Të meditojmë Ungjillin e Dielës së 3 të Ardhjes 'B'
R.SH. - Vatikan
E Diela III e Kohës së Ardhjes, ciklit të dytë, na paraqet një pjesë të Ungjillit nga kreu i parë e i tetë i shën Gjonit, që ripohon sërish se Jezu Krishti është Mesia, që prisnin njerëzit. Shën Gjon Pagëzuesi e thekson këtë, duke paralajmëruar se do të vijë Mesia, që do të pagëzojë në Shpirtin Shenjt. E Gjon Pagëzuesi jep dëshmi për Krishtin para të gjithëve. Pra, Krishtlindja do të kremtohet përsëri për të na kujtuar se Misteri i Zotit është burimi i gëzimit të vërtetë. E Zoti vjen pranë nesh, kur e jetojmë atë që përfaqëson Shpella e Betlehemit, Emanueli Zotin me ne: dashurinë, përvujtërinë, varfërinë.
Të ndjekim një fragment nga Ungjilli i kësaj së diele sipas Gjonit (Gjn 1,6-8.19-28).
Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por dëshmoi Dritën.
Dhe ja, dëshmia e Gjonit! Kur judenjtë nga Jerusalemi dërguan tek ai priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?” ai pranoi, nuk e mohoi, por dëshmoi: “Unë nuk jam Mesia!” “Kush pra? – e pyetën ata. – A mos je Elia?” “Nuk jam!” – u përgjigj. “A je Profeti?” “Jo!” – ua ktheu. Atëherë i thanë: “Kush je, që t’u kthejmë përgjigje atyre që na dërguan?” Ai tha: “Unë jam zëri i atij që bërtet në shkreti: ‘Rrafshoni udhën e Zotit!’ – sikurse tha Isaia profet (Gjn 1,6-8.19-28).
Të lutemi së bashku:
Na mungojnë o Jezus, profetët
e kalibrit të shën Gjon Pagëzuesit,
na mungojnë zërat, që vibrojnë
me dashuri të plotë për Zotin,
ata që janë gati për gjithçka
që të realizohet plani i Tij.
Na mungojnë o Jezus, profetët
e ndershëm si Gjon Pagëzuesi,
që i pranojnë kufizimet e tyre,
që s’marrin përsipër detyrat e të tjerëve,
që e kuptojnë rolin e vet si shërbim,
për t’u bërë me thjeshtësi e vendosmëri,
por nuk tundohen të ngjiten në skenë
e të bëjnë më kot protagonistin.
Na mungojnë o Jezus, profetët
me guximin e Gjon Pagëzuesit:
që u kujtojnë të pushtetshmëve të kësaj bote
ligjet e tua dhe ua përplasin fajet në fytyrë,
njerëz, që nuk i ndajnë fjalët nga veprat.
Por, ndoshta, o Jezus, ti nuk do
që ne të të kërkojmë më shumë profetë
pasi Shpirti Shenjt i jep secilit prej nesh
mundësinë për të qenë ai zë
që e prish heshtjen e turpshme
të atyre, që s’presin asgjë
prandaj, humbasin në kotësi
Na jep forcën për t’u treguar të gjithëve
ku është shpëtimi
e si të arrijmë plotësinë e jetës