Bartolomeo I, Patriarca ecumenico di Costantinopoli Bartolomeo I, Patriarca ecumenico di Costantinopoli

Bartolomeu, le të kthehemi nga errësira në dritën e lindjes së Jezusit

Patriku Ekumenik i Kostandinopojës Bartolomeu, me rastin e Krishtlindjes që kremton Kisha Ortodokse, në një artikull të botuar nga L'Osservatore Romano, kërkon për njerëzit rreze dielli, jo hije. Përballë luftërave që po gjakosin botën, "çka u mungon të gjithëve është paaftësia për ta kuptuar vërtetësisht tjetrin". Egoizmi dhe hipokrizia nuk na lënë më të shohim “vëllezër dhe motra që vuajnë pranë nesh”

R.SH. / vatikan

Bartolomeu I - Patriku Ekumenik i Kostandinopojës

“Nuk mund të themi se paqja nuk është e arritshme; se nuk është e dukshme. Është  detyrë, fitore, luftë e pandërprerë për ta ruajtur këtë”. Enciklika jonë e Krishtlindjes për vitin 2023 përmbante këtë mesazh: paqja duhet kërkuar vazhdimisht. E si mund të festojmë "me timpane e vallëzim", siç na kujtojnë Psalmet? Në atë grazhd, në atë shpellë ku më shumë se dy mijë vjet më parë lindi një fëmijë e na u dhurua një dritë, gjithçka duket si e humbur.

Sot në qytetin e Betlehemit nuk mund ta shohim më dritën; ne, njerëzit, e shndërruam grazhdin e ndriçuar në një shpellë të errët dhe të shkretë, ashtu siç ishte përpara lindjes së Shëlbuesit tonë. Prandaj, tani që jemi zhytur në atë errësirë, duhet të përpiqemi për një çast të ecim në rrugën e kohës para lindjes së tij, në mënyrë që ta bëjmë lutjen tonë edhe më të përgjëruar!

Që nga rënia e prindërve të parë, Adamit dhe Evës, paraardhësit tanë   kërkojnë dhe dëshirojnë të ribashkohen me Krijuesin.

Profetët shpallën Mesinë e drejtë, që do t’u jepte edhe një herë frymën jetëdhënëse shpirtrave tanë. Për shekuj me radhë, patriarkët e lashtë të Izraelit e udhëhoqën popullin e Zotit drejt këtij qëllimi, drejt Horebit, drejt Sinait, derisa arritën në Jerusalem, në mënyrë që populli i tyre të kthehej në bashkim me Atë "që është".

Megjithatë, kur të vijë koha, kur universi të rreshtohet për lindjen e Krishtit, do të shohim se "dhelprat kanë vrimat dhe zogjtë e qiellit folenë, por Biri i Njeriut nuk ka ku të mbështesë kokën". Por kjo mungesë e një vendi të përshtatshëm për lindjen e Krishtit nuk e ndalon planin hyjnor. Thjesht merr një grazhd të improvizuar në një shpellë dhe e shndërron në vendin ku shkëlqen lavdia e Hyjit. Ndoshta errësira e shpellës është ajo që duhej për ta njohur atë dritë, që hynte në botë. Ndoshta kontrasti është i nevojshëm; nuk njihet uniteti i rrezeve të veçanta të diellit, pasi  gëlltitet nga shkëlqimi i masës së dritës. Nëse ky kontrast shihet në atë çast unik, në mishërimin e vetjes së dytë të Trinisë Shenjte, Fjalës që u bë njeri, atëherë çfarë duhet të kërkojmë në errësirën aktuale në të cilën ndodhet Betlehemi?

Në "mitin e shpellës" së Platonit mësohemi të shohim shpirtin e pandriçuar. Një shpirt i lidhur me zinxhirë dhe i detyruar të shikojë vetëm në një drejtim, larg nga pjesa e jashtme e shpellës, që shikon vetëm hije kukullash, i kufizuar në aftësinë e tij për të arsyetuar dhe për të kuptuar për shkak të pamundësisë për t'u kthyer dhe për të dalë nga shpella, për të parë realitetin.

Ndoshta në të dyja rastet shpella është e njëjtë; ndoshta ne kemi prangosur burra të tjerë, për t'i kontrolluar ata dhe për t’i detyruar të jetojnë në një botë që duket se lind vetëm luftë, zi buke, pabarazi dhe sëmundje. Pavarësisht nëse është Ukraina, e gjithë Afrika Sub-Sahariane, apo ringjallja e fundit e gjakderdhjes në Lindjen e Mesme, një gjë është e sigurt: ajo që u mungon të gjithëve është një kuptim i vërtetë i "fqinjit". Egoizmi dhe hipokrizitë tona na lidhën deri në atë pikë, sa nuk jemi në gjendje as të kthejmë kokën dhe të shohim majtas e djathtas, për të parë vëllezërit dhe motrat tona që vuajnë pranë nesh.

Zgjodhëm alegorinë e shpellës së Platonit, në kontekstin e shpellës që pa lindjen e Shëlbuesit, Zotit dhe Shëlbuesit tonë Jezu Krisht, për arsyen e mëposhtme: ndërsa njerëzit e lidhur me Platonin shohin vetëm hije, me pak shpresë për t'i shpëtuar, në Betlehem, në shpellë, hyri Dielli, Dielli u duk para njerëzve të lidhur me zinxhirë; lindi një fëmijë - Mesia ynë - që na çon drejt çlirimit. Për shekujt që kanë kaluar që atëherë e deri më tani, një gjë është e sigurt:

"… jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as principatat, as e tashmja, as e ardhmja, as fuqitë, as lartësia, as thellësia, as ndonjë krijesë tjetër nuk do të jetë në gjendje të më ndajë kurrë nga dashuria e Hyjit në Krishtin Jezus, Zotin tonë".

Ai që lindi në një shpellë dhe u vendos në një grazhd për shpëtimin tonë, Jezu Krishti, "Zoti me ne", vazhdoftë të na bekojë, të shndrisë mbi ne e, sidomos, të na japë forcë për të luftuar për paqen e tij të drejtë dhe të amshuar.

06 janar 2024, 18:23