Il Natale nella letteratura Il Natale nella letteratura

Në rubrikën “Krishtlindja, në kryevepra proze”: At Zef Pllumi, Krishtlindja në Shosh (Emisioni XI)

Në rubrikën “Krishtlindja, në kryevepra proze” vijojmë të shfletojmë faqe nga letërsia shqipe, kushtuar Festës së Madhe të Lindjes së Jezu Krishtit. Emisionin e sotëm ia kushtojmë rrëfimit të Atë Atë Zef Pllumit, ofm, që na përshkruan një nga Meshët më prekëse të Krishtlindjes, e para pas diktaturës komuniste në Shqipëri, në malësi, në Shosh të Dukagjinit.

R.SH. / Vatikan

Në rubrikën “Krishtlindja, në kryevepra proze”  (Emisioni XI) vijojmë të shfletojmë faqe nga letërsia shqipe, kushtuar Festës së Madhe të Lindjes së Jezu Krishtit. Emisionin e sotëm ia kushtojmë rrëfimit të Atë Atë Zef Pllumit, ofm, që na përshkruan një nga Meshët më prekëse të Krishtlindjes, e para pas diktaturës komuniste në Shqipëri, në malësi, në Shosh të Dukagjinit.

Krishtlindja, në kryevepra proze: Atë Zef Pllumi: 10 vjet liri

Atë Zef Pllumi: Këshndellat në Shosh

Mbasi kaloi ndonji ditë, më erdhen te shpija disa burra prej Shoshit e më kerkuene që të delshem në malci me çue meshen e parë ne Shosh. Meshen e parë mbas lirisë, në malet ma në fund të lira. Sepse liria po ngjitej edhe në krepa. Kështu besojshim, të paktën, të kapërthyem prej entuziazmit të çastit. Un ishem i lodhun, i sëmundë, krejt pa kërçik me dalë nder ato male të nalta e të vështira. Refuzova, prandej, e u thaçë se nuk kisha kurrfarë mundsijet. - Kërkoni ndonji tjeter, që t’jetë ma në gjendje se un, se un jam shum shndetlig – u thashë. Mbas 4-5 ditësh po më vinë 5-6 djelmoça te ri, edhe ata prej Shoshit edhe po më thonë: - Pater, na jemi të papagëzuem. E po e sheh vetë se i kena kapë 25 vjetët. 25 vjeç e poshtë  jem t’gjith t’papagëzuem. Ti je frati ynë e nuk besojmë se ta merr mendja me e lanë pa u pagëzue gjith at rini, qi asht në Shosh. Këto fjalë më lodhen shpirtnisht e nuk mujta me u thanë jo. Ata më siguruen se do të ma gjejnë menjiherë makinen e gjithçka më duhej për rrugë. Por natyrisht që ato premtimet e mira, si e kanë zakon dukagjinsit, nuk dolen. Makina ishte nji kamjon. Aty më kishin rezervue nji vend, njitun me shoferin. Ishte 2 ditë para Shën Kollit, pra data 4 dhetor, kur mbërrita ne mal të Shoshit. Aty ia nisi nji flokim i lehtë, që shtrohej mbi shtresat e bardha të borës, e cilla këtu nuk pushon tanë dimnin. Kur zbrita prej makinet, u desht me ba nja 3 çerekë oret rrugë në kambë, në teposhte. Kështu, zhyt-mbyt në borë e akull, deri që shkova në shpi të Kol Lulash Balës të Palajt. Rifillonte për mue aventura françeskane, që e kisha nisë nen flokë bore e, me çka dukej, ashtu edhe kishem me e përfundue. Aty fjeta atë natë. E prej asaj shtëpie që kotej nën borë, u lëshue zani shpat en shpat, siç e kanë zakon malcorët. Ushtoi zani se kishte ardhë prap frati me çue Meshë, prandej të gjith ata, që ishin të papagëzuem, mujshin me marrë pjesë. Ne nesre më çuen te vorret në koder të Shqurkut. Aty kishin pregatitë nji barakë me dërrasa, ku të çohej mesha, pa i kapë bora fratin, as besimtarët. Baraka ishte në mjes të varrezës të mbulueme me një jergan të trashë bore. Nën te flejshin të dekunt, nën kryqat, që sapo i kishin vu përsëri, mbulue edhe ata me borë.  Edhe të gjallët do të rrishin nën borë.

