TERRA SANTA TERRA SANTA 

Lindja e Mesme: Koha e Ardhjes për të krishterët, pa pushime e pa drita

Për shumë bashkësi të krishtera në vendet e Lindjes së Mesme, afrimi i Krishtlindjes ngarkohet me dhimbjen dhe ankthin e dhunës, që shpërtheu rishtas në Tokën Shenjte. Por shtohen edhe shenjat që synojnë t’i shprehin dukshëm ndjenjat me të cilat këtë vit shumë të pagëzuar presin të kremtojnë lindjen e Jezusit, dritë që vjen në një botë të errët, të plagosur nga e keqja, ku nuk ka vend për zbukurime e ndriçues.

R. SH. - Vatikan

Që nga nëntori, Kishat dhe bashkësitë e Betlehemit dhe të Ramallahut njoftuan anulimin e të gjitha çasteve të këndshme që zakonisht paraprijnë dhe shoqërojnë solemnitetet e Kohës së Krishtlindjes, në solidaritet me popullsinë e Gazës. Patriarkët dhe krerët e Kishave të Jeruzalemit u kërkuan bashkësive kishtare t’i kremtojnë solemnitetet liturgjike pa i shoqëruar me festa dhe kremtime të jashtme, duke mbledhur lëmoshë për popullsinë e Gazës.

Munther Ishaq, pastor luteran në Betlehem, krijoi një skenë krejt të pazakontë të Lindjes së Krishtit në Kishën e tij: skenë e vendosur mes rrënojave, degëve të thyera dhe mbeturinave të ikonave e qirinjve, simbole të shkatërrimin të shkaktuar në Gaza nga bombardimet. “Po mesazhi është se Zoti është me ne në këtë dhimbje” - pohoi Munther Ishaq për agjencinë turke Anadolu.

Ndërkaq në Siri, ipeshkvi Hanna Jallouf, Françeskan i Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë, i emëruar kohët e fundit Vikar Apostolik i Halebit të Latinëve, në një letër të nënshkruar të martën, më 5 dhjetor, i ftoi priftërinjtë, murgjit dhe murgeshat e Kishës Latine, të pranishëm në Siri “t’i kufizojnë kremtimet e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri brenda kishave, famullive dhe manastireve, në solidaritet me popullin palestinez, veçanërisht në Rripin e Gazës”.

Në mesazhin, botuar nga faqja e internetit abouna.org, ipeshkvi françeskan shkruan:

“Duke pasur parasysh situatën aktuale që po kalon vendi ynë në përgjithësi dhe në solidaritet me Gazën e me popullin palestinez, të parët që na ndihmuan gjatë luftës dhe tërmetit, ju kërkoj që kremtimet e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri të kufizohen në Kishat, manastiret dhe famullitë tona kishtare". Letra përfundon me lutjen që Krishti Fëmijë "t’i mbushë zemrat dhe familjet me paqen, harmoninë dhe dritën e mendjes”. Ju uroj - shton akoma - një vit të bekuar. Gëzuar Vitin e Ri. O Bir i shpellës, lutu për ne".  (Agenzia Fides 9/12/2023).

10 dhjetor 2023, 14:36