Kërko

Nascita di Gesù - Natività - Natale Nascita di Gesù - Natività - Natale

“Zoti lindi në baltë, jo në mes të arit”

Verbum caro factum est! Etërit e Kishës na kujtojnë se Lindja e Zotit nuk është festë konsumistike. “Prandaj deshi të bëhej foshnjë, të bëhej ferishte, që ti të bëheshe burrë i përsosur; u lidh me shpërgaj, që ti të liroheshe nga leqet e vdekjes; lindi në stallë, për të të lartuar ty në altar; që të mund të arrish yjet; nuk gjeti vend në hotel, që ti të kishe një mijë shtëpi në parajsë” - na kujton Shën Ambrozi, duke shfletuar Ungjillin sipas Lukës (Shën Ambrozi, Ungjilli sipas Lukës, II, 41).

R.SH. - Vatikan

“Zoti lindi në baltë, jo në mes të arit”

“Prandaj deshi të bëhej foshnjë, të bëhej ferishte, që ti të bëheshe burrë i përsosur; u lidh me shpërgaj, që ti të liroheshe nga leqet e vdekjes; lindi në stallë, për të të lartuar ty në altar; në tokë, që të mund të arrish yjet; nuk gjeti vend në hotel, që ti të kishe një mijë shtëpi në parajsë” - na kujton Shën Ambrozi, duke shfletuar Ungjillin sipas Lukës (Shën Ambrozi, Ungjilli sipas Lukës, II, 41

Etërit e Kishës Perëndimore dhe Lindore na kujtojnë edhe sot se Krishtlindja nuk është festë konsumistike. “Oh, sikur të mund ta shihnit atë grazhd, ku shtrihej Zoti! Tani, ne të krishterët, si haraç nderi, hoqëm grazhdin prej balte dhe krijuam një të argjendtë, por për mua ai që u hoq është shumë më i çmuar. Ata ecën përgjatë një shtegu shumë më të ngushtë se rruga. Asnjë vend tjetër nuk u gjet për lindjen e Zotit, veç grazhdit; grazhd në të cilin lidheshin qetë dhe gomerët”.

Pohon Shën Jeronimi: «Argjendi dhe ari i pëlqejnë botës pagane: grazhdi i bërë me baltë, fesë së krishterë. E kjo, sepse Ai që lindi në këtë grazhd, e përbuz arin dhe argjendin. Unë nuk i kundërshtoj ata që e bënë këtë për ta nderuar (as ata që bënë enë ari për tempullin): mrekullohem kur mendoj se Zoti, krijuesi i botës, nuk lindi në mes të arit dhe argjendit, por në mes të baltës” – na kujton Shën Jeronimi - në “Predikim kushtuar Lindjes së Zotit”.  “Jezusi nuk gjeti vend në altarin e Shenjtit të Shenjtorëve, që vezullonte nga ari, gurët e çmuar, mëndafshi dhe argjendi. Sigurisht! Nuk lindi mes floririt dhe pasurive! Lindi mes plehut, në një stallë (pasi ku ka stallë ka edhe pleh), në mes të baltës së neveritshme të mëkateve tona. Lindi në mes të plehut, pikërisht për t’i ngritur të gjithë ata që janë të zhytur në pleh” (ibidem).

Çdo vit Krishtlindja e rinon njerëzimin, duke i kujtuar se Zoti nuk e ka braktisur kurrë. “Errësira tretet edhe një herë, e drita rrezëllon sërish (…). Duartrokitni të gjithë ju, popuj: na lindi një fëmijë, na u dha një djalë; mbi supet e tij është shenja e sovranitetit, domethënë kryqi, emri i tij është "ambasador i këshillit të madh" a Atë i amshuar”. Dhe akoma, një nga "dijetarët e Kapadokjes": "Ky është një solemnitet krejtësisht i yni, i ne të krishterëve. Në këtë ditë ne festojmë ardhjen e Zotit përkrah njerëzve, që ne, njerëzit të mund t'i afrohemi Zotit, a më mirë të themi, se mund të kthehemi tek Ai, pasi të kemi varrosur njerëzimin e vjetër, për t’u bërë njerëz të rinj" (Shën Gregori i Nazianzit, Fjalimi 38) .