Atë natë bora nuk pushoi asnjë minut. E as ne e nesre. S’diti me pra gjith diten. Kur dola te kisha, te vorret e Shqurkut, njaty kah mesdita, m’u desht me hapë fletoren, që kishem marrë me vete, për t’i shkrue të gjith ata njerz, që dishrojshin me u pagzue. Nuk pata nevojë aspak me e shfletue. Xhakoni em atë ditë kje era. Gjithsesi i pagëzova e i krezmova të gjith ata, që dishrojshin, në bazë te privilegjeve që kishim. Kol Gjoni shkruente në fletore, mbasi dikur kishte kenë rrogtar i fratit. Kishte ndejë te Kisha dhe ishte i vetmi, që i dinte këto punë. Ishte edhe fort i shkathët. Mjerisht ata burrat e vjeter, qi i kishem njoftë, i gjeta nën kryqat e bardhë, nën borë. Nuk kishte mbetë ma pothuejse kurrkush. Natyrisht! Kishte kalue nji kohë pothuejse 25-vjeçare.

Gjithçka kishte ndryshue: ata, që ishin kenë fëmi, tashma ishin ba burra, ata që ishin kenë burra, ishin ba pleq e edhe kishin ardhë me fjetë aty, me të parët. Megjithkta, malcorët i kishin ruejtë teshat e Meshës në nji shpellë e Kalurit, kshtu i thojshin, e kishin shkue e i kishin nxjerrë për këtë meshë të jashtzakonshme. Teshat e meshës kishin mbetë ndry në shpellë qysh në atë kohë, kur u mbyll Kisha. Pak e kush dite gja per to. E ata pak që e dijshin, i kishin nxjerrë prej shpellet e i kishin vu mbi Elter, mbi at tavolinë, ku do të thojshem meshen. U përmallova sa s’ka! Populli të gjith filluen uratët, sikur Kisha të kishte kenë e pa mbyllun deri dy ditë para. Lutje nën flokë të denduna bore, në maje të malit, me nji devocion  të jashtzakonshëm, me nji përshpirtni, që rrallë herë e kisha pa. Kjajshin malcorët, me lot për faqe. Lot, që u ngrijshin menjëherë prej cegmit. Lot akulli! Kjajshin e i luteshin të madhit Zot për çka kishin vuejtë e për çka shpresojshin. E çka shpresojshin, ishte nji liri e vërtetë.

Tri ditë rresht çova Meshë aty! Tri  ditë rresht bora ra, si bje vetëm në epos. Pa pushue asnji minut. Tue randue gjithnjë ma shumë mbi lisat, gati për me u thye e mbi çetinat, të cilave iu dukshin vetëm kreshtat. Merrnje me mend sa u çuditen, kur u thaçë se nuk mund të rrishem ma aty, sepse m’u donte me kthye fill mbas meshet në vende të tjera, që pritshin me të njajtin padurim, meshë të tjera, pagëzime e krezmime e martesa të tjera.  Ata u banë marak, mbasi bora kishte mbërrijtë ma se nji metër. Mali i Shoshit sigurisht që kishte edhe ma shum. Prej këndej, nuk mund të kalohej kambë. E atëherë ata kishin shkue e folë me nji malsuer prej Pilotajsh, i cilli kishte mjetin, domethanë, traktorin për me hjekë boren prej rruget. Kishin folë me te edhe ai u kishte thanë që e marr unë fratin edhe e çoj deri në Kir. Ndryshej nuk mund të kalohej.

