Tetë anëtarë të bashkësisë “Tempulli i Zotit”, në Sapë, bëjnë kushtet e përjetshme
R.SH. – Vatikan
Bashkia e re kishtare “Tempulli i Zotit”, në dioqezën e Sapës, pasurohet me 8 anëtarë të rinj, që këto ditë, bënë kushtet e përjetshme, duke i thënë “po” Zotit përgjithmonë. Kremtimin e rastit e kryesoi ipeshkvi, imzot Simon Kulli, në Kishën katedrale të Shën Terezës së Kalkutës, në Vaun e Dejës, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të besimtarëve. Kushtet e përjetshme, nënvizoi imzot Kulli, janë “pëlqim për të bashkëpunuar me Hyjin, sipas rregullave në Bashkësinë ‘Tempulli i Zotit’ themeluar prej disa vitesh” në Shqipëri. Ipeshkvi iu lut shenjtes shqiptare Nënë Tereza dhe martirëve të fesë t’i ndihmojnë tetë anëtarët e rinj në udhën e tyre shpirtërore. Nga Vau Dejës të ndjekim informacionin e Violeta Marashit…
KUSHTIMI I PËRJETSHËM I ANËTARËVE TË BASHKËSISË “TEMPULLI I ZOTIT”
Kisha e Shenjtë dhe familja e Bashkësisë Tempulli i Zotit gëzuan në ceremoninë e kushtimit të përjetshëm të 8 anëtarëve të kësaj bashkësie, Drita, Srecko, Andriana, Marjeta, Elizabeta, Mirela, Emanuela dhe Zina, duke i thënë “Po” Zotit përgjithmonë.
E gjithë ceremonia u organizua në Kishën Katedrale të Shën Terezes së Kalkutës në Vau Dejës, me pjesëmarrjen e popullit të Zotit, meshtarëve e motrave si dhe familjarët e të kushtuarve, të cilët u bashkuan në këtë kremtim të shenjtë të udhëhequr nga bariu i grigjës së Sapës, Imzot Simon Kulli, për të shoqëruar në lutje këto kandidatë të kushtuar Zotit, që me liri të plotë shpallen publikisht dëshirën e tyre për të qëndruar në këtë familje të re të kishës, duke e ndjekur atë sipas Këshillave Ungjillore dhe Statutit të Bashkësisë.
Mënjëherë pas shpalljes së Ungjillit, diakoni Dom Mario Kataliniç thirri secilin kandidat për emër përpara Altarit, për dhënien e premtimeve të përjetshme.
Ndërsa në predikimin e rastit, Imzot Simon Kulli, tha se një “Po” e kushtimit Zotit, na ka bashkuar sot në këtë kishë katedrale. Një pëlqim për të bashkëpunuar me Zotin, sipas rregullave në Bashkësinë Tempulli i Zotit themeluar prej disa vitesh në vendin tonë. Janë këto të rinjë e të reja që do t’i kushtohen Zotit për gjithë jetën me kushtet rregulltare: Kushtet e Pastërtisë, varfërisë dhe dëgjesës, që janë shenjë e dorëzimit të plotë Zotit, dashurisë dhe bashkimit me Kishën. Po kështu, ipeshkvi porositi me fjalët e Shën Gjon Palit të dytë: “mos Kini frikë; hapjani portat e zemrës suaj Krishtit”, duke e mbyllur pastaj me urimin që Shën Nënë Tereza dhe Martirët tanë ndërmjetësofshin për ju në ketë kushtim të përjetshëm.
Gjatë kremtimit të ritit të kushtimit, mes të tjerash, kandidatët lexuan përpara Moderatores së Përgjithshme, motër Drita Pepaj, formulën e dhënies së premtimeve të përjetshme, ku premtuan se i kushtohen Zotit plotësisht me jetën e tyre përmes vëllezërve dhe motrave që Zoti iu ka dhuruar, duke hequr dorë nga martesa dhe të mirat materiale për t’iu dhuruar Zotit në pastërti, në dëgjesë dhe varfëri. Tjetër shenjë simbolike e këtij kushtimi ishte edhe unaza si shenjë e besëlidhjes së dashurisë së Zotit që ka dashur të bashkohet me këto kandidatë të kushtuar.