Toka e Shenjtë, patriarkët dhe krerët e kishave: është Krishtlindje
R.SH. / Vatikan
Lindja e Krishtit është "lajm hyjnor shprese dhe paqeje edhe në mes të vuajtjeve", shkruajnë prijësit e bashkësive të krishtera të Jeruzalemit në një mesazh, në të cilin denoncojnë dhunën e vazhdueshme dhe vuajtjet e mëdha të shkaktuara nga lufta, njëheresh me ftesën për shpresë dhe për paqe "të drejtë dhe të qëndrueshme".
Eshtë Krishtlindje, të ndalet dhuna!
"Sepse ne na lindi një fëmijë, na u dha një djalë; qeveria do të jetë mbi supin e tij dhe emri i tij do të jetë "Këshilltar i mrekullueshëm, Perëndi i Fuqishëm, Atë i Përjetshëm, Princ i Paqes". Me këtë njoftim themelor për njerëzimin, marrë nga libri i Isaisë profet, hapet mesazhi i patriarkëve dhe krerëve të kishave të Jeruzalemit me rastin e festës së afërme të Krishtlindjes.
Vuajtje të paimagjinueshme, shkaktuar nga lufta
"U bëjmë urimet tona të Krishtlindjes besimtarëve në mbarë botën - lexojmë në tekst - në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, Princit të Paqes, i lindur këtu në Betlehem më shumë se dy mijë vjet më parë". Kujtimi i ngjarjeve aktuale është i pashmangshëm. "Duke shprehur këto urime - vazhdojnë liderët fetarë - ne e dimë mirë se e bëjmë këtë në një kohë fatkeqësie të madhe në tokën e lindjes së Zotit tonë. Në dy muajt e fundit, dhuna e luftërave ka shkaktuar vuajtje të paimagjinueshme për miliona njerëz në Tokën tonë të dashur e të Shenjtë. Tmerret e saj të vazhdueshme kanë sjellë mjerim dhe dhimbje të pangushëllueshme në familje të panumërta në të gjithë rajonin tonë, duke shkaktuar klithma dhembshurie në të katër anët e tokës. Për ata që jetojnë në qendër të rrethanave të tilla të tmerrshme, shpresa duket e largët dhe e paarritshme”.
Familja e Shenjtë u detyrua të shpërngulet, si refugjatët e sotëm
"E megjithatë, në një botë të tillë lindi vetë Zoti ynë, për të na dhënë shpresë". Patriarkët dhe krerët e Kishave të Tokës Shenjte kujtojnë se "gjatë Krishtlindjes së parë situata nuk ishte shumë e ndryshme nga ajo e sotme. Edhe Virgjëra Mari e Shën Jozefi nuk e patën të lehtë të gjenin një vend për lindjen e djalit të tyre. Edhe atje vriteshin fëmijët. Kishte pushtim ushtarak. E edhe Familja Shenjte u detyrua të shpërngulej si refugjate. Nga jashtë, nuk kishte asnjë arsye tjetër për të festuar, veç lindjes së Zotit Jezus. Megjithatë, në mes të gjithë këtij mëkati e kësaj dhimbjeje, Engjëlli iu duk barinjve duke shpallur një mesazh shprese dhe gëzimi për të gjithë botën: 'Mos kini frikë, sepse ja, unë ju kumtoj një gëzim të madh që do të jetë për të gjithë popujt: sot, në qytetin e Davidit, lindi Shëlbuesi, që është Krishti Zot".
Jezusi, Emanueli, është "Zoti me ne"
"Në mishërimin e Krishtit, i Gjithëpushtetshmi erdhi tek ne si Emanuel, 'Zoti me ne', për të na shpëtuar, për të na shëlbuar, për të na shndërruar. Në këtë mënyrë u përmbushën fjalët e Isaisë profet:
"Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajme të gëzueshme, t’i shëroj zemrënplasurit, t’u shpall skllevërve lirinë, të burgosurve, çlirimin; të shpall vitin e hirit të Zotit”.
Ky është mesazhi hyjnor i shpresës dhe i paqes që Lindja e Krishtit na e frymëzon edhe në mes të vuajtjeve. Vetë Krishti lindi dhe jetoi në mes të vuajtjeve të mëdha.Vërtet ai vuajti për ne deri në vdekjen e tij në kryq, që drita e shpresa të shkëlqejnë në botë, duke pushtuar errësirën".
T'i jepet fund dhunës dhe të punojmë së bashku për paqen
Në mesazhin e krerëve fetarë të kishave në Jerusalem nuk mungojnë denoncimet për të gjitha veprimet e dhunshme që po ndodhin dhe thirrja për t'u dhënë fund. "Në të njëjtën mënyrë - shkruajnë përsëri ata - ne i ftojmë njerëzit e kësaj toke dhe të mbarë botës të kërkojnë hirin e Zotit për të mësuar të ecin me njëri-tjetrin në rrugët e drejtësisë, mëshirës dhe paqes. Së fundi, ftojmë besimtarët dhe të gjithë vullnetmirët të punojnë pa u lodhur për lehtësimin e të vuajturve dhe për një paqe të drejtë e të qëndrueshme në këtë tokë që është njëlloj e shenjtë për të tre besimet monoteiste. Kështu do të lindë edhe një herë shpresa e Krishtlindjeve, duke nisur nga Betlehemi dhe Jeruzalemi e duke vërshuar deri në skajet e tokës - përfundojnë - Realizojnë, kështu, fjalët ngushëlluese të Zakarisë: “Shpirti i Zotit është mbi mua, sepse Ai më shuguroi! E më dërgoi t’u shpall të vobektëve Ungjillin, robërve lirinë, të verbërve dritën e syve; t’i çliroj të shtypurit, të shpall vitin e hirit të Zotit”.
Nga lart do të shpërthejë agimi përmbi ne, për t'u dhënë dritë atyre që ulen në errësirë dhe në hije të vdekjes, duke i drejtuar këmbët tona drejt rrugës së jetës".