Kam pagëzue në ato 3 ditë ma se 200-vetë e, ndoshta, edhe nji grimë ma shum. Deri prej Shalet kishin ardhë, njashtu nëper borë e nëper mot të lig, e edhe prej vendeve të largta, për me mujtë e me i pagëzue fëmitë e vet. U dava me mall prej tyne, kur mbas Meshet, së fundit, hypa në atë traktor i cilli, rrugë e pa rrugë, u ngjit deri tek sharrat. Aty, pa mbrritun në krye të malit të Shoshit, ishte stabilimenti i druve. Aty i shkurtoshin drutë e i bashin gati për me i ulë, mandej, për Shkodër.

Ishin disa baraka, nja 4-5, ku flejshin puntorët e sharrave, por me që ishte kenë festa e Shënkollit, ata të gjith kishin kthye ndër shpija e nuk ishte kurrkush mrendë në ato baraka. Kur mbrritëm bash e në mal të Shoshit edhe kalueme qafen, frynte nji erë e terbueme, ngarkue me borë të dendun, që nisi me na rrahë si me kamxhik prej akulli. Nisëm me u ngri edhe na, aty mrendë, në traktor, aq ftohtë ishte. Acar kristalin. Bora iu ngjitëte xhamave të traktorit, të cillët nuk e di çfarë xhamash ishin. Ndoshta plastiket, qyshse nuk e lejshin ma traktoristin me pa as nji pllambë para. Rruga nuk dukej aspak e ai ia grahte me hamendje, tue ça borën me nji naltësi të madhe, së paku deri në 2-metër.

Unë kishem nxjerrë rruxaren e ju lutshim Zotit qi të na e prijë mbarë. E deri diku edhe na e priu. Deri në atë çast, kur traktori duel jashtë rruge u përmbys, rrokoll-rrokoll nja 2-3 herë. Na rame me krye përmbys, deri sa, pothuejse për mrekulli, traktori se ku ndeshi. Ishte kapë më në nji cung pylli të premë e të rrokullisun prej nalt. Aty pushoi traktori, por u ndal në bri e jo me zinxhirë poshtë.

Traktoristi nuk dinte ma se ku ishte, ndërsa un me gjithë Fran Kolen, qi më  shoqnonte, hapme kapakun edhe dolme në borë. Aman o i madhi Zot! Frynte nji acar i rreptë. Traktoristi nuk bahej i gjallë. Kishte humbë plotësisht ndjenjat. Nisem me e  tundë e me e shkundë, e atëherë erdh në vedi. Fjala e parë, që tha, me za të mugët, ishte: - Gjallë jeni? - Kujtoi se kishim dekë e po shifte shpirtënt tonë, krejt transparentë, bajtë prej ejsh në botën e bardhësisë. Po na ia  davaritem andrren  - Gjallë, gjallë - i gjegjem. - Ju paska pshtue Shënkolli – vijoi ai me një za që dukej si i dalun prej vorrit. - Po - ia ktheva - kjo asht nji mrekulli e madhe.

