Papët dhe Zoja Zeshkane e Guadalupes

Ati i Shenjtë Françesku nuk është Papa i parë, që shkeli në trojet e Meksikës (12-18 shkurt 2016). Para tij shkelën edhe dy papë të tjerë: Gjon Pali II dhe Benedikti XVI. Papët e quajtën Zojën e Guadalupes “Zojë të Meksikës”, “Pajtore qiellore e Amerikës Latine”, “Nënë e Perandoreshë e Kontinentit latino-amerikan”. Edhe ne sot i lutemi Zojës së Guadalupes, që nderohet me devocion prej shekujsh, si shenjë e pajtimit dhe e mirësisë së pakufishme të Zotit për botën.

R.SH. / Vatikan

Zoja e Guadalupes (spanjisht: Nuestra Señora de Guadalupe apo Virgen de Guadalupe) që kremtohet nga kalendari liturgjik i Kishës më 12 dhjetor është një figure e shekullit 16-të, që paraqet dukjen e Virgjërës Mari në Meksikë. Është figurja më e dashur, me vlera fetare dhe kulturore në Meksikë. Njihet edhe me emrin "La Virgen Morena", që do të thotë Zoja Zeshkane. Kremtohet më 12 dhjetor, për të përkujtuar ditën kur iu duk, në kodrën e Tepejakut, pranë Qytetit të Meksikos, Juan Diego Kuauhlatoacinit, aztek i kthyer në fenë katolike. Dukjet u përsëritën nga 9 deri më 12 dhjetor të vitit 1531. Emrin Guadalupe besohet se ia tha Juan Diegos vetë Maria; e besohet edhe se Gudalupe në spanjisht, Coatlaxopeuh  në gjuhën azteke,  do të thotë “Ajo që i shtyp kokën gjarprit (cfr. Libri i Zanafillës 3, 14-15).

Zoja Guadalupes simbol fetar e kulturor në Meksikë

Zoja e Guadalupes është simbol fetar, por edhe kulturor shumë i rëndësishëm për të gjithë meksikanët, madje për të gjithë banorët e Kontinentit të pafundëm Amerikan. Mbi kodrën, ku u duk Zoja, u ngrit menjëherë një kapelë, që u zëvendësua, në vitin 1557, me një kishë të vogël, zmadhuar në vitin 1622. E më në fund, në vitin 1976 u përfundua e u shugurua bazilika e sotme e Zojës së  Guadalupes. Në Bazilikë ruhet manteli i Huan Diegos, mbi të cilin u duk figura e Marisë, me pamjen e një vashe indiane lëkurëzeshkët. Në vitin 1921 dikush i vuri dinamitin figures, për ta shkatërruar mantelin, por Zoja zeshkane mbeti e paprekur.

Dukja e Zojës së Guadalupes, që nderohet nga katolikët si Pajtore e Mbretëreshë e Kontinentit amerikan, është pranuar nga Kisha katolike e Juan Diego është shpallur shenjt nga Papa Gjon Pali II më 31 korrik 2002. Është simbol i kombit meksikan, që nga lufta meksikane për pavarësi. Ushtritë e Miguel Hidalgos dhe të Emiliano Zapatës luftuan nën flamurin e Nuestra Señora de Guadalupe. Romancieri i njohur meksikan Karlos Fuentes shkruan: “... ju mund të mos quheni i krishterë, në se nuk besoni në krishterim, por as meksikan, nëse nuk besoni në Zojën e Guadalupes”.

 Zojës së Guadalupes dhe Papët

Ati i Shenjtë Françesku nuk është Papa i parë, që shkeli në trojet e Meksikës (12-18 shkurt 2016). Para tij shkelën edhe dy papë të tjerë: Gjon Pali II dhe Benedikti XVI.

Shën Gjon Pali II e vizitoi pesë herë Meksikën: herën e parë, pak pas fillimit të Papnisë, në janar-shkurt 1979, për hapjen e Konferencës së përgjithshme të Episkopatit Latino-Amerikan. Më pas do ta vizitonte vendin edhe katër herë të tjera: më 6 maj 1990, për lumnimin  e Juan Diegos dhe tre martirëve të Tlaxcala; më  16 shtator 1993;  më 23 janar 1999, për dorëzimin e Nxitjes Apostolike pas-sinodale dhe më 31 korrik 2002, për shenjtërimin e Juan Diegos, në shenjtëroren e Zojës së Guadalupes.  

