Nikaragua, arrestohen edhe dy meshtarë të tjerë
R.SH. – Vatikan
Policia e Nikaraguas arrestoi dje mons. Carlos Avilés dhe Át Héctor Treminio, njëri vikar i përgjithshëm dhe tjetri, përgjegjës për ekonominë e dioqezës së Managuas.
Sipas burimeve lokale, dy meshtarët u arrestuan pasi u lutën publikisht për imzot Rolando José Álvarez Lagos, ipeshkëv i Matagalpës dhe administrator apostolik i dioqezës së Estelí, dënuar me 26 vjet burg, pa proces të rregullt, me akuzën për konspiracion, përhapje lajmesh të rreme, pengim të drejtësisë dhe përbuzje të autoriteteve. Imzot Álvarez mbahet në në burg që nga shkurti i këtij viti, pasi u la në arrest shtëpiak që nga gushti 2022.
Me mons. Avilés dhe Át Treminio, numri i meshtarëve të arrestuar në Nikaragua javën e fundit arrin në gjashtë. Më 20 dhjetor, policia arrestoi një ipeshkëv tjetër, imzot Isidoro del Carmen Mora Ortega, titullar i dioqezës së Siuna. Sipas shtypit vendas, edhe ai u arrestua pasi u lut publikisht për imzot Álvarez gjatë një predikimi. Së bashku me imzot Mora-n, u arrestuan edhe seminaristët Alester Sáenz dhe Tony Palacio.