Kërko

La festa della sacra Famiglia di Gesù, Giuseppe e Maria La festa della sacra Famiglia di Gesù, Giuseppe e Maria

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës së Familjes Shenjte

Gjesti që bën Familja Shenjte/nuk është thjesht për të ndjekur traditën e ligjit:/Maria e Jozefi, atë ditë,/të çuan në Tempull, o Jezus, në Jeruzalem,/për të falënderuar Hyjin e Besëlidhjes e të Premtimeve,/Atë, që çliron nga skllavëritë/Atë, që e dinin se ishte gurra e jetës./Vërtet, çdo fëmijë është dhuratë, besuar bashkëshortëve,/që ta rrisin e ta përgatisin për jetën,/që t’i dhurojnë sa mundin dashuri/e t’ia hapin zemrën për një Dashuri më të madhe,/për atë, që Zoti ka për krijesat e veta

R.SH. - Vatikan

Kisha kremton sot Familjen Shenjte të Nazaretit, model për të gjitha familjet e krishtera. Familja është Kishë shtëpiake e duhet të jetë shkolla e parë e lutjes. Në shtëpi fëmijët, që në moshë të njomë, mund të mësojnë të perceptojnë praninë e Zotit, falë mësimit e shembullit të prindërve, duke jetuar në një atmosferë, ku ndjehet fort prania e Zotit.

Zoja Mari e Shën Jozefi e çojnë Jezu Krishtin Fëmijë në Jeruzalem, për t’ia paraqitur Zotit. Kjo është ngjarja, në qendër të Ungjillit të kësaj feste, marrë nga kreu 2 i Shën Lukës, në këtë të diel të parë pas Krishtlindjes, kushtuar Familjes Shenjte.

22 Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, e çuan Jezusin në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, - 23 sikurse shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’ - 24 dhe për të dhënë flinë sikurse thuhet në Ligjin e Zotit; ‘një palë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’ 25 Në Jerusalem aso here jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste Ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt. 26 Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. 27 I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Tempull. Kur prindërit e sollën Jezusin Foshnjë për të kryer rregulloren e Ligjit mbi të, 28 Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha: 29 “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë, 30 sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin 31 që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve: 32 Dritën që bën të njohin Ty paganët e që i jep nder popullit tënd, Izraelit”. 33 Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të. 34 Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: “Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. - 35 (edhe ty vetë një shpatë do ta shporojë shpirtin) - që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt”. 36 Ishte aso here edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet 37 kurse, si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetekatër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me uratë. 38 Shi në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit. 39 Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret. 40 Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti - dhe hiri i Hyjit ishte në të.

Të lutemi së bashku:

Gjesti që bën Familja Shenjte

nuk është thjesht për të ndjekur traditën,

respekt i jashtëm për ligjin:

Maria e Jozefi, atë ditë,

të çuan në Tempull, o Jezus, në Jeruzalem,

për të falënderuar Hyjin e Besëlidhjes e të Premtimeve,

Atë, që çliron nga skllavëritë

Atë, që e dinin se ishte gurra e jetës.

Vërtet, çdo fëmijë është dhuratë, besuar bashkëshortëve,

që ta rrisin e ta përgatisin për jetën,

që t’i dhurojnë sa mundin dashuri

e t’ia hapin zemrën për një Dashuri më të madhe,

për atë, që Zoti u rezervon krijesave të veta.

Por, nëse çdo fëmijë është dhuratë,

ti o Jezus, je i tillë më shumë se të tjerët.

Maria e Jozefi, atë ditë

patën edhe të papritura:

vërtet, Shpirti Shenjt udhëhoqi

Simeonin e Anën, të dy në moshë,

t’u zbulonin identitetin e atij fëmije.

Kështu, si gjithë prindërit e kësaj bote,

edhe Maria e Jozefi mësuan

të mateshin me planin e Zotit,

që i kapërcen projektet e njerëzve

dhe të bënin ç’u takonte atyre, me thjeshtësi,

duke përballuar ngarkesa e mundime,

flijime e dhimbje, që janë të pranishme

në jetën e familjes së gatshme

të bëjë vullnetin e Zotit, sido që të ndodhë.

31 dhjetor 2023, 09:37