Kërko

Át Faltas: “gratë janë endëse të paqes”

Vikari i Rojtarisë së Tokës Shenjte, Át Ibrahim Faltas, shkruan një artikull për gazetën vatikanase “L'Osservatore Romano”, ku ngul këmbë se gratë janë dëshmitare të mëdha të Zotit dhe endëse të paqes, ndërsa dy gra vriten çdo orë në Gazë

R.SH. – Vatikan

Át Ibrahim Faltas

"Ai që i bën keq një gruaje përdhos Zotin". Papa Françesku i tha këto fjalë gjatë predikimit të tij në Meshën për Ditën Botërore të Paqes, më 1 janar. I mendova këto fjalë – shkruan në gazetën vatikanase vikari i Rojtarisë së Tokës Shenjte, Át Ibrahim Faltas - ndërsa lexova një raport të fundit të OKB-së: që nga 7 tetori, dy gra vriten çdo orë në Gaza. Gratë dhe fëmijët përbëjnë 70 për qind të vdekjeve. Të shtunën, një grua shtatzënë u plagos rëndë gjatë një bombardimi; mjekët arritën të lindnin fëmijën ndërsa nëna vdiq.

Mendova sërish fjalët e Papës: "...përdhosin Zotin, sepse ai është lindur nga një grua". Shenjtja Mari ishte lidhja ndërmjet tokës dhe qiellit: ajo dëgjoi dhe pranoi vullnetin e Hyjit; ajo pranoi pasojat; ajo ishte nënë e vëmendshme, e matur dhe e vuajtur. Çfarë shembulli dhe çfarë modeli për të gjitha gratë, besimtare dhe jobesimtare, nëna e murgesha! Ati i Shenjtë, shpesh, na bën thirrje ta respektojmë rolin e gruas si në Kishë ashtu edhe në shoqërinë civile. Jam i bindur – vijon Át Ibrahim Faltas - se gratë, me forcën e tyre të brendshme dhe me përkushtimin ndaj të afërmve, janë të domosdoshme për arritjen e paqes në botë.

 Ne duhet të udhëhiqemi nga zemrat e nënave dhe të grave, që e shikojnë njerëzimin me sy të vëmendshëm dhe të heshtur, që ofrojnë vuajtjet e tyre për të mirën e të tjerëve, që i ndiejnë nevojat dhe u paraprijnë atyre me përkushtim të plotë. Me hirin e Zotit, nënën time e kam pasur si shembull gruaje besimtare, e cila në heshtje dhe me sakrifica ia kushtoi jetën fëmijëve, familjes dhe të varfërve.

Gratë janë në gjendje të endin paqen; ato nuk dorëzohen para së keqes; ato përpiqen të shërojnë dhe të mbrojnë; ato dinë të administrojnë burimet dhe marrëdhëniet; nuk lejojnë kurrë të mungojë dashuria e vërtetë, dashuria që nuk vdes nga indiferenca apo harresa. Atë dashuri, që Zoti nuk do t’ia mungojë asaj vajzës së vogël në Gaza, lindur tashmë jetime, por me forcën e kraharorit të nënës së saj, e cila e mirëpriti dhe e deshi që para se ta shihte dhe të mund ta mbante në krahë. Të mos i harrojmë këto viktima të pafajshme - të vdekurit dhe të mbijetuarit - dhe të mos e harrojmë dashurinë e nënave dhe forcën e grave.

 Ta respektojmë, ta ruajmë dhe ta mbrojmë dinjitetin e grave që ta bëjmë njerëzimin më të mirë dhe ta mposhtim urrejtjen dhe dhunën – përfundon artikulli i Át Ibrahim Faltas në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”.

23 janar 2024, 18:09