Krishtlindja është dita e një takimi të veçantë. Zbulon identitetin e çdo personi. “Shpëtimtari ynë, të dashur miq, lindi sot: le të gëzohemi! Nuk ka vend për trishtim ditën kur lind jeta: jetë që shkatërron frikën e vdekjes dhe të dhuron gëzimin e premtimeve të përjetshme. Askush nuk është i përjashtuar nga kjo lumturi: shkaku i gëzimit është i përbashkët për të gjithë, sepse Zoti ynë, ngadhënyes mbi mëkatin dhe vdekjen, duke mos gjetur askënd të pafaj, erdhi për çlirimin e të gjithëve”, shton Papa Leoni I i njohur me epitetin  “Magno”- “i Madh”: «Të galdojë shenjti, se po i afrohet çmimit; le të gëzohet mëkatari, sepse falet; le të marrë përsëri guxim pagani, sepse thirret në jetë. Biri i Hyjit, pasi kishte arritur plotësinë e kohës caktuar nga plani i padepërtueshëm hyjnor, duke dashur të pajtonte natyrën njerëzore me Krijuesin e saj, e pranoi vetë vdekjen në një mënyrë të tillë që djalli, krijuesi i saj, të mposhtej nga po ajo natyrë, të cilën e pati skllavëruar më parë. Atëhere, në lindjen e Zotit, engjëjt kënduan me ngazëllim "Lavdi i qoftë Zotit në qiejtë më të larta e paqe mbi tokë njerëzve, që ai do" (Luka 2, 14). E panë se Jeruzalemi qiellor përbëhet nga të gjithë popujt e botës.

Megjithatë, për të mos e mjegulluar apo për të mos e zbehur Krishtlindjen, është e nevojshme të mos e ndajmë Birin e Zotit - nga njeriu. "Në përpjekjen për t’i ngjarë Jezu Krishtit, birit të Zotit, të mos largohemi as nga Zoti, sepse edhe ne jemi shëmbëlltyra e Zotit, sigurisht jo e njëjta gjë, mbasi të krijuar nga Ati nëpërmjet Birit dhe jo të lindur nga Ati si [Biri, që është] dituria e Hyjit. Ne jemi shëmbëllim, sepse të ndriçuar nga drita; Biri, nga ana tjetër, është dritë që ndriçon dhe prandaj, megjithëse nuk ka model për veten e tij, është model për ne”. Ai, nënvizon Hiponati, "nuk është modeluar sipas ndokujt, që i paraprin Atit; nuk mund të ndahet kurrë nga Ati, sepse është i njëjtë me atë, prej të cilit e ka zanafillën. Ne, nga ana tjetër, përpiqemi të imitojmë një model që nuk ndryshon, ndjekim atë, që nuk lëviz dhe ecim në të, që është strehë e përjetshëm për ne, priremi tek ai, sepse ai u bë për ne rrugë nëpër kohë, përmes poshtërimit të tij. Për të arritur lumturinë, njeriu nuk duhej të ndiqte dikë tjetër, përveç Zotit, edhe pse nuk ishte në gjendje ta shihte Zotin; duke ndjekur njeriun e krijuar nga Hyji, ai do të mund të ndiqte në të njëjtën kohë atë që mund ta shihte dhe atë, që duhej ta ndiqte. Le ta duam, pra, dhe të bashkohemi me të në dashuri” (Shën Agustini, Triniteti, 7, 12-13).

Pikërisht në këtë ditë, kur njerëzimi duket i humbur dhe i hutuar, duket edhe drita, e vetmja dritë e aftë të rrezatojë shpresë dhe gëzim, sepse është dritë e vërtetë, jo dritë e njerëzimit “kameleonik”: “Bekuar qoftë Ferishtja, që sot gëzoi Betlehemin! Bekuar Foshnja, që sot e përtëriu njerëzimin! Bekuar fryti, që u përkul prej mëshire, që të kujdesej për plagët tona. Lum i miri, që në një çast pasuroi gjithë varfërinë tonë. Bekuar i përkuluri nga mëshira e tij, që të kujdesej për ligështitë tona! “Bekuar qoftë lindja jote, Zoti im, që na çliroi nga padija!”. (Efrem Siriaku, Himni III, Mbi Lindjen e Krishtit).

Në përfundim, fjalët e Shën Agustinit: “të kremtojmë me gëzim ardhjen e shpëtimit dhe të shëlbimit tonë. Ta festojmë solemnisht ditën kur Dita e madhe dhe e përjetshme erdhi në ditën tonë shumë të shkurtër dhe të përkohshme. E vërteta mungulloi nga toka, domethënë mori shtat nga Maria. E drejtësia u duk nga qielli: sepse njeriu nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i jepet nga qielli” (Predikimi 185, 2).

nga  L'Osservatore Romano, 21 dhjetor 2022

22 dhjetor 2023, 11:46