Ai mori veglat të cillat i kishte me vedi edhe hapi ujin e traktorit, që të derdhej e mos të ngrihej. E ne na u desht me iu kapë kambë asaj të përpjete, deri që dolëm në shesh të rrugës. Rruga nuk shifej ma, atëherë na u desht me kthye deri te ato barakat, ku ishin ferrat. U lëshueme në teposhte rrugë pa rrugë e rrëshqitem si mujtem e mbërritem deri tek barakat e sharrave. Kur mbrritem, duert tona ishin ngri kaçâ. Barakat ishin të ndryme, por na e shpërthyeme nji derë e hyme mrendë. Aty kishte stufa llamarinet, stufa primitive, po mirë boll për njerëz të ngrimë, si na, që dishrojshin me u shkri sa ma shpejt.  Për fat, traktoristi e pinte duhanin e kishte edhe shkrepcen me vedi. Gjet do pisha aty, të bame gati, i ndezi edhe ma në fund zjarmi mori të përpjetën. Kishim pështue. Nisëm me u ngrohë e filloi me na ardhë shpirti. Filloi me na ardhë, por edhe mund të na delte përsëri, mbasi nuk e kishim asnjë kashatë bukë me vedi. Ishim të izoluem në maje të malit, rrethue gjithkah me borë, larg çdo shpije e larg çdo katundi. Ndokush mund të kujtojë se ky vend ku kishim sosë, ishte poli i jugut! Aq ma tepër se aty, nder ato baraka, nuk kishte gjasë që, së paku edhe per nji javë, të vinte kush per me punue. Ishte edhe ma e pamundun, sesa me shkue në pol. Atëherë, paksa para muzgut, traktoristi na tha se po nisej e po bante çmos me ra në katund.  - Këtu - tha - na jem t’maruem nëse nuk lajmërojmë katundin. Un po lëshoj kushtrimin atje, në mënyrë që ta marrin vesht se asht turp e marre per Shoshin me e lanë me u ngri fratin në maje të malit. E me mbetë kjo punë prrallë brez mbas brezi. 

U munduem me ja mbushë menden mos me dalë at natë, se ndoshta ne nesret do të zbardhte ditë ma e mirë, por nuk kje gja. La aty strajcen e veglave e u lëshue tue rrëshitë në teposhte. Ne nesre, njaty kah mesdita, po duken 4 mushq e 14 njerz tjerë kambësorë, që po vijshin neper borë me na pshtue. Kishin pru me vedi edhe bukë. Kater mushqit i kishin vu përpara, tue i ndërrue me rend, herë njanin e herë tjetrin, per me hapë rraven e borës, mbas tyne atëherë shkojshin kamësorët, edhe ata tue u ndërrue me rend, në mënyrë që të hapej rruga. Tek e mbramja mbërriten te na, me gjithë çka na kishin pru me hanger. E mbasi hangrem, e morëm persëri rrugen perpjetë e dolem deri atje, ku ishim rrezue me traktor. E vazhduem rrugen, deri që rame në Kir e, kur zbritem, kah ana e Kirit kishte borë perherë e ma pak. Natyrisht që edhe në Kir, te kisha sidomos, kishte nji gju borë. Por rruga nuk ishte e pakalueshme. E aty kishte dalë nji kamion per me na pritë.

Mbrritëm aty në muzg të ditës e nuk u vonuem aspak, aq sa nuk pata kohë me u ndalë e me e pa atë vend ku kisha shërbye. Ishte shndërrue e ba qander kooperativet. Kisha nuk ishte ma e... kaq mujta me pa, sepse m’u desht me hy në makinë bashkë me Fran Kolen e, mbas gjithë kësaj aventure, ma në fund mbrritem edhe në Shkoder. Në Shkoder mora vesht se po nder ato ditë që ishem kenë në Shosh të Dukagjinit, kishte ardhë në Shqipni Nana Tereze. E, si kishte ardhë në Shqipni, ishte takue me Ramiz Alinë e me Nexhmije Hoxhen. Per ma teper, kishte shkue e kishte vu nji tubë lule mbi vorrin e Enverit. Por në këto çaste çka m’i trazonte ma shumë mendimet e mija, nuk ishte ajo tubë lulesh mbi atë vorr, por katundet e Shkodres, ku pothuejse për ditë, e jo vetem nder dit të diele, por edhe në dit javet, thoheshin meshë, herë në nji katund, e herë në nji tjeter. Veç kishte mbetë krejtësisht jashtë kësaj loje Lezha, kishte mbetë Tirana, Durrësi e të gjith Shqipnia.

 

11 dhjetor 2023, 11:30