Shën Françesku donte të festonte në një mënyrë kaq të veçantë, 800 vjet më parë, në Greccio, Krishtlindjen, e jo festa të tjera. Kishte të drejtë! Sepse Krishtlindja është kremtim i takimit par excellence: Zoti në Jezusin bëhet foshnjë, që të mos e trembë asnjërin prej nesh dhe kështu të mund t’i takojë të gjithë; në këtë mënyrë ai mund t'u dhurojë të gjithëve atë dashuri që të ngroh zemrën dhe të përtërin jetën. Në këtë Krishtlindje, plot me dhunë në qytete e me luftëra nëpër botë, që shkatërrojnë jetën dhe ëndrrat e brezave të tërë në botë, ne fretërit e Kuvendit Shenjt duam ta rijetojmë edhe një herë butësinë dhe forcën e brishtë të Krishtlindjes. Edhe sepse Jezusi këto ditë, më shumë se kurrë, na përsërit se bij të Zotit do të quhen pikërisht ata që kanë zemër të butë e të përvujtë!
Shën Françesku është dëshmia konkrete, historike dhe jashtëzakonisht aktuale që na tregon se mund të ecim në këtë rrugë. Por që të mund ta bëjmë këtë, Krishtlindja duhet të jetë vërtet Krishtlindje: të heshtin armët e të ngrihet zëri i popujve për të kërkuar dhe për të gjetur zgjidhje të drejta e të përbashkëta”.