Kërko

Misionarë në Afrikë Misionarë në Afrikë

At Fabio Nardelli: nga Sinodi i ipeshkvijve, fytyra misionare e Kishës

Cila është fytyra misionare e Kishës, që doli nga Sinodi? At Fabio Nardelli, profesor i Eklesiologjisë në Universitetin Papnor Antonianum dhe në Institutin Teologjik të Asizit, njëkohësisht, asistent në Fakultetin e Teologjisë të Universitetit Papnor Lateran shpjegon se “fytyra “misionare” është pikërisht ajo me të cilën Kisha e paraqiti veten në fund të sesionit të parë të Sinodit të Ipeshkvijve, ku nënvizoi: “Kisha është mision”

R.SH. – Vatikan

 “Nëse është e vërtetë se misioni është hir, që e impenjon gjithë Kishën, besimtarët laikë duhet të kontribuojnë në mënyrë jetike për ta realizuar atë në të gjitha ambientet dhe në situatat më të zakonshme të çdo dite. Janë sidomos ata, që e bëjnë Kishën ta paraqesë dhe ta kumtojë Ungjillin në kulturën e ambientit dixhital, i cili ka një ndikim të fuqishëm në mbarë botën, në kulturën e rinisë, në botën e punës, ekonomisë dhe politikës, artit dhe kulturës, kërkimit shkencor, edukimit dhe formimit, në kujdesin për shtëpinë e përbashkët dhe, veçanërisht, në pjesëmarrjen në jetën publike. Kudo që janë të pranishëm, laikët thirren për ta dëshmuar Jezu Krishtin në jetën e përditshme dhe për ta ndarë fenë e tyre me të tjerët. Në veçanti, të rinjtë, me dhuntitë dhe brishtësinë e tyre, ndërsa rriten në miqësi me Jezusin, bëhen apostuj të Ungjillit ndërmjet bashkëmoshatarëve”.

 Një nga propozimet e 'Relacionit Sintezë' të sesionit të parë të Asamblesë XVI të Përgjithshme e të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve na fton të vlerësojmë 'frytet' e këtij Sesioni, gjatë të cilit doli në pah edhe nevoja për një kontribut më të madh të teologjisë dhe të së drejtës kanonike. Të ndryshëm, aspektet për t’u 'studiuar' nga pikëpamja teologjike. Gjatë muajve në vijim, Universitetet Papnore të Romës do të përfshihen drejtpërdrejt në një reflektim mbi këto tema, përmes 'komisioneve të vogla', ku do të thellohen çështjet, që vetëm janë përmendur në tetor 2023, për ta filluar kështu më me entuziazëm Sesionin e dytë, që synon të përvijojë 'transformimin misionar' të Kishës.

Por cila është fytyra misionare e Kishës, që doli nga Sinodi? At Fabio Nardelli, profesor i Eklesiologjisë në Universitetin Papnor Antonianum, në Romë dhe në Institutin Teologjik të Asizit, njëkohësisht, asistent në Fakultetin e Teologjisë të Universitetit Papnor Lateran shpjegon se “fytyra “misionare” është pikërisht ajo me të cilën Kisha e paraqiti veten në fund të sesionit të parë të Sinodit të Ipeshkvijve, ku nënvizoi: “Kisha është mision”. Iu referua shprehimisht fjalëve të Jezusit: 'Ashtu si Ati më ka dërguar mua, ashtu ju dërgoj edhe ju' (Gjn 20, 21). Prandaj, Kisha ekziston për të shpallur Ungjillin: ky është misioni i saj. Del në pah mjë vizion kishtar, i cili frymëzohet gjithnjë e më tepër nga përtëritja misionare dhe i kushton më shumë vëmendje meshtarisë së përbashkët të besimtarëve në manifestimet e saj të ndryshme jetike, marrëdhënieve të Kishës me botën dhe realitetit në dialog me kulturat e fetë e tjera”.

Dishepujt e Jezu Krishtit janë të thirrur të dëshmojnë të vërtetën, pasi ky është qëllimi për të cilin Biri i Zotit u dërgua në botë, siç i thotë Ai vetë Pilatit (Gjn 18.37). “Prandaj, - vëren At Fabio Nardelli - kjo është edhe përgjegjësia, që duhet të marrin përsipër të gjithë dishepujt e Jezusit, të cilët kanë marrë mandatin me sakramentet e fillesës së krishterë. Prandaj mund të flasim për një rizbulim të Kishës së pagëzimit, pasi 'i pari i sakramenteve' i jep identitet çdo besimtari, i cili merr kështu pjesë në misionin e Krishtit dhe bëhet bartës i shpalljes së Zotit, që vdiq dhe u ringjall për shpëtimin tonë”.

 Po pse misioni 'ad gentes' është pasurim i ndërsjellë i Kishave? “Së pari, - shpjegon At Nardelli - sepse natyra e jashtëzakonshme e praktikës së misionit 'ad gentes' përfshin gjithë Kishën lokale, e cila e mbështet me lutje dhe ndihmë materiale. Së dyti, sepse hiri i sjellë nga misionari 'ad gentes', jo vetëm që i sjell dobi Kishës ku ai mirëpritet si bashkëpunëtor, por prodhon edhe një shkëmbim jetik me përfitim për Kishat përkatëse, duke e gjallëruar frymën e Shpirtit Shenjt në to. Në këtë kuadër, mund të shpresojmë për një vizion dinamik të Kishave, në të cilin çdo besimtar thirret për të dëshmuar Ungjillin, secili 'me mënyrën e vet'".

Përsa i përket rolit të grave në misionin e Kishës, meshtari profesor thekson se ai “nuk ndryshon nga roli i njerëzve të tjerë, sepse edhe gratë janë bartëse të hirit të Krishtit, marrë në pagëzim, sipas fjalëve të Shën Palit: "Të gjithë ju që u pagëzuat në Krishtin, jeni veshur me Krishtin" (Gal 3, 28). Praktikisht, ato janë bashkëpunëtore të drejtpërdrejta të atyre, që kanë mandatin apostolik në Kishë, sipas statusit, laike ose të shuguruara”.

Meshtari italian përmend Evodian dhe Sintikën, për të cilat Shën Pali thotë se luftuan për Ungjillin, së bashku me të. Në Sinod, vë në dukje At Nardelli, nuk u diskutuan të drejta për t'u kërkuar, por për vënien në punë të dhuratave të marra nga Shpirti Shenjt, pasi gratë, me të vërtetë, janë ‘element dinamik' i misionit të Kishës.

Sinodi i Ipeshkvijve e përsëriti dhe e theksoi një të vërtetë që dihej: Kisha është misionare. “Kisha – nxjerr në pah teologu - u themelua për të shpallur Ungjillin, sipas mandatit që Jezusi u dha apostujve pas ringjalljes: 'Shkoni dhe bëni dishepuj nga të gjitha kombet' (Mt 28, 19). Në fakt, nga kjo varet shpëtimi i njerëzve, sipas fjalëve të vetë Jezusit: 'Shkoni në mbarë botën dhe shpalljani Ungjillin çdo krijese. Kushdo që beson dhe pagëzohet, do të shpëtohet' (Mk. 16, 15). Prandaj, Kisha është e ftuar të rizbulojë unitas missionis (unitetin e misionit) si thirrjen e saj origjinale, për të rizbuluar më tej fytyrën e saj sinodale. Në fakt, Papa Françesku pohoi se "sinodaliteti e gjen burimin dhe qëllimin e tij përfundimtar në mision: lind nga misioni dhe orientohet drejt misionit", përfundon shpjegimin At Fabio Nardelli.

04 janar 2024, 09:46