365 milionë të persekutuar: Kim dhe Ortega, sulm kundër të krishterëve
R.SH. – Vatikan
Arrestime, abuzime, tortura, përjashtime nga puna, madje, edhe vdekje. Një ndër shtatë të krishterë në botë - madje një ndër pesë në Afrikë dhe dy ndër pesë në Azi - është viktimë e formave të rënda të persekutimit. Gjithsej 365 milionë njerëz në mbi 70 vende. Shifër rekord e 31 viteve të fundit. Së bashku me sasinë, rritet shpejtësia me të cilën shtrihen diskriminimet në kohë e në hapësirë: kombet në rrezik të madh kanë kaluar nga njëmbëdhjetë në trembëdhjetë.
Raporti i ri i organizatës “Open Doors”
Alarmi jepet nga raporti i ri i organizatës “Open Doors” (Dyer të Hapura), që analizon periudhën ndërmjet 1 tetorit dhe 30 shtatorit 2022. Në krye të listës tragjike të shteteve më të rrezikshme për Kishat është ende Koreja e Veriut, në majë të renditjes që nga viti 2002, me përjashtim të vitit 2022. Regjimi i Kim Jong-un praktikon tolerancën zero ndaj feve. Prandaj, në Pjong-jang është e pamundur për të krishterët ta jetojnë fenë në çfarëdolloj forme.
Koreja e Veriut ndiqet nga dy shtete afrikane - Somalia dhe Libia - të karakterizuara nga paqëndrueshmëria endemike dhe nga prania e grupeve ekstremiste me origjinë islamike, që përfitojnë nga kaosi për të vepruar të patrazuar. Jomyslimanët detyrohen ta fshehin fenë e tyre: nëse zbulohen, rrezikojnë vdekjen. Përveç kësaj, në burgjet e Libisë janë mbyllur me mijëra emigrantë, shumë prej të cilëve janë të krishterë, në shënjestër, për shkak të fesë.
Nigeria, vendi më vdekjeprurës për të krishterët
Gjërat nuk janë më mirë në Eritre, në vendin e katërt të listës, ose në Jemen, në vendin e pestë, ku konflikti i zgjatur e ka bërë edhe më të pasigurt gjendjen e të pagëzuarve. Nigeria, në vendin e gjashtë, me 4.118 të vrarë dhe me mbi 3.900 të rrëmbyer, mbetet vendi më vdekjeprurës dhe më i dhunshëm për të krishterët, ndërsa Pakistani, i shtati, është i dyti.
Hegjemonia e ajatollahëve në Iran
Irani zë vendin e nëntë, jo se ka bërë ndonjë ndryshim pozitiv, por sepse shtetet para tij kanë një skenar edhe më të keqësuar në krahasim me të. Në Teheran dhe rreth tij, jomyslimanët detyrohen të takohen në grupe të vogla nëpër shtëpi, pasi vendet e kultit shihen si kërcënim për hegjemoninë e ajatollahëve.
Afganistani, emirati i talibanëve
Një përmirësim shumë i lehtë regjistrohet në Afganistan. Edhe në këtë rast shkaqet janë të ndërlikuara. Dy vitet e para të Emiratit të talibanëve u karakterizuan nga ikja e të krishterëve. Ata që mbetën, u vranë, ose u detyruan të kthehen në Islam. Për këtë arsye, studentët e Kuranit e konsiderojnë si të “zhdukur” rrezikun nga të ashtuquajturit “të pafe”. Prandaj, muajt e fundit, ata e kanë lënë disi mënjanë kontrollin, për t'u përqendruar në konsolidimin e regjimit.
Ndërkaq, në Sudan, viktimë e luftës që shpërtheu në prill, jeta e të krishterëve është bërë edhe më e vështirë dhe vendi është zhvendosur me dy pozicione, duke arritur në të tetin. Skenari sudanez përfaqëson një fenomen, që ka të bëjë me gjithë rajonin. “Paqëndrueshmëria politike në rritje në Afrikën Sub-Sahariane – nënvizon Cristian Nani, drejtor i Open Doors – po e shton dhunën me bazë fetare”.
Abuzimi me të krishterët në Indi, vepër e ekstremistëve hinduistë
Në fund të "trembëdhjetëshes së parë" gjejmë Indinë - ku abuzimi me të krishterët është kryesisht vepër e ekstremistëve hinduistë, të mbështetur nga qeveria aktuale e Narendra Modit – po edhe Sirinë dhe Arabinë Saudite.
Në nivelin e përgjithshëm, janë ulur disi vrasjet për shkak të fesë. Në vitin 2023 ishin 4.998, gati gjashtëqind më pak se në periudhën e mëparshme. Nga ana tjetër, shtohen eksponencialisht sulmet, mbylljet dhe konfiskimet e kishave dhe të pronave publike kishtare, përfshirë shkollat dhe spitalet: është fjala për gati 15 mijë ndërtesa.
Katërfishuar sulmet kundër veprimtarive ekonomike të të krishterëve
Ndërkaq, janë katërfishuar sulmet kundër veprimtarive ekonomike të të krishterëve: mbi 27 mijë. Kjo strategji synon t'i heqë atyre mundësinë për të jetuar me punën e tyre, duke i detyruar të emigrojnë. Raporti flet për një “Kishë refugjate”, fenomen, që rritet vazhdimisht, paralelisht me presionet e përditshme. Një formë persekutimi më pak e dukshme se dhuna, por po aq e egër, shprehet në pengesat për të hyrë në punë të caktuara, në mohimin e asistencës shëndetësore, ose të arsimit, si edhe në kërcënimet.
Fushata e urrejtjes së Daniel Ortegës në Nikaragua
Një rast i veçantë është ai i Nikaraguas. Fushata e urrejtjes së Daniel Ortegës e çoi vendin drejt majës së listës me njëzet pozicione, nga i 50-i në të 30-in. Janë arrestuar e dëbuar ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e murgesha. Ipeshkvi i Matagalpës, imzot Rolando Álvarez, u burgos për 528 ditë me radhe, para se të dëbohej për në Vatikan. Organizata “Open Doors” (Dyer të hapura), gjithsesi, gjen edhe ndonjë dritë shprese. Në Mali, për shembull, në qershor, u miratua një Kushtetutë e re, që njeh lirinë e fesë. Ndërsa në Sri Lanka, aktivistët raportojnë përparime në formimin e krerëve të krishterë për të mbrojtur të drejtat e tyre.