Kërko

Commissione delle Conferenze episcopali dell’Unione europea (Comece) e della Conferenza delle Chiese europee (Cec) ha incontrato il 18 gennaio a Bruxelles l’ambasciatore Willem van de Voorde, rappresentante permanente del Belgio presso l’Ue Commissione delle Conferenze episcopali dell’Unione europea (Comece) e della Conferenza delle Chiese europee (Cec) ha incontrato il 18 gennaio a Bruxelles l’ambasciatore Willem van de Voorde, rappresentante permanente del Belgio presso l’Ue

Kishat evropiane kërkojnë nga Bashkimi Evropian më shumë përpjekje për paqen

Përfaqësuesit e ipeshkvijve të vendeve të BE-së dhe atyre të Kishave Evropiane bëjnë një analizë të sfidave të semestrit të ardhshëm, nën Presidencën e Belgjikës të Këshillit Evropian. Ndër temat që u trajtuan janë lufta në Ukrainë dhe Gazë, si dhe nevoja për të gjetur konsensus politik dhe social për tranzicionin ekologjik.

R.SH. / Vatikan

Një delegacion ekumenik që përfaqëson Komisionin e Konferencave Episkopale të Bashkimit Evropian (COMECE) dhe Konferencën e Kishave Evropiane (CEC) u takua më 18 janar në Bruksel me ambasadorin Willem van de Voorde, përfaqësues i përhershëm i Belgjikës pranë BE-së, për të diskutuar rreth prioriteteve të presidencës 6-mujore belge të Bashkimit Evropian. Kështu thuhet në një njoftim të botuar dje më 22 janar nga Comece-Cec. “Takimi ishte një rast i volitshëm për të prezantuar dhe bashkëndarë kontributet e Kishave evropiane në fushat kryesore politike të Presidencës belge të Këshillit të BE-së”, saktësojnë organet kishtare.

“Kishat evropiane nënvizuan nevojën për të përforcuar demokracinë dhe unitetin në Bashkimin Evropian, duke ballafaquar e trajtuar fundamentalizmin dhe polarizimin në shoqëri”. Në këtë kontekst, u theksua "kontributi pozitiv që Kishat mund të japin për të promovuar më tej paqen dhe drejtësinë" në Evropë dhe në vise tjera të botës. Komisioni i Konferencave Episkopale të Bashkimit Evropian (COMECE) dhe Konferenca e Kishave Evropiane (CEC) shprehën "shqetësim për përdorimin instrumental të fesë, dezinformimin, polarizimin social, populizmin dhe ekstremizmin, veçanërisht në funksion të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian 2024". Kishat ripohuan gjithashtu edhe gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me policy maker të BE-së "për të nxitur dialogun mbi rolin e fesë në një shoqëri demokratike, duke garantuar respektimin e të drejtave themelore".

Në kontekstin e luftërave që po zhvillohen në Evropë dhe përtej kufijve kontinentalë, si dhe tensionit në rritje midis aktorëve kryesorë ndërkombëtarë, COMECE dhe CEC i kërkuan Presidencës së BE-së "të sigurojë përpjekje të vazhdueshme për paqen dhe stabilitetin". Komisioni i Konferencave Episkopale të Bashkimit Evropian (COMECE) dhe Konferenca e Kishave Evropiane (CEC) inkurajuan përforcimin e solidaritetit konkret për Ukrainën dhe popullin e saj, "intensifikimin e përpjekjeve diplomatike drejt një zgjidhjeje paqësore, të drejtë dhe të qëndrueshme".

Kishat patën gjithashtu rastin të shkëmbenin mendime me ambasadorin Willem van de Voorde edhe për disa aspekte më delikate të paktit të BE-së miratuar kohëve të fundit për migracionin dhe azilin. Ata “përshëndetën vëmendjen e kushtuar nga Presidenca e BE-së për një tranzicion të drejtë dhe një të ardhme të qëndrueshme për kontinentin tonë”.

Sipas Kishave në Evropë, ky objektiv "duhet të arrihet pa neglizhuar koston sociale dhe duke ndjekur në të njëjtën kohë një konsensus politik dhe social". Lidhur me sektorin e bujqësisë, Kishat nënvizuan nevojën për të mbështetur një dialog që përfshin një përfaqësim të gjerë të diversitetit të madh të fermerëve në të gjithë Bashkimin Evropian. Delegacioni vlerësoi prioritetin e dhënë nga Presidenca belge e BE-së për zhvillimin e mëtejshëm të Zonës Evropiane të Arsimit. Kishat inkurajuan gjithashtu Presidencën që ta bëjë dialogun me të rinjtë një pjesë strukturore të procesit demokratik të BE-së.

23 janar 2024, 10:58