Pati një devocion të thellë për Zojën e Guadalupes, me emrin e së cilës i nisi shtegtimet e tij aposotolike. Duke iu drejtuar Meksikës nga Shenjtërorja e Zojës, gjatë shtegtimit të dytë apostolik, pati theksuar:

“Këtu rreh zemra amëtare, që i jep jetë e shpresë gjithë Meksikës” .

Edhe Benedikti XVI shkeli trojet meksikane, më 23 deri më 29 mars 2012.

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 25 marsit 2012, pas Meshës në Sheshin e Dyqindvjetorit të Pavarësisë, në Leon, Papa Benedikti XVI tha: “Edhe ne sot i lutemi Marisë të na e tregojë Jezusin. I lutemi Zojës së Guadalupes, që nderohet me devocion prej shekujsh, si shenjë e pajtimit dhe e mirësisë së pakufishme të Zotit për botën. Papët, kujtoi Benedikti XVI, e quajtën Zojën e Guadalupes “Zojë të Meksikës”, “Pajtore qiellore e Amerikës Latine”, “Nënë e Perandoreshë e Kontinentit latino-amerikan”.

Ndërsa për popujt e Amerikës Latine, Nëna e Krishtit është ‘Trëndafili i Meksikës”, “Zoja e qiellit”, “Virgjëra zeshkane”, “Nëna e Tepejakut”, “Indiane e fisme”. Papa theksoi në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot të 25 marsit 2012, se devocioni për Virgjërën Mari, që na afron gjithnjë tek Jezusi, nuk është sentimentalizëm shterpë e kalimtar, e as besim foshnjor, por buron nga feja e vërtetë, që na nxit ta njohim epërsinë e Nënës së Zotit, ta duam me dashuri bijnore e t’i bëjmë tonat virtytet e saj: “Ta duash, do të thotë të impenjohesh të dëshmosh Birin e saj; ta nderosh Zojën e Guadalupes, do të thotë të jetosh sipas fjalëve të frytit të bekuar të kraharorit të saj. Në këto çaste, kur shumë familje detyrohen të ndahen e të nisin rrugët e mërgimit, kur vuajnë për shkak të varfërisë, të korrupsionit, të dhunës shtëpiake, të trafikut të drogës, të krizës së vlerave e të kriminalitetit, duhet t’i drejtohemi Marisë e t’i lutemi të na japë ngushëllim, forcë, shpresë”.

Benedikti XVI ia besoi Zojës së Guadalupes Meksikën, gjithë Amerikën Latine e Karaibet, duke kujtuar se: “Në kohë prove e dhimbjeje, shumë martirë vdiqën me brohoritjen: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Zoja e Guadalupes”, duke dhënë, kështu, dëshminë e pamort të besnikërisë ndaj Ungjillit e Kishës”.

Në përfundim, Papa u lut që prania e Virgjërës Mari në Meksikë, t’u kujtojë të gjithëve respektin për njeriun, detyrën për mbrojtjen e jetës, frymën e vëllazërimit, domosdoshmërinë për t’i mënjanuar hakmarrjet e kota e për t’i dhënë fund urrejtjes, që përçan.

E tani, një Papë tjetër e kremtoi Meshën dhe lutjen e Engjëllit të Tënzot nga viset e Zojës së Guadalupes, duke kujtuar: “Në atë agim të dhjetorit 1531, bëhej mrekullia e parë, që pastaj, do të ishte kujtesa e gjallë e gjithçkaje, që ruhet në këtë shenjtërore. Atë agim, në atë takim, Zoti rizgjoi shpresën e birit të vet, Huanit, shpresën e Popullit të vet. Në atë agim, Zoti rizgjoi e rizgjon shpresën e më të vegjëlve, më të vuajturve, të të shpërngulurve e të të mënjanuarve, të gjithë atyre, që ndjejnë se nuk kanë një vend të denjë mbi këto troje. Në atë agim, Zoti iu afrua dhe i afrohet zemrës së vuajtur por të fortë të sa e sa nënave, baballarëve, gjyshërve, që i kanë parë bijtë të nisen, i kanë parë të humbur e madje, edhe në duart e kriminalitetit”.

Kjo tokë, vijoi të kujtojë Papa Françesku më pas, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, ka shijen e Guadalupianes. Asaj, që na parapriu gjithnjë në dashuri, Asaj t’i themi: “Virgjër e Shenjtë, na ndihmo të ndriçojmë në dëshminë e bashkmit, të shërbimit, të fesë së zjarrtë e bujare, të drejtësisë e të dashurisë ndaj të varfërve, që gëzimi i Ungjillit të arrijë deri në skajet më të largëta të tokës e asnjë periferie të mosi mungojë drita e tij”.




12 dhjetor 2023, 11:39