Kërko

Padre Gjergj Fishta, francescano e poeta albanese Padre Gjergj Fishta, francescano e poeta albanese

Për kujtim të atë Gjergj Fishtës, në 83 vjetorin e kalimit te Ati Qiellor

Zamputti Injac: Ai e fitoi ma se nji luftë!/I fali Atmes ma se ‘i liri!/Atdheut qi iu kushtue/I dha ma se ‘i lumni!/

R.SH. / Vatikan

Atë Gjergj Fishta, figurë e madhe e Kombit dhe Kishës shqiptare, në përvjetorin e vdekjes (Fishtë, 23 tetor 1871 – Shkodër, 30 dhjetor 1940).  Në kujtim të Atë Gjergj Fishtës, ofm, në 83 vjetorin e kalimit te Ati Qiellor. Figura e Tij madhore, pasqyrohet në disa poezi, që nuk nisin me fjalën “na vdiq” – por “Na léu Hylli i Shqypnís”.

Antologji e vogël poetike kushtuar Atë Gjergj Fishtës  

Na léu Hylli i Shqypnís

... Po, mbas gjurmës s’ate

presim lufta mizore…

Na léu hylli i Shqipnisë

qi i shtini knjazit tuten!

Ia shtini atëherë

kur Hylli i Zanës arbnore

léu me Lahuten!

Gurakuqi Luigj; Gjikam: Vjersha botue nen kujdesin e Gjon Kamsit, Bari, 1940

Goja e popullit të ri

Fishta nuk asht Atë Gjergji

po goja e popullit të ri,

Âsht zemra e atij popull,

që rreh me fjalë të Tij!

Pipa Arshi, Shkëndija, nr përkujtimor, 1941, fq 120-121

Kujtimi yt

Kujtimi yt, këngëtar,

kumbimin zgjon…

N’Tomor të pamundshëm

tingëllon përsëri Lahuta

e zëri i saj i kthjellët

e mund qetësinë e shekujve...

 O Kangatar i Atdheut tim

shigjetë drite

në pyll ku tundet moti

Shqyre, pra, napën e kohës

që na ruan Zoti!

Vorea Ujko, Shêjzat, numër përkujtimor, 1961, nr. 11-12, fq 426

O Franciskan!

O Franciskan, Poetë i paharrueshëm

Kangëtar i pavdekshëm i Lahutës

E burr’ si burrat, frat si fretnit!... 

Mprojsi fatos i virgjinisë s’kërcënueme

e i Fés s’ligshtueme, sot si kall mbas drapni,

pa ty lëngon, me Ty, Atë Fishtë, amshohet:

e kur prap të zgjohet andja për kulturë

e letërsi shqiptare; historija

nji faqe kur ta shkruej me t’artë e t’zeza

flet’ t’ksaj shqypojes s’vjeter

Ty, o e lmueta

pupul fishtjane çmim të dej’ përbri

Lahutën do ta vnojë…

Don Ndre Zadeja “Atë Gjergj Fishta , botue nën kujdesin  e Atë Benedikt Demës, 1941, fq  359- 360)

Fishta

Ai e fitoi ma se nji luftë!

I fali Atmes ma se ‘i liri!

Atdheut qi iu kushtue

I dha ma se ‘i lumni!

Zamputti Injac “Kujtime” Albanisches Institut Faik Konica - St. Gallen – Prishtinë, 2020

Së fundi në përvjetorin e vdekjes së këtij kolosi të kombit, të letërsisë e të Kishës Katolike në Shqipëri, po e kujtojë edhe me pak vargje nga poezitë e tij shpirtërore:

"O Fjalë, rregulluese motit,

Ushto, pra, n'zemrat t'ona

Qi, t'zhyem nder faje, drona

Mnin e Hyj Sabaotit,

E neper ravë t'pendimit

Na i çil ti dyert e gzimit."

(Gj. Fishta, Fjala e Zotit, në Vallja e Parrizit)

30 dhjetor 2023, 10:34