Avvento Avvento

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës IV të Ardhjes ‘B’

Zoti e mban fjalën e erdhi çasti/Tani, Zoti realizon një projekt të paparë/e për të të dërguar Ty, o Jezus,/Birin e Tij të dashur,/në këtë historinë tonë njerëzore,/zgjedh një “banesë” për ta mbushur/me gjithë hirin dhe dashurinë e vet./Hyji nuk u drejtohet bijave të të pushtetshmëve:nëna jote,Maria, o Jezus, është një vashë nga një qytet pa pikë rëndësie/sepse Ati Qiellor sheh përtej dukjes/ e kërkon gatishmërinë e zemrës,/Në fund të fundit, vendimtar/është dikimi i Shpirtit Shenjt...

R.SH. - Vatikan

Fjala e Zotit e dielës së 4-të e të fundit të Ardhjes, edhe një herë na thërret ta pranojmë mesazhin e shpëtimit me zemër të vendosur e vullnet të gatshëm ndaj çdo thirrje që Zoti na drejton.

“Shpirti Shenjt do të zbresë mbi ty e fuqia e Hyjit të Tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet”. Këto janë fjalët e shën Lukës ungjilltar, në pjesën ungjillore të kësaj së Diele të fundit të kohës së Ardhjes që na propozojnë rrëfimin mbi Lajmërimin e Engjëllit të Zotit Marisë Virgjër. “Gëzoju!”, i thotë engjëlli Marisë, “do të zësh një djalë, do ta nxjerrësh në dritë e do ta quash Jezus”.

Po vjen Krishtlindja e kjo ndihet qartas në këtë të Diel IV të Kohës së Ardhjes. Të ndjekim Ungjillin...

26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 27 te një virgjër, që ishte e fejuar për një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari. 28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha: “Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!” 29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje. 30 Por engjëlli i tha: “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit! 31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë. Ngjitja emrin Jezus. 32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim”.

34 Atëherë Maria i tha engjëllit: “Si do të mund të ngjajë kjo, ndërsa unë jam virgjër?” 35 Engjëlli iu përgjigj: “Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë - Biri i Hyjit. 36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!” 38 Atëherë Maria tha: “Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!” Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.

Të lutemi së bashku:

Zoti e mban fjalën e erdhi çasti

për të ndërtuar “shtëpinë”, që i pati premtuar mbretit David.

Tani, Zoti realizon një projekt të paparë

e për të të dërguar Ty, o Jezus,

Birin e Tij të dashur,

në këtë historinë tonë njerëzore,

zgjedh një “banesë” për ta mbushur

me gjithë hirin dhe dashurinë e vet.

Por si gjithnjë, udhët e Tij

nuk janë si tonat.

Hyji nuk u drejtohet bijave të të pushtetshmëve,

grave të fisnikëve,

bashkëshorteve të meshtarëve të atëhershëm hebrenj:

nëna jote, o Jezus, është një vashë e re

nga një qytet pa pikë rëndësie

sepse Ati Qiellor sheh përtej dukjes

e kërkon gatishmërinë e zemrës,

sepse sytë e tij nuk llogarisin

madhështinë e klanit

fuqinë e ndonjë dinastie,

pasurinë e familjes,

por besimin, që dëshmohet

me dëshirën për të bërë vullnetin e Tij.

Në fund të fundit, vendimtar

është dikimi i Shpirtit Shenjt

rëndësi ka mirësia e tij e pamasë,

prandaj, jo me paratë e të mëdhenjve,

por me butësinë e përvuajtur të të vegjëlve,

me gatishmërinë e të varfërve,

ndërtohet tempulli i historisë së shëlbimit të njerëzimit.

23 dhjetor 2023, 10:47