Kërko

UCRAINA SOTTO ATTACCO, KIEV, 'MAI VISTI TANTI MISSILI' UCRAINA SOTTO ATTACCO, KIEV, 'MAI VISTI TANTI MISSILI'

Ukrainë, shi raketash. Don Zheplinskyi: në shenjestër, civilët

Rrëfimi i kryeredaktorit të Departamentit të Komunikimit të Kishës Katolike Greke të Ukrainës, na njeh me orët e fundit dramatike të jetuara nga qytetet kryesore të vendit, përfshirë kryeqytetin Kiev, nënshtruar një bombardimi të dhunshëm nga rusët, i cili goditi një klinikë materniteti, shkolla, shtëpi, qendra tregtare: “Krishtlindja është burim shprese dhe force. Zoti është me ne e ne ecim përpara!”

R.SH. / Vatikan

"Mbijetuam, falë Zotit, shpëtuam nga një sulm me mbi 100 raketa". Don Taras Zheplinskyi, kryeredaktor i Departamentit të Komunikimit të Kishës Katolike Greke të Ukrainës, flet nga Kievi, kryeqyteti në shënjestër të bombardimeve masive ruse gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit. Sulme, që në Kiev dhe qytete të tjera të prekura, si Odessa, Zaporizhzhia, Kharkiv, Lviv dhe Dnipro, shkaktuan deri tani 18 vdekje dhe mbi 100 plagosje, duke përfshirë dy fëmijë të moshës gjashtë dhe tetë vjeç në mesin e viktimave. "Shumica e këtyre sulmeve - pohon Don Taras - kishin për qëllim vrasjen e civilëve, jo të ushtarakëve". Zheplinskyi kujton objektivat e goditura në orët e fundit; një klinikë materniteti, shkolla, qendra tregtare, ndërtesa më shumë se njëzet katshe. “Njerëzit po flinin - shpjegon – ja pse sulmi nuk ishte kundër ushtrisë. Nuk po luftojnë kundër ushtrisë, është luftë kundër civilëve, civilëve ukrainas”.

Të vdekurit nuk janë statistika

Për shtrirjen e sulmit më të madh në muajt e fundit, flet vetë presidenti ukrainas, Zelensky, i cili përveç deklaratës se shumica e raketave u kapën dhe u rrëzuan nga anti-ajrorët ukrainas, dha një njoftim të shpejtë "për sulmet terroriste". “Ndonjëherë - vazhdon Don Tarasi - nuk gjinden fjalët që duhen për ta përshkruar çka po jetojmë. Gjëja e parë që bën kur dëgjon një raketë në rënie ose kur dëgjon një shpërthim, është të zbulosh çdo informacion të mundshëm. I telefononi sakaq të dashurve tuaj për t’u  siguruar se gjithçka është në rregull, se të gjithë janë gjallë". Ashtu siç i ka ndodhur edhe atij vetë, kur gjatë sulmit ishte larg gruas dhe djalit të tij, sepse i zënë me kremtimin e meshës, “dhe nuk mundi të telefononte, sepse nuk mund ta dinte cili ishte objektivi i sulmit”. Numri i të vdekurve dhe të plagosurve po rritet në mënyrë dramatike, "statistikat janë gjithmonë të përditësuara - vazhdon Zheplinskyi - por si prift do të doja të kërkoja të shkojmë përtej shifrave, sepse çdo numër është një jetë, e humbur apo e plagosur. Pasi shpëtova, faleminderës Zotit, lutem për të vdekurit dhe të plagosurit dhe ju kërkoj që të luteni dhe të përpiqeni të ndihmoni popullin e vuajtur të Ukrainës”.

Krishtlindje, burim shprese dhe force

Këto ishin Krishtlindjet e dyta në luftë për Ukrainën, “dhe ne si të krishterë i festuam”, edhe nëse më parë - shpjegon prifti - kishte pasur diskutime nëse ishte apo jo e përshtatshme për ta bërë këtë. “Ne festuam dhe, në Ukrainën që po jeton në luftë, mirëpritëm Zotin, që lindi mes nesh. E ky ishte mesazhi kryesor i kësaj feste: Zoti është me ne!”. Pikërisht nga ky mesazh i rëndësishëm të gjithë po rifitojnë forcën për të ecur përpara, pavarësisht nga konflikti dhe rreziqet e tij”.

“Nëse Zoti është me ne, ne ecim përpara - përfundon ai – E kur njerëzve u mungon shpresa, u mungon burimi nga i cili mund të marrin forcë, Krishtlindja bëhet burim shprese dhe forcë. Zoti është me ne! E ky është mesazhi më i rëndësishëm, që edhe unë, si prift, përpiqem t'ia përcjell popullit të tmerruar të Ukrainës".

29 dhjetor 2023, 17:26