Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës II të Ardhjes 'B'
R.SH. - Vatikan
Në këtë të Diel të dytë të Kohës së Ardhjes, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik, Marku ungjilltar (1,1-8) na paraqet figurёn dhe misionin e Gjon Pagёzuesit, i cili hyn menjёherё nё skenё me pagёzimin e tij, qё ka si qёllim kthesën shpirtërore të atyre, qё i rrёfejnё mёkatet. Në mënyrë që kёshtu tё vihen në udhën e drejtësisë e tё dashurisë. Të ndjekim një fragment nga Ungjilli i kësaj së diele nga shën Marku:
1 Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit. 2 Në përkim me fjalët që shkruan Isaia profet: “Qe, unë po dërgoj lajmëtarin tim para teje që do ta bëjë gati udhën tënde; 3 është zëri i njërit që bërtet në shkreti: ‘bëni gati udhën e Zotërisë, rrafshoni shtigjet e tija!’”, 4 në shkreti u duk Gjon Pagëzuesi e predikonte një pagëzim pendese për faljen e mëkateve. 5 Mbarë krahina e Judesë e të gjithë jerusalemasit shkonin tek ai. Pasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, Gjoni i pagëzonte në lumin Jordan. 6 Gjoni ishte i veshur me petk prej leshit të deves e rreth ijesh kishte brez lëkure. Ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër. 7 Në predikimet e veta thoshte: “Pas meje po vjen një më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandaleve të tija. 8 Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt”.
Të lutemi së bashku:
Më more për dore
në shkretëtirë, o Zot,
për të dëgjuar fjalën e Gjonit.
Nuk ish shëtitje
e as shtegtim dëfryes.
Jo, nuk ishte!
Se Gjoni e nisi britmën,
e i shoi të gjitha zërat
që u prijnë shtegtimeve;
të gjitha zërat
që botën e shurdhojnë:
britma të çuditshme,
gjithnjë më shpesh pa kuptim!
E foli fjalë të ashpra,
krijoi figura
që s’të lënë asnjë shteg hapur:
kujtoi sopatën, që pa pikë mëshire,
e rrëzon në pyll
drurin pa fryte,
për të bërë me të një zjarr
që ndrit e ngroh.
Krejt shtati m’u rrënqeth,
sopata m’u duk
si t’ çikte lëkurën e fortë,
të pa depërtueshme
të shpirtit tim:
dru me gjethe të thata,
përplot me fjalë,
me dukje plot,
por krejt pa fryt.
Dënim, pa kurrfarë shpëtimi?
Ëndërr e keqe?
Makth kalimtar?
Jo, ky Profet,
i kapërthyer në lëkura
nuk deshi të më tmerrojë.
Deshi dy sytë t’m’i hapë
për të parë, Atë
që jetën mund të ma ndërrojë.
Të pranoj?
A të mos e pranoj?
Të besoj?
A të mos besoj?
Po ai sopatën vringëllon
e duhet të zgjedh…
Duhet të ndryshoj,
duhet ta nis
më në fund kthesën e madhe:
ta pranoj mëkatin
që fshihet në shpirtin tim,
e ftesën për pastrim!
T’ vihem për udhë,
për udhën e drejtësisë
për udhë të ndershmërisë,
për udhë të dashurisë...
Prandaj Gjoni sopatën vringëllon,
që unë të mos ngulem
në pyllin e dendur të botës
si dru i thatë, pa fryte!
Të paktën të digjem zjarr
e ta ngroh botën!